Reja jetoi me lojën, vendimtar me zëvendësimet. Broja, i destinuar të jetë protagonist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2021 | 23:00

Reja jetoi me lojën, vendimtar me zëvendësimet. Broja, i destinuar të jetë protagonist

Në analizat e mëparshme kemi qenë kritikë për disa aspekte të lojës së Kombëtares. Më së shumti kritikat ose vërejtjet kanë qenë për faktin që një ekip kombëtar duhet të pasqyrojë edhe vlerat e karakteristikat e futbollit. Thënë këtë, më duhet ta vë në dukje se kjo ishte një nga ndeshjet e rralla, ku në aspektin mbrojtës pothuajse nuk u gabua asnjëherë, vetëm te rasti i shtyllës. Por, ne, jo më kot themi se fati ndihmon më të mirët… Sa i përket ndeshjes, jam në të njëjtin mendim me trajnerin Edi Reja, se loja nuk ishte e gjitha për t’u pëlqyer. Mendoj se kjo është e drejtë të thuhet për ndeshjen në total, sepse nuk po diskutojmë rezultatin në një fushë të vështirë. Kjo ishte një ndeshje pra, ku gjithsesi ka gjëra për të rikuperuar për duelin e së martës kundër Polonisë.

shqiperia

ZËVENDËSIMET VENDIMTARE – Trajneri jetoi me lojën, ishte i vëmendshëm dhe ndërhyri në momentin më të përshtatshëm, nëse iu referohemi zëvendësimeve që u bënë. Pra, veproi në kohën dhe në pozicionin e duhur. Ndërrimet ishin shumë efikase. Lojtarët që u aktivizuan, po ashtu treguan se në stol e kishin ndjekur tepër të përqendruar dhe kishin jetuar me lojën, prandaj dhanë atë që duhej kur u aktivizuan. Kjo do të thotë se lojtarët e stolit nuk quhen më të tillë, por kanë në dorë të ndryshojnë lojën, ritmin dhe rezultatin, si për mirë, ashtu edhe negativisht. Në rastin e Hungarisë, çdo gjë foli pozitivisht. Fiton përherë individi në shërbim të lojës kolektive. Kjo është tepër pozitive, sepse tregon edhe pjekuri profesionale dhe forcon karakterin dhe identitetin e ekipit kombëtar.

ÇFARË DUHET TË KORRIGJOJMË? – E para, vura re se kishte një rivlerësim të aspektit mbrojtës si skuadër dhe si repart. E dyta, ekipi luajti në bllok, sidomos në veprimet mbrojtëse në pjesën e parë, por ashtu edhe në veprimet sulmuese. Por këtu dua të ndalem pak, sepse sulmuesit e ndihmuan më shumë mbrojtjen sesa mbrojtja i ndihmoi ata. Duhet të ketë balancë. Unë them që loja kalon në dy faza: aspekti mbrojtës dhe ai sulmues. Duke u nisur nga ky parim, ekipi në pjesën e parë luajti shumë mirë në aspektin mbrojtës sepse punoi i gjithë në grup që të mos pësonin gol. Jo vetëm mbrojtja dhe mesfusha, por edhe sulmuesit. Dua të lavdëroj së tepërmi lojën e Cikalleshit dhe Uzunit, që harxhuan shumë energji dhe u zhvendosën e morën pjesë aktive në veprimet mbrojtëse. Rrjedhimisht, ata diçka do të linin mangët në aspektin sulmues dhe atë individual. Prandaj, e gjithë ajo që bënë ishte shumë profesionale dhe e rrallë deri tani.

RASTET E UZUNIT – Shqipëria i pati rastet me Uzunin, madje 3 të tilla, por gaboi sepse i mungoi freskia fizike dhe qartësia në veprimin e fundit. Megjithatë, unë them se është më mirë të krijosh raste dhe t’i humbësh sesa të mos kesh fare asnjë rast për të shënuar.

BARAZIMI SI “OPSION” – Unë nuk di dhe nuk më është dhënë rasti ndonjëherë, edhe kur kam dashur që në ndonjë ndeshje të merrja një barazim, se si mund të luash për një barazim. Nuk e di se si mund t’i thuash ekipit “këtë ndeshje do ta luajmë për barazim dhe do të luajmë kështu e ashtu… Do të aktivizojmë këta lojtarë, sepse e njohin mirë këtë filozofinë e barazimit…”. Prandaj, kjo ideja që ne na mjafton edhe barazimi kundër Polonisë duhet të mos ekzistojë më. Rregulli universal i futbollit është që asnjë ekip, i madh apo i vogël, asnjë trajner dhe asnjë lojtar nuk hyjnë për të humbur në fushë. Prandaj kjo “llogaria” me barazime është e kotë.

BROJA DHE TRIBUNA – E kam thënë që në fillim se është një profesionist i jashtëzakonshëm. Jo vetëm sepse ka një potencial të madh, por sepse është edhe altruist. Më pëlqeu jashtë mase kur i shërbeu Uzunit kundër San Marinos. Isha kritik me Rejën kur e la në tribunë, por ndoshta ai ishte një moment kyç në karrierën e tij. Pse? Sepse nëse do të kishte qenë në stol, kjo do të ishte gjëja më normale dhe ndoshta nuk do të shkruante askush më pas. Fakti që ishte në tribunë kundër Polonisë dhe pas kritikave iu dha një shans që ai e shfrytëzoi, më bën të mendoj se ai është i destinuar të jetë protagonist në Kombëtare. Por mos e vendosni nën presion. Është një lojtar shumë i ri që ka shumë nevojë të marrë ngarkesën e duhur të këtij niveli ku luan Kombëtarja, të jetë në çdo moment në dispozicion të ekipit.

SI NDALET POLONIA – Duhet të frymëzohemi nga Hungaria për të ndalur polakët dhe duhet të bëjmë kujdes në një aspekt: goditjet e dënimit dhe goditjet nga kornia. Hungaria ishte mirë në ajër, por ia dolëm dhe tani duhet të llogarisim Poloninë në këtë aspekt. Gjimshiti është problem i madh sepse është i pazëvendësueshëm, por mendoj që Reja e ka parasysh këtë faktor dhe besoj se do të marrë masa. Duhet bllokuar Levandovski dhe unë mendoj se ka dy mënyra: 1) Mbulim individual dhe të afërt. Këtë e bënte vetëm Gjimshiti… 2) Portieri dhe mbrojtja e rreshtuar shumë mirë për të mos lejuar parakalimin e topit lart. Për mua mbrojtësi më i mirë në këtë aspekt është Berisha. Duhet një sistem i tillë për ta detyruar që ai të mos hyjë në zonë me topin në këmbë. Do të detyrohen t’i pasojnë nga ajri dhe Berisha aty duhet të jetë agresiv, i guximshëm dhe i përqendruar.

NEPTUN BAJKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"