ANALIZA/ Pikëpyetjet taktike të Skalonit për Holandën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 23:58

ANALIZA/ Pikëpyetjet taktike të Skalonit për Holandën

Për Lionel Skalonin, topi është dielli dhe gjithçka rrotullohet rreth tij. Bazuar në këtë parim e ka ndërtuar gjithmonë trajneri lojën e tij me kombëtaren argjentinase, një tipar identifikues i bardhekaltërve.

SKALONI

E sigurisht që mbi këtë bazë ka ndërtuar edhe të gjitha skemat e tij për të dërguar në objektivin final: fitoren e një ndeshjeje. Në këtë Botëror nuk ia ka dalë gjithmonë ta bëjë këtë dhe jo më kot u detyrua të ndryshonte modulin nga sfida e parë.

4-2-4 ndaj Arabisë Saudite – Në debutim trajneri ndryshoi skemën e zakonshme (4-3-1-2) për të përfituar nga linja e lartë mbrojtëse e rivalit. Bardhekaltrit patën mungesë lëvizshmërie dhe askush nga rreshti i dytë nuk ishte i aftë të depërtonte në boshllëk në atë masë saqë sulmuesit ranë në grackën e pozicionit jashtë loje.

4-3-1-2 dhe 5-2-3 ndaj Meksikës – Rikthim në bazë në fillim me Meksikën, por 5-3-2 i Tata Martinos e detyroi Skalonin të ndryshonte në mes të lojës. Skaloni në vazhdim krijoi një linjë të mirëpërcaktuar me pesë mbrapa, që rezultoi kyçe për Enzo Fernandezin, tashmë i pozicionuar si mesfushor qendror për të pasur më shumë liri për të shkuar në sulm dhe për të rritur prekjen e topit.

4-3-1-2 në 4-4-2 kundër Polonisë – Kundër Polonisë “Skaloneta” filloi me 4-3-1-2-shin tradicional, por e keqja e këtij sistemi ishte se Fernandez, një specialist në shfrytëzimin e hapësirave midis linjave, detyrohej të luante më i tërhequr.

Ai që përfitoi nga fakti që vija e fundit e Polonisë u zhyt thellë brenda zonës së tyre të penalltisë për t’u mbrojtur ishte Mek Alister, që gjeti edhe golin. Por ndryshimi në 4-4-2, i dha efektet menjëherë te numri i pasimeve dhe loja më e rrjedhshme që solli golin e Alvarezit.

4-3-1-2 dhe 4-4-2 kundër Australisë – Kur funksionoi një herë, pse jo përsëri? Gomezi në vend të Di Marias së dëmtuar ishte i vetmi ndryshim, duke pasur parasysh edhe mungesën e thellësisë së kundërshtarit.

Po Holanda? – Luis van Gal përdor 3-4-1-2 në këtë Botëror. Ky bëhet 5-3-2 klasik kur ai duhet të mbrohet. Një ekip praktik, pragmatik, larg Holandës romantike të kohëve të tjera. Lionel Skaloni e di se edhe në këtë rast duhet të gjejë përshtatjen. Në 4-3-1-2, Fernandez duket i paaftë t’i japë kombëtares virtytin e tij më të madh: depërtimin, ndërsa 5-3-2 është një sistem që u jep anësorëve një rol më të madh. Nga ana tjetër, kjo skemë dobëson lojën e brendshme që e karakterizon prej kohësh këtë përfaqësuese.

Në prapavijë idealja do të ishte një anësor me karakteristikat e një mbrojtësi për të bërë një ndeshje 3 kundër 2 me Kutin dhe Otamendin kundër Depait dhe Gakpos. Përtej emrave në dërrasën e zezë për secilin funksion, një nga gjërat më të rëndësishme do të jetë presioni për të mos lejuar daljen e rivalëve që një ndër pikat më të forta të tyre kanë sulmimin e hapësirave.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"