ANALIZA/ Quajeni zona “Milan”, minutat kur kuqezinjtë humbin… ndjenjat

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 20:17

Bota Seria A Të fundit

ANALIZA/ Quajeni zona “Milan”, minutat kur kuqezinjtë humbin… ndjenjat

Thonë se vesi vdes me njeriun. Këtë herë mund të themi me “Djallin”. Për Milanin, 30 minutat e fundit të ndeshjeve po shndërrohen në një makth të vërtetë, aq sa fare mirë mund ta quajmë zona “Milan”. 

milan

Kuqezinjtë kanë pësuar 16 gola në kampionat dhe dhjetë prej tyre kanë ardhur pikërisht në gjysmorëshin e fundit të ndeshjeve. Ata që e ndjekin rregullisht skuadrën nuk do të kishin problem ta cilësonin si problem që ka lidhje me rezistencën atletike, megjithatë shumë syresh e dinë se nuk është plotësisht kështu.

Termi “rezistencë” është aktual, por që duhet lidhur me atë mendore e ndonjëherë me aspektin taktik. Të dielën pas ndeshjes Romanjoli deklaronte: “Ata u afruan me shumë lehtësi pranë zonës sonë dhe unë isha shumë i avancuar. U mundova të ndërhyja, por Paulo u tregua i zoti, duke më dribluar dhe duke gjetur këndin e duhur për të shënuar”. Fjalët e kapitenit mund të interpretohen fare mirë: “Figurën e shëmtuar e bëra unë, pasi Dibala më dribloi, por faza mbrojtëse nuk funksionoi si duhet në atë rast, sepse nuk duhet të isha ndodhur i vetëm përballë sulmuesit rival”.

milan

PIKË TË LËNA – Në golin e Juves kronometri shënonte minutën e 77-të dhe mund të thuhet se ishte plotësisht brenda zonës “Milan”. Është një kohë kur kuqezinjtë nuhasin fundin e takimit dhe nisin të vuajnë në menaxhimin e situatave, të topit, madje edhe tensionit. Lista e ekipeve që kanë përfituar nga “të fiktët” e kuqezinjve është e gjatë. Udineze (Bekao 72′), Inter (Lukaku 78′), Torino (Beloti 72′ e 76′), Fiorentina (Kastrovili 66′ e Riberi 78′), Leçe (Babakar 62′ e Kalderoni 92′), Lacio (Korrea 83′) dhe së fundmi, Juvja, me Dibalën në të 77-ën.

Rezistenca mendore e kuqezinjve kërkon ndërhyrjen e një psikologu, rolin e të cilit po mundohet ta bëjë Pioli që po përpiqet të ndërgjegjësojë të tijtë. Ajo e së dielës është ndeshja tipike që nuk i bën mirë klasifikimit, por mund të hyjë në punë për moralin, aq më tepër që “Djalli” nuk luajti keq ndaj kryesueses së Serisë A. Meqë ra fjala te renditja, vështirë që kuqezinjtë të mos e shohin, edhe sikur të mos duan, sepse trajneri Pioli premtoi se do ta varë në çdo mur të “Milanello”-s. Psikologji e thjeshtë dhe aspak e rafinuar, por kushedi, mbase rezulton efektive.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com