ANALIZA/ Propagandë dhe kunja nga Rama me Dukën, Infantino u kujton trukimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 21:19

ANALIZA/ Propagandë dhe kunja nga Rama me Dukën, Infantino u kujton trukimet

Ceremonia e përurimit të zyrave dhe fushave të reja të FSHF-së, e quajtur “Shtëpia e futbollit” ku morën pjesë Infantino, Rama dhe Duka ishte disi e pazakontë. Jo vetëm sepse kishte marrë përmasat e inaugurimeve me dozë të lartë propagande që na ka mësuar qeveria, por sepse secili nga “udhëheqësit” e shfrytëzoi sipas interesit të vet, ku nuk munguan edhe thumbimet e kryeministrit dhe kreut të FSHF-së mes njëri-tjetrit. Aty ishin edhe legjenda të futbollit si Musta, Demollari, Starova etj, por asnjë nuk pati mundësinë ose guximin të thoshte se shtëpia futbollit ku po shkëmbehen shishe vere dhe po flitet për miliona, është ndërtuar mbi “eshtrat” e një klubi historik: Dinamos 18 herë kampione të Shqipërisë.

rama infantino duka kushi

Replikat nisën me Dukën…

Rama e etiketoi dy herë Dukën si “liderin suprem të epokës në Europë” dhe disa herë i tha Infantinos me të qeshur se gjithçka rrotullohet rreth tij në futboll, madje edhe VAR-i kontrollohet nga ai. Replikoi edhe Duka, që e konsideroi qeverinë koprace. Por vetëm kaq, sepse pjesa tjetër ishte propogandë e pastër e një vendi që duhet të kënaqet me zyrat e reja të federatës, ndërkohë që Kombëtaret, kampionatet dhe infrastrukturën për të rinjtë dhe besueshmërinë në futboll e ka ku thërret qameti.

…i vazhdoi Infantino…

Gojëmbël dhe me një buzëqeshje të stampuar, Infatinon nuk e ndaloi as fanella me numrin 10 që i dhuroi Duka dhe as verërat me etiketë speciale që i dha Rama, që t’u kujtonte të dyve se Shqipëria ka pasur probleme serioze me bastet. Vite më parë ai i konsideronte klubet shqiptare që trukonin ndeshje si kanceri i futbollit. Ua kujtoi edhe dje trukimet. Duka heshti. Rama, që nuk e kuptoi mirë, ose bëri sikur nuk e kuptoi, përfitoi për të treguar edhe një herë përrallën e mbylljes së basteve dhe rihapjen e tyre vetëm online, sipas të cilit do t’i shërbejë edhe sportit. Mbase duhet të jetë rast unik që hapja e basteve u duartrokit jo vetëm nga presidenti i FSHF-së, por edhe nga presidenti i FIFA-s.

bandicam 2022-09-29 18-59-50-280

…e përfundon Rama.

Folën gjatë të gjithë dhe në një pikë më i sinqerti ishte Rama kur iu kujtoi të pranishmëve, përfshi edhe Infantinos, se kreu i FIFA-s ndodhej aty për fushatë, sepse mbahen zgjedhjet e FIFA-s më 23 mars të vitit 2023. “Unë e di ti ke zgjedhjet në mars dhe shpresoj që në prill të na sjellësh milionat që ke premtuar për fushat e futbollit. Ti vendos milionat dhe ne disa mijëra, kështu ndihmojmë futbollin…”. Përpara dhe pas kësaj kryeministri nuk kurseu kunjat ndaj Dukës, duke i kujtuar atij se është rreshtuar me opozitën, kundërshtitë që kanë pasur, madje edhe fanellën që dikur i dhuronte Lulzim Bashës para zgjedhjeve politike në prillin e vitit që shkoi. “Qeveria nuk ka bërë asgjë sipas këtyre presidentëve të klubeve dhe presidentit të federatës, të gjitha i bën ky (Duka). Ata nuk e votojnë qeverinë, por nuk ka problem, jemi mjaftueshëm të fortë sa për bashkëpunuar në të mirë të futbollit. Kur kombëtarja fiton ky ua jep fanellat atyre (opozitës), ndërsa kur humbet na i jep ne”, deklaroi ndër të tjera Rama. Përpara se të merrte fjalën, kryeministri e kishte etiketuar presidentin e FSHF-së si “liderin suprem të epokës në Europë” si për t’i kujtuar se ka 20 vite që drejton institucionin e futbollit.

Rama foli gjatë gjithë kohës italisht, rrjedhshëm për hir të së vërtetës, por dikush duhet t’i kujtojë se nuk ishte ne Romë, por në Tiranë dhe mirë është të flasë shqip. Ah po, të gjithë kishin rënë dakord që të mos kishte gazetarë, të cilët mund ta prishin atmosferën me ndonjë pyetje: sa fusha futbolli janë shtuar për të rinjtë? Si jemi në raport me rajonin? Pse sa më shumë impiante të reja ndërtojmë, aq më pak tifozë ka në stadium? Pse qeveria nuk miraton ligjin e sponsorizimit si në Kosovë? Etj…

PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"