ANALIZA/ Silvinjo nuk ka ardhur për revolucion, por për “Euro 2024”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2023 | 20:28

ANALIZA/ Silvinjo nuk ka ardhur për revolucion, por për “Euro 2024”

Është krejtësisht normale që Silvinjo, trajneri i ri i Shqipërisë, të takohet me kolegët që drejtojnë ekipet e moshave në vendin tonë. Nuk ka asgjë të keqe që në takim ishte edhe trajneri i femrave, Armir Grima, edhe pse nga ai nuk merr dot asnjë nga ato që drejton shkodrani.

silvinjo

Mirëpo ta trajtosh një prezantim fare normal, deri diku edhe burokratik, si fillimi i një ndryshimi rrënjësor në ekipet kombëtare, apo si një revolucion i stilit të lojës që do të kopjohet nga të gjitha ekipet e moshave, kjo është e tepërt.

Së pari, sepse praktikisht është e parealizueshme. Fjala vjen, lojtarët e ekipit kombëtar A vijnë nga kampionate të ndryshme dhe kanë cilësi të ndryshme, ndërsa Shpresat e Bushit apo U-19 mund të përshtaten fare mirë me skema të tjera nga ajo që mund të përdorë Silvinjo. Së dyti, Silvinjo nuk ka ardhur në Shqipëri për të bërë “revolucion” në ekipet tona kombëtare.

Jo, ka ardhur me një mision të vetëm: të kualifikojë Shqipërinë në “Euro 2024”. Kemi një brez të mirë lojtarësh, një short të mirë në grup dhe tashmë një traditë në një kompeticion si ky. Pikërisht për këto arsye i kërkohet “vetëm” kualifikimi. A mund ta bëjë dot?

Po, mund t’ia dalë, sepse vërtetë është pa shumë eksperiencë në stol, por kjo nuk do të thotë se është i pazoti. Shanset për sukses i ka, po aq sa edhe rrezikun për të dështuar. Si çdo trajner. Por le të fokusohet te Kombëtarja A dhe të mendojë për skemat fituese, jo për revolucionet që duhet t’i bëjë FSHF-ja…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"