Trajnerin e lanë vetëm, FSHF përçoi mesazhet në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2018 | 20:46

Trajnerin e lanë vetëm, FSHF përçoi mesazhet në ekip

NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Ishte një ndeshje që më së fundi nga vetë premtimet dhe nga vetë intervistat, u mendua se ekipi kombëtar do të pasqyronte në fushën e lojës disa vlera dhe mësime të nxjerra nga ndeshjet e fundit. Kjo ndeshje ngjalli interesim dhe tifozët iu afruan ekipit kombëtar për ta mbështetur dhe për ta vlerësuar edhe një herë që ekipi të bënte të pamundurën që të fitonte besimin e futbolldashësve tanë.

Skocia, e cila kishte mungesa të mëdha, diti të luante dhe të shfaqte një nivel të mirë taktik dhe veprime të shpejta teknike dhe e kishte studiuar aq mirë lojën e Shqipërisë, sa na shtangu dhe na paralizoi në të gjitha veprimet me presingun që organizoi në gjysmëfushën tonë duke aplikuar me sukses që presingu bëhet nga mesfusha dhe sulmi, ndërsa mbrojtja është në mbështetje të këtyre veprimeve.

shqiperi skoci

Ne treguam veprime amatore, ku u pasqyrua në veçanti mbajtja e tepruar e topit, ecja me të dhe driblime individuale të pavlera. Ku është ndryshimi? Të dyja ekipet janë nga shtete të vegjël, por jo në nivele të lartë europian. Në Skoci ekipi ynë bëri një lojë deri diku të pranueshme dhe u tha se mund edhe të fitonin, por humbëm disa raste. Pra, si mungesë e vetme e lojës së ekipit tonë, ishin vetëm rastet e humbura. Por, kjo nuk është e vërtetë. Po ashtu u tha se ekipi nuk po merr ende formë, sepse mungojnë dy sulmuesit kryesorë. Po Skocisë që i munguan 6 lojtarë formacioni, çfarë tregoi sot?!

Një ekip model, me një lëvizshmëri të admirueshme, me lojtarë të rinj që luanin thjesht, shpejt, me kombinacione, një ekip i vendosur qartë taktikisht dhe zbatuan në lojë teorinë se topi është më i shpejtë se lojtari. Pra, një kundërsulm i menduar e aplikuar më së miri. Dje u pa qartë dallimi m es një ekipi pothuajse amator si: mbajtja e tepruar e topit, asnjë detyrë që dallon një ekip të mirë nga një ekip i dobët dhe ajo më e rëndësishmja, një ekip pa disiplinë, një ekip ku lojtarët pothuajse të gjithë luajnë me kokën poshtë. Nuk kanë shikim periferik dhe asnjë mendim të qartë kur kanë topin në zotërim dhe as kur e kërkojnë atë. Një skuadër që qysh në fillim, me pak presing çmontohet dhe thërrmohet sepse nuk funksionon as si skuadër dhe as si staf drejtues.

Nga përvoja, unë e di që trajneri është gjithnjë tabelë qitjeje, ai luan me pozicionin e tij në një fushë ku kompleksi i ndjenjave mund të manipulohet me lehtësi nga tifozët, nga media dhe televizionet. Sot FSHF-ja, trajneri, ekipi, u vetëmanipuluan sa që edhe opinionit nuk i mbetet gjë tjetër, por vetëm të trishtohet. Unë mendoj që trajneri është në një pozitë shumë të vështirë, por në të njëjtën kohë, unë mendoj që ai është lënë vetëm. E them këtë sepse nuk mund të ndodhë në një ekip kombëtar që të mos ketë një grup pune që të planifikojë edhe momentin e tanishëm të futbollit tonë, por edhe strategjinë për të ardhmen.

Me sa duket, konservatorizmi në drejtimin e FSHF-së u përçua më së miri edhe në ekipin kombëtar. Duhet ta kuptojmë të gjithë dhe secili të ndiejë dhe të reflektojë përgjegjësinë që ka para futbollit. Ndërsa ata që punojnë në këtë sektor tepër të rëndësishëm, nuk e di nëse ndiejnë përgjegjësi apo jo që kanë përpara futbollit në Shqipëri. Kjo ndeshje tregoi të gjitha vuajtjet dhe mënyrën jo të mirë të drejtimit të futbollit tonë. Duhet të kuptojmë njëherë e mirë që futbolli mbështet mbi dy shtylla: kampionatet dhe ekipi kombëtar ka ardhur në një pikë që duhet të ndryshojë sa më parë.

Që të bëhet kjo, duhet që të kenë vizion drejtuesit dhe ata që merren me futbollin, sepse në të kundërt në shkallët e stadiumit do të ketë aq pak tifozë dhe sportdashës sa do të krahasohet me një ndeshje të rëndomtë të Kategorisë së Parë. Mavraj pasqyroi nivelin jo të mirë të “patriotizmit”, rëndesën psikologjike që ka disa kohë që e shoqëron këtë lojtar, formën jo të mirë që ka shfaqur. Që të bëhet një veprim moral për të mbuluar gjithë këtë që thamë më lart, nuk mjafton shiriti i kapitenit. Kjo gjë e thelloi më tepër gjendjen psikike dhe morale të Mavrajt. Por në futboll dhe në veçanti në ekipin kombëtar, edukimi dhe profesionalizmi janë çështje themelore.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"