Politika e ndërtimeve sportive në Shqipërinë e sotme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2018 | 19:15

Politika e ndërtimeve sportive në Shqipërinë e sotme

BESNIK DIZDARI 

Sigurisht, sporti shqiptar i viteve të fundit ka dy arritje ndërtimtare. Dy stadiume moderne, ai i Elbasanit dhe ai i Shkodrës, kanë pasuruar hapësirën e objekteve sportive shqiptare. Pa harruar edhe ndërtimin e një palestre (nuk është pallat) sportive, porfunksionale në modestinë e veprimtarive sportive në Tiranë. E mirë e gjitha kjo.Besnik-Dizdari

Ndërkaq, nëse sporti shqiptar në tanësinë e tij ka vite që bën vendnumëro, një pjesë e “fajeve” i bie mungesës së ndërtimeve sportive. Nëse do t’u ktheheshim shteteve të tjerë, them se Shqipëria zë vendin e fundit në Europë për ndërtimet sportive. Sidomos, kur kujtojmë se prej vitesh shtete europiane e kanë bërë revolucionin e tyre ndërtimtar të objekteve sporteve. Madje, shumica e tyre deri në përkryerje. Qoftë edhe këta të vegjlit përreth. Bie fjala, Shqipërisë as i duket kund në horizont ndërtimi i një qendre sportive si ajo “Moraca” e Malit të Zi në Podgoricë, e cila, së fundi madje, pati fuqi të mirëpriste në mënyrën më moderne deri dhe Kampionatin Europian të Basketbollit apo Ligën Botërore të Notit. Dhe për të mos iu kthyer më këtij shembulli, kujtoj se Shqipëria ka mungesa të kuptimit të kulturës dhe misionit të sporteve të kohës së sotme, përderisa po ndërton vetëm objekte të një sporti të vetëm: stadiumet e futbollit, kur për shembull, vazhdon të jetë shteti i vetëm në Europë që nuk ka një pishinë të vërtetë olimpike të sporteve të notimit.

Ndërkohë, në Tiranë, mbas shkatërrimit panevojshëm, të paarsyeshëm, madje varfërues sa historikisht, po aq edhe të politikës së sportit e të ndërtimeve të tij, po ngrihet një tjetër stadium modern për futbollin. Pra, vetëm për futbollin dhe asgjë tjetër – çka do të thotë pa pistë atletike. Të cilën ia zhduku pa mëshirë, me sa duket për hir të një “gratacieli”, që nga ana arkitektonike e shtyp deri në skaj figurën e këtij stadiumi modern. E duke iu kthyer pistës atletike, sot e kësaj dite, Tirana me 1 milion banorë është i vetmi kryeqytet në Europë që nuk ka një pistë atletike. Ndonëse në stadiumin e saj u zhvillua Kampionati i parë Atletik në Europën e Mbasluftës. Ishte Kampionati Ballkanik i vitit 1946. Veç për këtë fakt sportiv monumental, jo vetëm për Shqipërinë, por për vetë historinë e atletikës së lehtë të Europës, kurrsesi nuk duhej prishur Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, për mbrojtjen e të cilit kam shkruar në kohën e duhur sa jam lodh edhe në faqet e kësaj gazete “Panorama”.

arena-kombetare

E pra? Këto ditë në Kukës u njoftua se Kukësit do t’iu ndërtoka një stadium i ri. Bukur megjithatë. Ndonëse kemi të bëjmë me një ndër qytetet më pak sportive të Shqipërisë. Përjashto ecurinë e bujshme të skuadrës së futbollit, e ndërtuar thuajse rrufeshëm me djem jo kuksianë, brenda pak viteve, duke mbërritur deri te titulli kampion dhe deri në paraqitjen më se dinjitoze në një edicion të Kupës së Europës. Në të vërtetë, Kukësi e ka stadiumin e tij, i cili ndonëse i vogël, për çudi assesi nuk mbushet me spektatorë. Është një veprim i drejtë që ky stadium i një qyteti me rreth 20.000 banorë, të modernizohet – çka është krejt e mundshme të realizohet, madje jo dhe me investime të mëdha.

E mendoj kështu këtë punë, sepse Kukësi nuk është as Durrës e as Vlorë, as Berat e as Fier a Lushnje, as Gjirokastër a Kavajë. Dhe jo thjesht për numrin e banorëve, por më parë se kjo, këto qytete janë disa herë më sportive e tradicionale, madje shumica e tyre disa herë edhe më multisportive. Aq më pak kur kujton se ky qytet tërheqës verior, nuk është Korçë – Kampioni i pandalshëm i Shqipërisë së sotme, një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, i një kulture të shumanshme, i një tradite të larmishme sportive e plot të tjera. E pra, a mund të pranojmë që përpara Korçës, të ndërtohet stadium i ri në Kukës?

Kur u vendos të ndërtohet stadiumi i Elbasanit, pa asnjë lloj kompleksi kam shkruar disi rreptë edhe në këtë gazetë, se nuk mund t’i ndërtohej Elbasanit stadiumi para Shkodrës. Sigurisht, nuk më dëgjoi askush. Ndonëse për fat, shumë shpejt, mbase edhe për synime “largpamëse” të një politike, mbas Elbasanit papritmas u rindërtua edhe stadiumi i Shkodrës. Nuk e kuptova sesi ndodhi. Nuk e kuptova as politikisht, as sportivisht, as strategjikisht, as të një taktike po politike – çka shumë shkodranë të mi, ma thoshin. Por këto nuk kanë rëndësi. Rëndësi ka megjithatë, se shumë shpejt mbas Elbasanit, edhe Shkodra u bë me stadium modern.

Atëherë? A kemi ne sot një politikë objektive, përsëmbari për ndërtimet sportive në Shqipërinë tonë? Apo këto ndërtime kaq pak sa janë bërë në vitet e të ashtuquajturës “demokraci”, janë bërë thjesht përmes të papriturave “populiste” qeveritare apo dhe të atij që quhet “volontarizëm” – term i hershëm filozofik, po që në botën e sotme moderne ka kuptimin e “veprimit të atij që kërkon t’i arrijë qëllimet e veta duke u bazuar vetëm në vullnetin e tij”.

Do të dëshiroja të pyesja Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve – prej njerëzve “sportivë” të së cilës thuajse kurrë nuk vërejmë të publikohen problematika të sporteve në Shqipëri, edhe pse për të cilët qeveritarisht ajo është përgjegjëse e plotë – nëse ka një plan afatshkurtër apo afatgjatë për ndërtimet sportive. Madje, nëse ka një studim kësisoj, thjesht në letër. Se për të thënë nëse ka një strategji, kjo kërkesë gati më duket e sofistikuar, utopike. Ndoshta ka vërtet. Por përse nuk e publikon? Përse nuk e trajton një herë të vetme në shtyp prej pendave që ajo duhet të ketë në përzgjedhjen e stafit të saj të sektorit përkatës?

Ndërkaq, më duket tepër e guximshme të mëtoj nëse ka Ministria një sektor të ndërtimeve sportive. Ndoshta ka. Po nëse ka, përse nuk i dëgjohet zëri, përse nuk ndihet, përse nuk ia njohim inxhinierin përkatës, që, për fatin “e keq”, krahasues Ministria e regjimit komunist e kishte të përhershëm? Madje, në këtë rol për vite të tana mbante atë, që e kishte përgatitur Regjimi i Zogut, të paharrueshmin profesor ing. Irfan Tërshana, i cili vuri dije, mund e djersë thuajse në gjithë stadiumet që u ndërtuan në Shqipëri mbas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, duket qartë që na mungojnë këta njerëz, sepse edhe përsa i përket sektorit sportive, në Ministri mbështeten ende tek emërimi i militantëve apo anëtarëve të partisë në pushtet.

E pakta, gjashtë qytete ndër më të mëdhenjtë, ndër më sportivët dhe ndër më futbollistikët në Shqipëri kanë stadiume të vjetër, të një kohe të shkuar, të drobitur tejet, që mezi plotësojnë kushtet moderne të kampionatit modest shqiptar të futbollit. Nuk ka stadium modern Korça, pra. Nuk ka stadium modern Vlora. Nuk ka stadium modern Durrësi. Nuk ka stadium përsëmbari Berati. Nuk ka stadium të merituar Kavaja futbollistike. Nuk ka stadium modern Gjirokastra. Nuk ka stadium modern Fieri. Nuk ka stadium modern as Lushnja, pra.

Gjithë këto “pra”!…

Janë qytete. Nuk janë fshatra. Janë qytete të traditave ndër më të pasurat të sporteve, të futbollit. Nuk ka rëndësi se sot një pjesë e tyre, për shkak të organizimeve frenuese të FSHF-së, pse jo, edhe të qeverisë e deri të shtetit të një kampionati me krejt pak skuadra (vetëm 10), i kanë degdisur disa prej tyre me në krye Vllazninë e KS Elbasanin, në Kategorinë e Dytë. Shumë keq! Ndonëse e kuptojmë që kjo është diçka e përkohshme, sepse patjetër që do të dalin shqiptarë të një ndjenje kombëtare atdhetare e moderne madje, që do t’i flakin tej këto organizime që pengojnë zhvillimin kontemporan të futbollit në Shqipëri. Patjetër që do të dalin.

Po për fat, tash për tash, Shqipëria duket se nuk ka një plan afatshkurtër apo afatgjatë për ndërtimin e objekteve sportive. Ka vetëm befasina, që dalin prej tribunave propagandistike kryeministrore a ministrore, quaje si të duash, që papritmas njoftojnë se “Elbasanit do t’i ndërtoj një stadium të ri”; “se edhe pse me vonesë, edhe Shkodrës po ia ‘fali’ stadiumin e ri; “se ‘Qemal Stafën’ do ta shkatërroj e do të ndërtoj një krejt të ri, pa pistë atletike, por me kullë qiellore”!

Ashtu si krejt papritmas, buçasin tribunat që thonë se “edhe Kukësit do t’ia ndërtoj stadiumin e ri”.

Këtu dalim te problemi i dytë i këtij shkrimi: cilët jeni ju që, papritmas, njoftoni se do t’i ndërtojmë stadium të ri këtij apo atij qyteti, kështu pa radhë nevojash e meritash? Aq më tepër që këto ndërtime kushtojnë miliona e ndoshta edhe miliarda – financa që nuk rrjedhin nga tribunat propagandistike, por prej një populli ende të varfër, po aq dhe të shtetit? Dhe, cili është studimi, plani që mund të na bindë se Kukësit duhet t’i ndërtohet stadium i ri para Korçës, Vlorës e Durrësit? Ose, a vërtet është më urgjent ndërtimi i një stadiumi të sipërpërmendur para ndërtimit të një pallati sporti të qytetit më basketbollistik a volejbollistik të Shqipërisë, siç është, bie fjala, Shkodra, që ende nuk e ka? Apo ndërtimi i një pishine të vërtetë olimpike noti për Durrësin, që i ka dhënë Shqipërisë kampionatin e parë kombëtar në këtë sport parësor olimpik?

Një qeveri apo një shtet nuk mund të punojë me befasina e me voluntarizëm. Pra, që unë do t’ua ndërtoj stadiumin, sepse unë e kam në dorë këtë punë. Po kujtoj këtu se për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe për ndërtimin e një të riu, duke shkatërruar këtë monument kulture, arriti puna që për këtë të bëhet edhe një ligj. Kësisoj, është vërtet koha që ndërtimet sportive në Shqipëri të disiplinohen përmes një ligji të një objektiviteti, të një mendimi meritash, të një radhe nevojash e domosdoshmërisë

Do ta mbyll duke iu kthyer vitit 1940, kur Italia Fashiste – pushtuese e Shqipërisë,- vendosi t’i ndërtojë stadiumin e parë Shqipërisë. Dhe këtë nuk e vendosi Benito Mussolini, duke e njoftuar me prepotencën e tij unikale nga ballkoni i Piazza Venezzia-s në Romë, por vetëm nëpërmjet një dekretligji të posaçëm të dhjetorit 1939, kur nënsekretari i shtetit, Zenone Bonini, paraqiti skemën për “Ndërtimin e terreneve sportive në Shqipëri”: Një dekretligj që fjalë për fjalë ishte ky:

Vittorio Emanuele III

Per grazia di Dio e per Volonta della Nazione

Re d’Italia e d’Albania, Imperatore d’Etiopia

Abbiamo decretato e decretiamo:

Art I

I progetti per la costruzione, l’acquisto, l’adattamento, di restauro e le modifiche degli impianti sportivi…”

(“Viktor Emanueli III. Falë Zotit dhe Vullnetit të Kombit, ne, Mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë, Perandor i Etiopisë, kemi dekretuar dhe dekretojmë: Art I: Projekte për ndërtimin, përmirësimin, përshtatjen, restaurimin dhe rregullimin e ndërtimeve sportive…”).

Po në Shqipërinë e sotme?

Ndoshta me ligj, pra, jo me voluntarizëm, që në shqip nënkupton veprimin e atij që kërkon t’i arrijë qëllimet e veta, duke u bazuar vetëm në vullnetin e tij.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"