ANALIZA/ Presing i gabuar dhe mbrojtje e thyeshme, ja çfarë solli eliminimi në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2021 | 21:46

ANALIZA/ Presing i gabuar dhe mbrojtje e thyeshme, ja çfarë solli eliminimi në Kupë

Bajerni i Mynihut vazhdon të shfaqë probleme në fushën e lojës. Pas humbjes në kampionat ndaj Gladbahun, të mërkurën erdhi edhe një tjetër ndeshje për t’u harruar nga kampionët në fuqi.

https___s3-images.sportbible.com_s3_content_c052ec545fffc91ce4bd16094cd69064

Barazimi 2-2 ndaj Kielit e më pas eliminimi nga goditja e penalltive nxori sërish zbuluar skuadrën e Hansi Flikut. “Sky” ka analizuar gabimet në ndeshjen e Kupës duke ngritur alarmin në kampion bavarez, sezoni është në rrezik.

1.MENTALITETI

Në sezonin e kaluar, Hansi Flik u ngrit në qiellin e shtatë pikërisht se kishte implementuar në skuadrën e Bajernit një mentalitet fitues. Loja e bukur u shoqërua me rezultate të mira. Skuadra luftonte për çdo top dhe në fund fitorja ishte gjithmonë në anën e Bajernit. Ndaj Gladbahut dhe Kielit, lojtarët shpërdoruan me lehtësi avantazhin duke i lejuar kundërshtarët t’i afroheshin lehtësisht zonës së Nojerit. Duket se mentaliteti fitues ka shteruar dhe skuadra ka nevojë për orientim ndryshe nga trajneri.

2.MBROJTJA

Një temë bisede në çdo emision televiziv. Që Bajerni vuan në prapavijë, ky nuk është një sekret. Skuadra pëson shumë edhe ndaj skuadrave të Bundesligës së Dytë. Zyle, Boateng, Hernandez dhe Pavar janë nën akuzë. Rreshtimi i gabuar në momente kur loja është në gjysmëfushën e kundërshtarit ka çuar në një dështim kolektiv.

Goli i hosten kiel

Edhe pse kualiteti në prapavijë nuk mungon, duket se taktikat e përdorura nga trajneri 55-vjeçar janë kuptuar nga kundërshtarët të cilët tani po tregohen të pamëshirshëm. Ajo që bie në sy, edhe në foton e ilustruar më poshtë, është gabimi në presing. Tre lojtarë të Bajernit, të rreshtuar në vijë të drejtë, shkojnë menjëherë për të bërë presing te një lojtar i vetëm, duke lënë një hapësirë të madhe prapa. Kjo nuk ishte parë në asnjë ndeshje gjatë këtyre dy sezoneve.

3.MOTIVIMI

“Skuadra luftoi deri në fund dhe nuk u dorëzua”, ishin fjalët e trajnerit Hansi Flik. Gjermani mohoi mungesën e motivimit të ekipit të tij në ndeshjet e para të janarit. Vjet, në këtë kohë ishte një Bajern tjetër, i motivuar, i gatshëm për të mundur këdo dhe kjo dukej edhe nga deklaratat e futbollistëve. Tani kjo ka ndryshuar. Bëhet fjalë për lojtarë të cilët fituan gjithçka në sezonin e fundit, madje ka edhe nga ata që kanë fituar nga dy herë gjithçka me fanellën e Bajernit. Lojtarët kanë nevojë për stimuj, arsye për të fituar. Sigurisht që mungesa e tifozëve ka ndikimin e vet.

Ndeshjet janë bërë të vakëta dhe impulsi që vinte nga tribuna mungon, edhe pse ky është një problem i përgjithshëm në kohën kur futbolli është pushtuar nga pandemia globale. Ka ardhur koha që lojtarët të marrin përgjegjësitë e tyre, zëri i drejtuesve të rëndësishëm duhet të dëgjohet. Gjithmonë kur ata flasin. Por, deri tani askush nuk është prononcuar për dy ndeshjet e ardhshme. Skuadra duhet të zgjohet tani sa nuk është ende vonë për të çuar dëm një sezon të tërë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"