ANALIZA/ Situatë e vështirë te Partizani, por “municioni” s’ka mbaruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 20:28

ANALIZA/ Situatë e vështirë te Partizani, por “municioni” s’ka mbaruar

Pasi i janë larguar tre lojtarë titullarë, që mbanin peshën e të tria reparteve, Partizani në këtë fillim viti po përjeton situatën më të vështirë të sezonit, pasi nuk ka arritur të fitojë asnjërën prej katër ndeshjeve të fundit, teksa ka grumbulluar vetëm dy pikë.

Partizani

Pa dyshim që në ambientin e kuq nuk mbizotëron aspak një atmosferë e mirë, por nuk mund të themi se të kuqtë i kanë dorëzuar të gjitha armët për të kthyer situatën, që duhet të nisë menjëherë në ndeshjen ndaj Laçit.

LOJA – Egnatia arriti t’i marrë një barazim me doza “dinakërie” dhe falë aftësive të Duamenas, por duhet thënë se loja e Partizanit e pati një rritje të konsiderueshme në atë ndeshje dhe nëse do ta menaxhonte më mirë penalltinë dhe disa raste të krijuara, do ta kishte marrë fitoren. Nëse vijojnë rritjen në lojë, Partizani ka shumë shanse të reagojë ndaj kurbinasve.

FORCA REAGUESE – Një tjetër pikë e ulët e këtij sezoni për Partizanin ka qenë pa dyshim humbja e derbit të parë, që i dha një goditje të rëndë. Gjithsesi, ata treguan forcë të madhe në ndeshjen pasardhëse, duke arritur një përmbysje ndaj Vllaznisë dhe treguar se e kanë forcën të ringrihen nga situatat e vështira.

E PANJOHURA – Të kuqve u janë larguar disa lojtarë dhe kanë ardhur të rinj, që kanë shansin të ngjallin njëfarë hutimi ndaj kundërshtarëve për shkak se janë lojtarë me karakteristika të ndryshme dhe nuk njihen sa duhet nga trajnerët e skuadrave të tjera. Emra si Mba, Bilali, Selmani apo Shahaj mund të surprizojnë, siç bëri Skuka vjet.

DËMTIMET – Nëse në pjesën e parë të sezonit Kolela nuk e ka pasur asnjëherë skuadrën e plotë, në këto javë ai nuk ka pasur asnjë dëmtim dhe ka liri të plotë zgjedhjeje. Ky pa dyshim është një telash më pak për të, që e ndihmon edhe të rreshtojë skuadrën në mënyra të ndryshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"