Analiza/ Skënderbeut i mungoi Radasi dhe… mesfusha. Korçarët ishin të lexueshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2017 | 16:28

Analiza/ Skënderbeut i mungoi Radasi dhe… mesfusha. Korçarët ishin të lexueshëm

Nga ERVIN FAKAJ

ervin fakaj

Skënderbeu dukshëm është i lodhur dhe kjo u demonstrua edhe dje. Korçarët zhvilluan një lojë nën nivelin e ndeshjeve të tjera që kanë luajtur në Europë. Peshoi shumë mungesa e Radasit dhe e Soues, por peshoi edhe motivimi për një ndeshje që fundja nuk të nxiste për ndonjë objektiv madhor, përveçse për shpërblimin e majmë të UEFA-s në rast fitoreje.

NDESHJA – Lojë e vakët nga të dyja skuadrat. Skënderbeu del ngadalë në sulm dhe është i lexueshëm. Vihet re se çalon në atë që e ka pikën më të fortë: qarkullimin e topit. Lilaj nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë dhe po ashtu Nimaga. I pari ka sakrifikuar shumë gjatë këtij sezoni, ndërsa i dyti vjen pas një dëmtimi. Për më tepër, nuk tërheq shumë as sulmi, megjithëse vendësit lejojnë hapësira. Soue është shndërruar në një pikë referimi dhe mungesa e tij u ndje në krijimin e hapësirave në afërsi të zonës apo shërbimet që bënte për lojtarët e tjerë. E, megjithatë, mendoj se mungesa që u ndie më shumë ishte ajo e Radasit.

Radas

Skënderbeu e kishte të vështirë të nxirrte topin para si duhet. E bënte keq ose ngadalë shumicën e kohës duke humbur shpejtësi dhe befasi. Por Skënderbeu vuajti shumë edhe në mbrojtje. Të dy golat erdhën si pasojë e organizimit të dobët në goditjet standarde. Lojtarët vendës u treguan dinakë dhe dukeshin që e kishin studiuar mirë Skënderbeun. Në goditjet standarde, ata sulmuan me lojtarët e tyre më të gjatë futbollistët më të shkurtër të Skënderbeut dhe aty u vu re akoma më shumë mungesa e Radasit.

Ai e lexonte lojën më mirë dhe arrinte të shpërndante forcat si duhet në prapavijë. Të dy golat erdhën pikërisht nga ajri, aty ku Skënderbeu realisht vuante. Megjithatë, skuadra korçare ka të ardhme. Paraqitja e tyre në Europë realisht ka qenë e një niveli të kënaqshëm. Tani janë të fokusuar te kampionati, por duhet të mos përsërisin ndeshje nën tonus, ku gjithçka të jetë në varësi të inkursioneve të Gavazajt apo ndonjë lojtari tjetër. Kjo nuk është në stilin e korçarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"