Analiza/ Presing, kurajë dhe lojë ofensive, kështu Italia tremb rivalet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2019 | 23:32

Analiza/ Presing, kurajë dhe lojë ofensive, kështu Italia tremb rivalet

Ringjallet Italia dhe Roberto Mançini e ka “gllabëruar” objektivin e parë: “Europianin 2020”. Biletën për në turneun e verës së ardhshme kombëtarja e preu në stadiumin “Olimpiko” të Romës, pikërisht aty ku në 12 qershorin e ardhshëm do të inaugurojë edicionin e parë “shumëkombësh” (“Euro 2020” do të luhet në disa kryeqytete të ndryshme të kontinentit të vjetër) të kompeticionit europian për kombëtare dhe e bëri këtë duke kompletuar një udhëtim totalisht perfekt, ku njohu vetëm fitore.

italia

Fakti që Italia bënte pjesë në një grup i cili nuk është se përmbante kundërshtarë të pathyeshëm, e shpejtoi detyrën, por kuraja për të vënë në skenë një ide ndryshe të ideologjisë italiane të futbollit, pas një aventure gjithashtu jo të bukur në Ligën e Kombeve, dha frytet e veta. Kjo Itali bind, shënon dhe nuk i lejon asnjë kundërshtari që të shënojë lehtësisht (vetëm 3 gola të pësuar). Shkurt, një sukses absolut në të gjitha aspektet.

RIKTHIM NGA TERRI

Pas fundit që preku kundër Suedinë në vitin 2017 nuk ishte aspak e lehtë, edhe thjesht ta mendoje se kjo kombëtare mund të kthehej nga “bota e të vdekurve”, të kthehej kaq shpejt në sipërfaqe nuk ishte aspak e lehtë. Roberto Mançini mori në dorë një përfaqësuese që kishte prekur limitet e saj historike, me probleme të shumta dhe të ndryshme në të gjitha repartet.

Gjithsesi, gjenialiteti i Mançinit ishte që të rinovonte gjithçka, duke u besuar verbërisht të rinjve, shumë prej të cilëve me zero apo me fare pak prezenca në kombëtare, por duke propozuar një stil loje kurajoz, ofensiv, të përshtatur jo në varësi të ideve të tij, por në varësi të karakteristikave të secilit prej lojtarëve që i dha besim.

Trajneri nuk dënoi askënd, pavarësisht ndonjë gabimi fillestar, por falë edhe tre senatorëve si Kielini, Bonuçi, Verrati e Insinje arriti të ngrejë një strukturë falë së cilës arritën 10 fitore në 16 dalje, numra këto që e shohin “Mançon” vetëm pas Viçinit dhe Trapatonit. Zgjedhja e ish-lacialit për të besuar te freskia e të rinjve ishte sa e rrezikshme, por aq edhe frytdhënëse, sepse kjo Itali, përveç dozës së lartë të teknikës dhe shpejtësisë, sidomos me lojtarë si Kieza, Insinje, Zhorzhinjo apo edhe Barela e Sensi (i dëmtuar para Greqisë) ofrojnë jo vetëm saktësi, por edhe një presing mbytës, shumë pranë portës rivale.

Për më shumë, në këtë Itali të re shënohet edhe shumë, por në të njëjtën kohë shënojnë të gjithë, sepse 20 realizimet në 7 ndeshje eliminatore përbëjnë gjithashtu një rekord historik. Dhe pikërisht falë këtyre shifrave, këtij talenti të madh që ka në dispozicion dhe shumë paraqitjeve spektakolare, jo vetëm Roberto Mançini ka indicie më konkrete në pritje të “Euro 2020”, por edhe kundërshtarët kanë mbajtur shënime, pasi kjo Itali e re është rikthyer vërtet që të trembë kundërshtarët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"