ANALIZA/ Rama, Duka dhe politika me futbollin, ja çfarë “kërcet” sot në debatin FSHF-qeveri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 12:13

ANALIZA/ Rama, Duka dhe politika me futbollin, ja çfarë “kërcet” sot në debatin FSHF-qeveri

Debati për ndryshimin e një apo disa ligjeve në të mirë të sportit, për fat të keq, është zhvendosur në një debat nëse klubet sportive dhe Liga po e përdorin politikisht këtë gjë apo jo. Për t’i thjeshtuar pak gjërat dhe për të mbetur te thelbi i problemit, duhet të përsërisim me forcë që këto janë të pashmangshme dhe të nevojshme sepse bëhet fjalë për një sport që është në grahmat e fundit. Nuk është vetëm futbolli, pavarësisht se sot FSHF ka marrë “flamurin” e ndryshimeve bashkë me Ligën. Kërkesat janë të nevojshme. Pastaj, se në ç’masë miratohen, se si mund të zgjidhet dhe si mund të gjendet rruga e ndërmjetme, kjo është për t’u diskutuar.

Duka dhe Rama

Në këtë pikë, qeveria ka të drejtë. Pse? Sepse sporti, dhe futbolli veçanërisht sot janë në hall dhe kanë një problem madhor. Qeveria, pasi ka bërë ndryshimet e veta ligjore që i janë dukur të arsyeshme dhe të realizueshme, i fton duke u thënë: “Ejani të diskutojmë”. Refuzimi që bën Liga, duke gjetur kleçka teknike, duke thënë: “Ne s’duam sepse është nivel teknik”, “E duam takimin te stadiumi dhe jo në Ministrinë e Financave”, “Na i ka premtuar kryeministri atëherë dhe pse nuk po bëhen tani”, këto refuzime nuk janë normale, të logjikshme.

Mund edhe të mos zgjidhet asnjë kërkesë dhe problem i sportit, ama përgjigjja ndaj ftesës për diskutime duhet gjithsesi të jetë pozitive, meqë sporti po kërkon, meqë sporti është në hall dhe meqë sporti është në krizë. Edhe pse, në tërësi, ky është gjithashtu një hall edhe i shtetit…

Në një tjetër pikë, duke e parë nga jashtë, ministria ka të drejtë te mostatimi i sportistëve. Federata nuk mund të jetë kaq e ngurtë dhe s’mund të vërë ultimatume që duam patjetër dhjetë vite mostatim. Me gjithë respektin, jo vetëm për futbollistët që do të paguhen nga 10 apo 15 mijë euro, por edhe për ata që do të marrin një rrogë mësuesi, një rrogë polici apo një rrogë infermieri e doktori nuk janë më të rëndësishëm sesa të gjithë këto kategori profesionesh që listuam. Sigurisht, ndaj tyre mund të bëhet një tolerancë siç është pranuar nga ministria me 2 vite. Mbase, edhe 3. Por 10 vjet, ndoshta është e ekzagjeruar. Po ku çalon pjesa e qeverisë?

Kryeministri bashkë me Fidel Yllin kanë të drejtë kur thonë që “futbollistët trajtohen si fasonë, si skllevër, ka evazion fiskal” etj. Kanë të drejtë edhe për dhunën, stadiumet bosh dhe fenomene të tjera, por ata nuk mund të flasin sikur kanë ardhur dje në pushtet. Nuk shkon. Nëse të gjitha këto kanë ndodhur, kanë ndodhur nën qeverisjen e kësaj mazhorance për këto 7 vite. Sigurisht që nuk është përgjegjësi e kësaj qeverie për gjendjen sot, pasi vjen dekadë pas dekade, por në këtë moment që është hapur ky debat, kanë përgjegjësitë e tyre.

Së dyti, qeveria i ka sot të gjitha elementet. Nuk mund të thonë që ka evazion, futbolli është ky që është prej Dukës etj… Jo! Futbolli është ky, edhe pse mbi 40 klube të varura nga pushteti vendor janë bashki të majta sot, pa harruar problemin e trashëguar në dekada.

armand duka edi rama

Së treti, qeveria dhe deputeti Ylli kanë të drejtë kur thonë që nuk duhet të japin më lekë nga taksapaguesit bashkitë për rrogat e futbollistëve. Por, për të ndodhur ky proces i kalimit nga bashkitë që gllabërojnë lekë taksash nga qytetarët, te një klub privat, një biznes të pastër, shteti duhet të gjejë formën e duhur në bashkëpunim me federatën, që fillimisht të bëhet transformimi e pastaj të shkëputesh. Pra, privatizim, kalimi në duart e një biznesmeni që edhe mund të falimentojë sepse kjo çështje s’ka garanci, pastaj të thuhet që nuk ka më asnjë lekë nga taksat. Pasi është bërë ligji për sponsorizimin, është nxitur privatizimi i klubeve dhe të gjitha me radhë… Kjo, pasi transformimi duhet ta paraprijë këtë vendim të qeverisë për të mos përkthyer taksat në rroga lojtarësh, pasi e ka për detyrë transformimin dhe e ka për detyrë kujdesin për sportin.

Së katërti, në gjithë këtë debat dhe përplasje, nëse fajin e ka Duka, Kokëdhima, X-i, apo Y-i, qeveria i ka të gjitha mundësitë që të gjejë një rrugë të ndërmjetme. Sot, më shumë se kurdoherë tjetër, edhe sepse ka një mazhorancë super të fuqishme që mund të votojë çdo ligj. Ka mundësinë që duke parë gjendjen e sportit, ndoshta nuk plotësohen 100% kërkesat e futbollit, por të bëjë një ndryshim radikal. Reformë të mirëfilltë që mund të ndikojë në përmbysjen e situatës në sport. Si? Një shembull edhe duke kopjuar ligjin e Kosovës, jo vetëm për 30%-shin. Së pesti, fasha është shumë selektive, e ngushtë. Vetëm biznesmenët që kanë mbi 1 miliard lekë (të vjetër) fitime të deklaruara në vit, mund të përzgjidhen apo si të thuash vetëm ata mund të investojnë në sport. Anashkalon klubet e vogla apo sportet e tjera. Thënë shqip, një klub volejbolli, në një qytet të caktuar të Shqipërisë, nuk mund të shkojë biznesmeni me fitime të tilla që të investojë atje. Në këmbim, s’do të merrte asnjë impakt financiar dhe mediatik…

Në fund, pasi të jetë shtruar rruga e sportit që të futet në binarët e duhur të biznesit, qeveria ka të drejtë që të kërkojë bilance për klubet. Të kërkojë llogari ndaj FSHF-së pse i regjistron klubet e falimentuara. T’i kërkojë llogari asaj pse Shqipëria bëhet me klubin më të dënuar në planet për trukimet. Dikush ndoshta duhet t’i kërkojë llogari qeverisë, meqë ankohemi për varfëri ekstreme në futboll, për klube të falimentuara, i jep mijëra metra katrorë për FSHF-në dhe zhduk një klub sportiv shumësportësh, një nga emblemat e sportit shqiptar dhe vendos aty federatën. Po federata, ka përgjegjësi për zhdukjen e Dinamos? Por, këto bëhen më vonë. Tani emergjenca akute është që të ndryshojë kjo gjë.

ANALIZË E “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"