Analiza taktike/ Dhjetë minutat e pamëshirshme të Bajernit në çmontimin e Barçës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 20:20

Analiza taktike/ Dhjetë minutat e pamëshirshme të Bajernit në çmontimin e Barçës

Mynihu vijon të mbetet një tokë e mallkuar për Barcelonën. Të martën në mbrëmje është konsumuar disfata e radhës për katalanasit në Gjermani, me Bajernin që ka fituar 2-0. Nuk ka qenë Bajerni i zakonshëm, kjo dhe për meritë të progresit të bërë nga Barcelona krahasuar me vizitat e fundit në Mynih.

v28iah88_bayern-munich-celebration-vs-barcelona-afp_625x300_14_September_22

Por skuadrës së Nagelsmanit i kanë mjaftuar dhjetë minuta të pamëshirshme në fillimin e pjesës së dytë për të hedhur në tapet Barcelonën. Lukas Hernandez dhe Leroj Sane kanë qenë protagonistët. Barcelona ka dominuar pjesën e parë, por Robert Levandovski, si rrallëherë, ka gabuar gola që një si ai nuk i bën kurrë. “Coachesvoice” i ka bërë një analizë taktike sfidës në “Allianz Arena”, duke shpjeguar suksesin e bavarezëve.

PËRQENDRIMI NË TË MAJTË – Nagelsman vendosi në fushë një Bajern me rreshtimin 4-2-3-1, me Tomas Mylerin si numër 9 dhe Musialën si numër 10, ndërsa nga krahët ishin Sane e Mane. Alfonso Devis ka shtyrë fort nga e majta, duke i dhënë mundësi Manesë të ndihmonte Musialën, teksa Kimish e Zabicer operonin nga mbrapa. Bajerni dukej sikur e kishte rrethuar Busketsin në qendër, por në pjesën e parë kampionët e Gjermanisë arritën të vinin në vështirë Barcelonën vetëm në tranzicion, duke sulmuar nga majta, ku Barcelona dukej më vulnerabël. Megjithatë, Bajernit i mungoi pasimi final në metrat e fundit.

MBROJTËS KONSERVATIVË – Kur Bajerni arrinte të shtynte prapa Barcelonën, bavarezëve i mungonte thellësia në aksion. Duke pasur të bënin me një lojtar si Levandovski, qendrat e mbrojtjes së Bajernit rrallë dilnin përpara, duke e kufizuar manovrën sulmuese të ekipit.

KOMBINIMET NË HAPËSIRA – Në pjesën e dytë, Nagelsman me siguri që i ka dhënë një tjetër impuls lojës së Bajernit, me lojtarët e krahut që i hapën shumë më tepër punë Barcelonës. Me zhvendosjen e Musialës në krah dhe me raste edhe të Mylerit, vendësit morën mesfushën, duke përfituar dhe nga ulja e presingut të Barcelonës.

Tashmë dhe mbrojtësit mund të shtynin, duke bërë që Bajerni t’i afrohej zonës me kombinime. Goli i dytë i shënuar nga Sane, i cili ishte një shembull konkret i cilësisë së kombinimeve të lojtarëve të Bajernit, të cilët hapeshin duke zgjatur linjën mbrojtëse të Barcelonës.

BAJERN-BARCA

IMPAKTI I GORECKËS – Mesfushori gjerman i aktivizuar në pjesën e dytë në vend të Marsel Zabicer ishte një tjetër pikë kthimi në ndeshje. Me të në fushë, Bajerni arriti të fitonte mesfushën, teksa ai dhe Kimish arritën të mbulonin shumë më mirë pikën nevralgjike të fushës.

Kjo lëvizje e Nagelsmanit i hoqi një armë shumë të fortë Barcelonës: vertikalizimin. Dhe pasi bavarezët shënuan dhe golin e dytë, ata patën mundësinë të luanin në pritje, duke i lënë më shumë topin Barcelonës dhe duke u përpjekur të shfrytëzojnë hapësirat e lëna nga Barcelona dhe goditur me kundërsulm. Çelësi i manovrës së Bajernit qëndron në aftësinë e Goreckës për të parë përpara drejt sulmit, menjëherë sapo bavarezët fitonin topin.

Kjo i jepte mundësi të dy sulmuesve të Bajernit që të hapeshin në krahë, duke e zgjatur shumë mbrojtjen e Barcelonës dhe krijuar hapësira për depërtime nga qendra. Sa më shumë që Barcelona shtynte përpara në kërkim të golit, që do të hapte takimin, aq më shumë hapësira linte për Bajernin, ndonëse efikasiteti i kampionëve të Gjermanisë ishte më i ulët, ndoshta të kënaqur me dy golat e epërsisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"