ANALIZA/ Pesë “ekuacione” për derbin, Gatuzo studion goditjen e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 21:42

ANALIZA/ Pesë “ekuacione” për derbin, Gatuzo studion goditjen e madhe

Pak ditë më parë Maldini deklaronte: “Gatuzo është shumë më i qetë nga sa duket dhe vetëm ndaj ndeshjeve shoh tek ai gjurmë të Rinos futbollist”. Fakti që Paolo dëshiron të “fshijë” klishenë, sipas së cilës Gatuzo është vetëm grintë, është i dukshëm, por vështirë të mendosh se me derbin në horizont, dikush si Gatuzo të jetë i qetë brenda qendrës stërvitore të “Milanello”-s. Pikërisht ndeshja e së dielës ndaj Interit përbën provimin e madh për teknikun kuqezi, ndaj në pesë pika, “La Gazzetta dello Sport” është munduar të “zbërthejë” momentin e Milanit.

gatuzo

RIGJALLËRIM – Kuqezinjtë po kalojnë një periudhë pozitive dhe për sa i përket kontributit, në apel mungon vetëm Hakan Çlahanoglu. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë kanë lënë shenjë: Higuain vazhdon të shënojë, Kutrone po konfirmohet, Suso prodhon asiste, ndërsa edhe Kastijeho, megjithëse shpesh i rrëmujshëm, ka mundur të dërgojë topin në rrjetë. Siç thamë, mungon turku, rënia e formës të së cilit nisi pikërisht në ndalesën e shtatorit për ndeshjet e kombëtareve. Te Milani shpresojnë që këtë herë oguri të jetë i mirë dhe fantazisti të ketë rigjetur “të djathtën”, për veten, por edhe për Higuainin.

TË RIAFTËSUARIT – Nuk parashikohen problem, por njëkohësisht nuk duhet shmangur fakti që Alesio Romanjoli dhe Patrik Kutrone iu bashkuan dhe larguan Italisë brenda pak orësh për arsye dëmtimesh. Sulmuesi ka ende probleme në kavilje, ndërsa kofsha e mbrojtësit imponon kujdesin e duhur. Kutrone bashkëjeton me shqetësimin prej një muaji, ndërsa kapiteni ka nevojë për kohë, por parashikimet janë pozitive me dyshen që pritet të jetë gati për derbin.

MENAXHIM – Duke lënë mënjanë Kutronen dhe Romanjolin, Milani u ka dhënë kombëtareve të ndryshme 11 lojtarë, nga të cilët gjashtë parashikohen titullarë në derbi: Donaruma, Kalabria, Rodrigez, Suso, Bonaventura dhe Çalhanoglu. Gatuzos i duhet të programojë se pas Interit luan kundër Betisit, ndërsa në gjashtë ditët pasardhëse sfidon dy ekipet e Xhenovës.

KUNDËRMASAT – Mauro Ikardi është “makthi” kryesor për Milanin, një skuadër që shënon shumë, por edhe pëson po aq. Kapiteni zikaltër shqetëson jo vetëm mbrojtësit, por edhe Gatuzon, i cili e njeh mirë problemin e të tijve. Megjithëse nuk mungon cilësia, mbrojta kuqezi këtë vit ka mundur vetëm në një rast të mbyllë ndeshjen pa u ndëshkuar dhe kjo ka ndodhur ndaj modestëve të Dudelanzhit. Romanjoli dhe Muzakio janë të paralajmëruar, ndaj Interit duhet më shumë se kujdes.

POTENCIALI – Duke parë rendimentin e Susos, duket disi e çuditshme, por ja që Gatuzo kërkon më shumë nga spanjolli. I kërkon të ndryshojë regjistër sa më shpesh, të mprehë raportin në fushë me Higuainin dhe mbi të gjitha të kërkojë më shpesh portën. Potenciali për t’u përmirësuar ekziston, por duhet ende punë, në mënyrë që Milani të ketë sa më shumë zgjidhje për sa i përket fazës ofensive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"