ANALIZA/ Rast unik në Europë, Liga më e balancuar e 20 viteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2018 | 22:02

ANALIZA/ Rast unik në Europë, Liga më e balancuar e 20 viteve

Kishte kaluar një kohë e gjatë nga koha kur nuk përjetohej një La Liga kaq shumë emocionuese, si kjo aktualja. Pas 12 javëve të luajtura të kampionatit janë 6 ekipe që kanë diferencë vetëm 4 pikë. Nga 24 të Barcelonës deri te 20 të Realit të Madridit. Nga vendi i parë deri në të gjashtin. Mes tyre gjenden Sevija, Atletiko e Madridit, Alaveshi dhe Espanjoli. Barazia është e dukshme, aq sa çdo skuadër nga momenti në moment mund të marrë kreun e klasifikimit. Kjo situatë e ka bërë kompeticionin mjaft të bukur dhe interesant.

Diçka e tillë nuk ndodhte prej shumë vitesh, ku ekipi i parë dhe i gjashtë janë 4 pikë. Më parë, diferencat kanë qenë 9 pikë ose më shumë. Mjafton një shembull: Vitin e kaluar diferencat ishin 13 pikë. Kampionatet që fitoheshin me 100 pikë janë pjesë e historisë… për momentin. Por, emocionet e mëdha nuk janë vetëm në klasifikim, janë edhe në ndeshje. Shumë prej tyre kanë nuanca “thrilleri”, ashtu siç ndodhi këtë fundjavë në “Vanda Metropolitano” me golin e Godinit. Deri në këto momente janë shënuar 29 gola, duke filluar nga minuta e 89-të e ndeshjeve, 16 prej tyre vendimtarë për rezultatin final.

betirs

HISTORIA- Për të gjetur një La Liga me kaq pak diferenca sa kjo aktualja duhet të rikthehemi në sezonin 1998-1999. Në atë sezon kishte 7 ekipe që kishin diferencë vetëm 3 pikë pas 12 javësh të luajtura. Majorka e Hektor Kuperit ishte e para me 22 pikë, ndërsa Barcelona Valencia dhe Zaragoza që e mbyllnin renditjen e shtatë të parave kishin 19. Në atë vit, Barcelona doli kampione, por humbi 7 ndeshje.

UNIKE NË EUROPË- Këtë sezon kemi parë që ekipet që konsiderohen më inferiore, kanë qenë të afta për të shkaktuar probleme për ekipet e mëdha. Askush nuk ka besim se mund të marrë 3 pikët lehtësisht ndaj tjetrit. Barcelona e vitit të kaluar humbi vetëm 1 ndeshje, ndërsa këtë sezon ka humbur 2. Nga 5 kampionatet më të mëdha të kontinentit, ajo spanjolle është më e ekuilibruara. Në Bundesligë, pas 11 javësh, ekipi kampion është Dortmundi me 27 pikë, 8 më shumë se Hofenhaimi i vendit të gjashtë.

Në Premier Ligë, Siti ka 32 pikë, 12 më shumë se Bornmëthi. Diferenca është shumë më e madhe në Itali, ku Juventusi udhëheq kampionatin me 34 pikë, ndërsa vendi i gjashtë ka 14 më pak. E njëjta histori edhe në kampionatin francez, ku PSG-ja nuk ka rivalë dhe duket se do ta fitojë me mjaft lehtësi kupën. Në Spanjë nuk e themi dot me bindje, edhe pse ata që do të luftojnë deri në fund janë vetëm 3: Barcelona, Real dhe Atletiko. Për momentin nuk ka asgjë të sigurt…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"