Mungon një lider, mesfusha e paqartë. Rejan mos e krahasoni me Panuçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 23:06

Mungon një lider, mesfusha e paqartë. Rejan mos e krahasoni me Panuçin

NEPTUN BAJKO

neptun bajko

N deshja me kampi onët e botës u prit me një interesim të jashtëzakonshëm për dy arsye: së pari, sepse do të shihnim një ekip të klasit botëror dhe, së dyti, sepse do të luhej në një stadium të ri, që plotësonte më së miri kërkesat për një nivel loje të këtij rangu. Unë mendoj që ekipi kombëtar hyri në fushë me besimin për të pasqyruar një nivel të mirë loje dhe me një koncept të drejtë për përballjen me një kundërshtar të tillë. Loja nuk arriti në atë nivel që pritej nga ekipi ynë kombëtar, sepse dy gabime e çuan Francën në fitore të parakohshme dhe çekuilibruan veprimet e skuadrës sonë.

shqiperii france

Një ekip, cilido qoftë ky, do të arrijë të sulmojë e të mbrojë më mirë kur shfrytëzon drejt hapësirat që krijohen. Në futbollin e sotshëm, hapësirën nuk ta dhuron kush. Dhe, pikërisht këtë dobësi pasqyroi ekipi ynë kombëtar. Gaboi në mbrojtje dhe e pësoi nga Andorra. Gaboi në sulm, sepse nuk e njohim apo e njohim pak lojën në hapjen e hapësirave. Çuditërisht, loja në anësore është zbehur dhe nuk luan më atë rol nga i cili ne kemi përfituar disa herë. Të mbash një skuadër të “shkurtër”, do të thotë që ekipi të funksionojë në bllok në të dyja fazat e lojës. Franca, edhe pse kampione bote, e bënte këtë edhe në një kohë që ishte në avantazh 2-0, ndërsa tek ekipi ynë, kjo gjë nuk u pa asnjëherë.

MJAFT KRAHASUAM TRAJNERËT

Mendoj se për të bërë përparim, duhet që në çdo ndeshje të bësh diçka që kundërshtarët tanë nuk e bëjnë. Ose, të bësh pak më mirë sesa trajneri i mëparshëm. Në këtë aspekt, trajneri Reja krijoi përshtypjen e një ndryshimi të ri në ekipin kombëtar pas ikjes së Panuçit. Por këtu të gjithë gabojmë, sepse nuk duhet ta krahasojmë më me Panuçin, por të kërkojmë që ekipi kombëtar të ketë ndryshime rrënjësore si në konceptin e lojës, ashtu edhe në përbërjen e formacionit dhe në arritjen e objektivave, që i takojnë një ekipi përfaqësues. Suksesi do të arrihet kur frika e humbjes është mposhtur. Lojtarët me Panuçin ishin disi të tulatur nga rregullat dhe disiplina formale, ndërsa Reja ka krijuar një klimë më të mirë në aspektin njerëzor. Por, ajo që më shqetëson së fundmi, është se loja e mesfushorëve është tepër e paqartë, e ngadaltë dhe shumë e lexueshme.

shqiperia

NDRYSHIMET E FUNDIT

Në analizë të fundit, është gjithnjë përcaktues kualiteti i lojtarëve që bëjnë diferencën. Lojtarë me një nivel të lartë e mundësojnë suksesin, duke iu përshtatur çdo lloj sistemi loje. Pra, moduli ose sistemi lind nga lojtarët që ke në dispozicion. Por, në harkun e 3-4 ditëve ekipi ndryshon si në përbërje ashtu edhe në lojë. Kjo nuk është diçka pozitive për Kombëtaren tonë. P.sh., Hysaj është një mbrojtës me cilësitë e duhura për këtë rol. Një tjetër gjë është përqindja e veprimeve mbrojtëse me ato sulmuese.

Prioriteti është ai i mbrojtjes dhe nuk është nevoja të bësh dy role gjysmake. Çdo njeri di dhe mëson, po ashtu edhe trajneri Reja në rrugë të ndryshme për të udhëhequr dhe drejtuar një ekip kombëtar. Unë mendoj që, në këtë periudhë, edhe pse e shkurtër, Reja ende nuk po pasqyron një drejtim të caktuar, një mënyrë të drejtë loje për ekipin tonë. Pra, ende është në njohje e sipër. Po shqyrtoj mënyrën e lojës së dy-tre lojtarëve. P.sh., një nga lojtarët më të mirë në të dyja ndeshjet, e sidomos me Francën, ishte Bare. Lojtar me cilësi të mira, i përgatitur teknikisht dhe atletikisht. Por, duke mos qenë në gjendje të përcaktojë mënyrën e lojës së ekipit, ai detyrohej të luante me mbajtje të tepruar të topit dhe shpeshherë në duele me dy kundërshtarë. Gjithashtu, po të vëmë re me kujdes, veprimet sulmuese të Manajt dhe Balajt janë krejtësisht larg nga veprimet e mesit të fushës në mbrojtje. Gjithashtu, loja disi e ngadaltë e Gjasulës, që ka një rol specifik në atë vendosje. Ai u la vetëm, sepse në asnjë rast nuk ndihmohej as nga Lenjani dhe as nga lojtari i ri, që çuditërisht ishte në formacion, Qose.

bare shqiperi france

MUNGON NJË LIDER

Një tjetër aspekt, në dukje sikur nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë te Kombëtarja jonë, është se kush është lideri i kësaj Kombëtareje? Lind kjo pyetje, pasi lideri ka një rol të veçantë, si në lojë edhe në dhomat e zhveshjes. Është një faktor në funksionim të mirë të ekipit. Po ashtu dhe lidhja trajner-skuadër. Kjo vihet re pasi gjatë lojës, ne nuk shohim një lojtar përcaktues, që t’i udhëzojë shokët e tij në veprimet që ata bëjnë. Në ndeshjen me Andorrën e rëndësishme ishte fitorja, por që të fitohej ajo ndeshje, për mendimin tim duhej të ishte hedhur në fushë formacioni më i mirë i mundshëm.

Në këtë aspekt, vërejtjet dhe këshillat janë për trajnerin, sepse ajo që duhej fituar nuk u fitua dhe ajo që duhej luajtur nuk u luajt. Ne po bëjmë një analizë për dy ndeshjet që mbyllën këtë aktivitet, por nuk kemi për qëllim që t’i kërkojmë “makinës”, pra ekipit dhe trajnerit, t’i japin më tepër sesa i ka limitet kjo “makinë”. Por, në të njëjtën kohë e kemi për detyrë që të kërkojmë nga trajneri dhe ekipi që Kombëtarja jonë të pasqyrojë karakteristikat të cilat e dallojnë nga të tjerat. Të ketë atë agresivitet dhe atë dëshirë që i dallojnë ekipet e ashtuquajtura të vogla nga ekipet e tjera me klas shumë më të lartë.

roshi shqiperi france

I kërkojmë ekipit kombëtar dhe trajnerëve më tepër lojë në bllok, lojë me veprime të shpejta të daljes në kundërsulm, lojë me organizim dhe përpunim të mirë të topit, lojë në anësore, që është tipar i veçantë i futbollit të sotshëm. Unë mendoj që vërtet kemi lojtarë të rinj dhe me perspektivë dhe më së fundi ekipi kombëtar nuk vuan nga mungesat apo kartonët, pasi ka lojtarë të cilët mund t’i zëvendësojnë shumë mirë, por në të njëjtën kohë duhet të bëjmë një dallim të qartë: Çfarë i takon perspektivës të rritet dhe të pasurohet në ekipin kombëtar, çfarë i takon ekipit kombëtar, aty do të luajnë më të mirët dhe ata që dëshirojnë ta ndryshojnë lojën dhe rezultatet e Kombëtares në të ardhmen.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"