Nga “saldimi” i skemës te mbrojtja e pankinave humbëse, 8 arsye pse Shqipëria nuk funksionon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2022 | 20:23

Nga “saldimi” i skemës te mbrojtja e pankinave humbëse, 8 arsye pse Shqipëria nuk funksionon

Deklarata e Rejës, edhe pse në mënyrë disi naive, se “kemi 3 vite që bëjmë të njëjtat gabime”, ishte realiteti i hidhur i gjendjes që po kalon Kombëtarja shqiptare. Dhe nuk është problemi vetëm te një barazim i lodhur kundër Estonisë. Ndoshta as te një përmbysje e hidhur si ajo me Izraelin.

Edi Reja

Në këtë fund sezoni, me lojtarë të shtrydhur fizikisht dhe një pjesë me mendjen te kontratat që do të firmosin, kjo mund të justifikohet. Por situata bëhet alarmante kur sheh se në tetë ndeshjet e fundit Shqipëria ka mundur vetëm Andorrën. Kur sheh se si një nga brezat ndoshta më të talentuar (referuar klubeve ku luajnë) bën kaq pak në fushë. Kur sheh se si mbrojtës dhe portierë të Serisë A shkërmoqen kaq lehtë në pjesën e dytë.

Kur sheh se si trajneri këmbëngul me të njëjtën skemë prej afro 3 vitesh dhe vazhdon të qëndrojë në krye të stolit, vetëm se një xhevahir si Broja i shënoi 2 gola Hungarisë dhe i morëm 6 pikë. Natyrisht, nuk hyjmë tek ata që mendojnë se meqë Shqipëria ka një brez të mirë lojtarësh, duhet të shpartallojë çdo kundërshtar që i del para.

Kombetarja

Jo, thjesht ajo që i kërkohet trajnerit dhe skuadrës është që të japin gjithçka dhe t’i merret maksimumi këtij grupi me cilësitë që ka. Mirëpo, vështirë se mund të ndodhë kjo me Rejën. Ka shumë arsye që gjërat nuk funksionojnë, por ia vlen t’i renditim edhe një herë elementet që e kanë futur Shqipërinë në një rrugë pa krye:

1) Trajneri është fanatik i një skeme (3-5-2) dhe në tri vite u vërtetua se nuk ka asnjë plan B, nëse gjërat nuk shkojnë mirë.

2) Shqipëria e Edi Rejës nuk improvizon. Tifozëve ende u ka mbetur në mendje goli i Salihit me Norvegjinë… Po, ishte skemë e punuar. Edhe goli i Balajt kundër Portugalisë ishte skemë, sepse para se të shënonte shkodrani, e kishte provuar edhe dy herë të tjera me Roshin.

3) Shqipëria nuk ka një repart që funksionon: jemi të pasigurt në mbrojtje, krejtësisht të zakonshëm në mesfushë dhe sporadikë në sulm. Pse? Sepse Reja ndoshta ende nuk e ka kuptuar që ky nuk është klub futbolli, por KOMBËTARE. Dhe këtu kalojmë në pikën tjetër…

4) Në Kombëtare vijnë lojtarë nga kultura të ndryshme futbolli: Anglia, Italia, Spanja, Turqia, Hungaria dhe Shqipëria. Për t’u marrë maksimumin këtyre djemve, shumica të lindur jashtë vendit, stafi dhe trajneri ka për detyrë më së pari të kuptojë mirë karakteret e tyre, cilësitë që kanë dhe të gjejë skemën me të cilën ata mund të japin më të mirën. Nuk e bën dot Reja dhe vështirë ta bëjë në të ardhmen. De Biazi nuk ishte një gjeni i trajningut, por skemat e tij me “letra patriotike” para ndeshjeve nuk ishin pa gjë. Të paktën shikoje lojtarë që jepnin gjithçka në fushë.

5) Mungojnë liderët. Me shumë respekt për Berishën, Gjimshitin dhe Hysajn, por deri tani nuk kanë arritur të “imponohen” në grup. Ndoshta edhe sepse FSHF nuk rri dot pa i futur hundët dhe shpeshherë shiriti i kapitenit shpërndahet sipas humorit të shefave… Nuk shkon kështu. Tjetër gjë duhet të bëjë federata me një grup lojtarësh që kanë talent, kanë famë, por kanë pak lidhje me atdheun e tyre.

Nuk kanë asnjë faj, sepse kanë lindur dhe janë rritur jashtë. Por dikush duhet t’u shpjegojë dhe t’i bindë madje se për shqiptarët kudo në botë ka pak dallim një miqësore e zakonshme me një kualifikuese Europiani. Njësoj i festojmë fitoret dhe po njësoj i përjetojmë humbjet. Mirëpo, për këtë ndoshta do të duhej një drejtor ekipesh kombëtare që të shërbejë si një urë lidhëse.

Një njeri me personalitet si Lala, Skela, Cana, Çipi, Kushta, Vata, Hasi, Beqaj, Zmijani etj. Mirë do të ishte edhe Tare, po nuk e di a e bindin dot… Fundja nuk është keq të kopjosh Federatën Gjermane që e bën Bierhofin drejtor. FSHF mori Kamolezen dhe nuk tha as kur e mori dhe as kur iku…

6) Problemi me lojtarët që kanë teknikë mbi mesataren. Që Reja pati një raport të vështirë me Brojën, kjo është e pamohueshme. Por kur të braktis Kamberi, ankohet Nedim Bajrami, Asllanin e fut vetëm prej opinionit publik dhe kujtohesh pas 3 vitesh që ke edhe Balliun, atëherë diçka nuk shkon.

7) Mungesë autoriteti. Shqipëria luajti në kohë COVID-i dy ndeshje vendimtare me Poloninë, që mund edhe të na kishin çuar në “play off”- in e një Botërori. Mirëpo, trajneri dhe stafi nuk bëzanë kur e panë avionin e Kombëtares të mbushur me presidentë klubesh dhe me gjithfarë qokash. Si përfundim, skuadra humbi 6 lojtarë prej COVID-it, që mund edhe të mos kishin lidhje me një avion të mbushur plot, por të paktën zbatohen protokollet e të shfaqet autoriteti i institucionit. Kur krijohen situata të tilla, atëherë cenohet autoriteti i të gjithëve, përfshi edhe stafin e Kombëtares.

8) Federata bën mirë që i mbron trajnerët e ekipeve kombëtare edhe në kohë të vështira, sepse ndërrimet në stol nuk bëhen sipas kritikave të opinionit publik, por ama ka një limit se kur i mbaron koha dikujt. Përndryshe, edhe Reja ka të drejtë të thotë: “Pse merreni vetëm me mua, shikoni Bushin tek U-21…”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"