ANALIZA/ Seria A në kohë COVID-i, të mëdhatë driblojnë virusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 22:26

ANALIZA/ Seria A në kohë COVID-i, të mëdhatë driblojnë virusin

Do të kujtohet si titulli i COVID-it, akoma më shumë se ai që më 2 gusht iu dorëzua Juves së Sarrit. Seria A 2020-’21 është e destinuar të kushtëzohet nga virusi më shumë se edicioni i mëparshëm që, vërtet, u detyrua në një ndalesë të gjatë që urojmë të mos përjetohet më, por më pas nga pikëpamja e infektimit u godit shumë pak. Efekti më i dukshëm i COVID-it në sezonin 2019- ’20 ishte përfundimi në verë të plotë dhe mbingarkesa e kalendarit. Tashmë situata është ndryshe: në 74 ditët e kaluara nga 19 shtatori, ka pasur 107 futbollistë pozitivë (plus të tjerë që u bllokuan gjatë fazës përgatitore) dhe 239 të padisponueshëm mes ndeshjeve të kampionatit dhe Kupave Europiane.

seria a

Vetëm Bolonja nuk ka pasur raste infektimi në nivel lojtarësh, por virusi megjithatë hyri në skuadër duke goditur trajnerin Mihajloviç. Rekordi i trishtueshëm i rasteve pozitive është i Xhenoas (plot 18), por për shkak të angazhimeve në Champions të Interit, janë zikaltrit skuadra që ka grumbulluar më shumë mungesa për shkak të virusit: plot 28. Roma ka luajtur numrin më të madh të ndeshjeve me së paku një futbollist të padisponueshëm prej tamponit pozitiv (plot 11: 7 në Serinë A dhe 4 në Ligën e Europës), por duke u limituar në kampionat rekordi i trishtë është i Sasuolos, që në të gjitha javët ka pasur së paku një rast pozitiv. Është mjaft interesant fakti që Juve-Napoli e 3-0 në tavolinë ka përfshirë dy klube jo veçanërisht të goditura: Pirlo humbi thuajse njëherësh Ronaldon dhe MekKenin, Gatuzos deri tani i është dashur të heqë dorë vetëm nga katër elementë. Ndërsa Lacios i kanë munguar shumë titullarë: Imobile, Strakosha, Luis Alberto, Milinkoviç-Saviç, Leiva, Laxari.

HAKIMI, FALS POZITIV – Dikush ka qëndruar pozitiv për një muaj e gjysmë (Boga: nga 20 gushti më 5 tetor) dhe dikush vetëm disa net (Hakimi: i ndalur nga tamponi i UEFA-s më 21 tetor, por më 23 u zbulua se ishte një fals pozitiv, fakt që e bëri megjithatë të mungojë sfidën e parë me Borusian). Pelji ndodhet larg Boljaskos rreth 30 kilometra, më pak në vijë ajrore, por duken dy kontinente të ndryshme: “vatër” te Xhenoa, ndërkohë Sampdorias i është dashur të shqetësohet vetëm për Keitanë. Te Kaljari u prekën Godin, Nandez, Simeone dhe Pereiro. Protokolli i rreptë i studiuar për të garantuar zhvillimin e kampionatit, megjithatë, po e kryen mirë detyrën.

NGA IBRA TE CR7 – Përtej statistikave, mbetet fakti që ky kampionat është shumë i bukur, i pasigurt, interesant, siç nuk ndodhte prej kohësh. Milani ka ditur të fitojë edhe pa Ibrën, ndërsa Juvja pa Ronaldon barazoi kundër Krotones dhe Veronës. Nëse linja e infektimeve në Serinë A do të mbetet kjo, do të mund të flitet për kampionat të kuzhtëzuar, por me siguri jo të trukuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"