Kombëtarja nuk shënon për katër arsye, ja dilemat e mëdha të Rejës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Tetor 16, 2020 | 21:45


Kombëtarja nuk shënon për katër arsye, ja dilemat e mëdha të Rejës

NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Kjo ishte një ndeshje që më la përshtypje pozitive. E them këtë sepse u panë 2-3 elementë që janë të domosdoshëm për një skuadër si jona, por që lidhen më tepër me anën morale dhe psikologjike të përgatitjes për këtë takim. Ekipi dje tregoi dëshirë për të luajtur, aplikoi për 30 minuta një lojë presingu, edhe pse ishte e çorganizuar, në fakt, dhe shpeshherë me veprime të nxituara…

E prapëseprapë e detyroi kundërshtarin që të përballonte me shumë vështirësi veprimet tona dhe në të njëjtën kohë vlera më e madhe e këtyre minutave ishte që skuadra luajti kompakt, e ngushtë në vendosjen gjeometrike në fushë, çka ndihmoi shumë që Kombëtarja të dilte rrezikshëm në lojën nga krahët deri në fundore, por veprimi final, pra pasimi për gol ose gjuajtjet për gol ishin tepër të nxituara.

KAOSI ME PRESINGUN

E theksoj, më pëlqeu loja me presingun lart, por sërish nuk bëhej në mënyrë efikase. Po e sqaroj menjëherë: Në Kazakistan luajtëm ndryshe, në Tiranë me Lituaninë nuk e aplikuam pothuajse fare presingun, ndërsa dje luajtëm me presing shumë lart… E pra, nuk ka mundësi që një ekip pas një ndeshjeje të fjetur, të rikthehet si duhet te loja me presing. Kjo ka nevojë për më shumë praktikë dhe duhet aplikuar rregullisht, ndryshe të vë në vështirësi kur ke përballë kundërshtarë të fortë. Por, dje, edhe duke pasur edhe një kundërshtar me nivel nën mesatar, nuk na ndihmoi ta fitonim ndeshjen ose qoftë të shënonim edhe një gol. E megjithatë, mua më pëlqeu që më në fund lojtarët luajtën afër njëri-tjetrit, pra në bllok, duke fituar dyluftime, që ishin shumë të rëndësishme.

EkTuF86XkAM-Xe4

PAQARTËSI NË SULM

Tri ndeshje pa gol nuk janë rastësi dhe për këtë nuk kanë faj vetëm sulmuesit, ndonëse vëmendja është gjithnjë tek ata. Unë mendoj se ka katër arsye se përse Shqipëria nuk shënon dot qoftë edhe një gol…

E para, sepse ndryshimet e shpeshta në formacion, duke aktivizuar pothuajse gjithnjë sulmues të ndryshëm, çojnë në problemin që lojtarët nuk e kuptojnë mirë njëri-tjetrin. Kur je debutues, e ke të vështirë të vendosesh mirë për të kërkuar topin dhe, si rrjedhojë, lidhja e reparteve dhe me njëri-tjetrin ka mangësi.

Së dyti, unë nuk e kuptoj se përse Broja apo Seferi, dy sulmues tipikë, nuk ishin të dy brenda zonës kur skuadra jonë sulmonte apo krosonte në zonë. Të luash me 3-5-2 dhe në momentin që hedh topin në zonë nuk i ke asnjëherë të dy sulmuesit brenda zonës, por o njërin, ose tjetrin, atëherë kjo më shqetëson.

Së treti, ndryshimi i vazhdueshëm i mesfushorëve. Sulmuesit dhe mesfushorët duhet ta njohin njëri-tjetrin me sy mbyllur. Një sulmues duhet ta dijë se ku ia jep topin shoku nga mesfusha, sa të fortë e ka pasimin, nga sa larg mund të pasojë dhe cili është pozicioni ku ai duhet të presë topin nga shoku, por kur ndërron kaq shpesh formacionin, kjo bëhet e vështirë.

Së katërti, goli nuk vjen vetëm nga sulmuesit, por ndonjëherë edhe nga mesfushorët apo mbrojtësit. Për fat të keq, ne gjuajmë pak nga jashtë zonës dhe në goditjet standarde jemi pothuajse fare të parrezikshëm, sepse nuk shoh asnjë improvizim. Nuk shoh asnjë skemë të punuar, por nuk shoh as lojtarë që të fitojnë faulle në afërsi të zonës, çka mund të prodhojë raste të volitshme për gol apo qoftë edhe ta shtojë frikën te kundërshtari. Ne gjatë ndeshjes e gjuajmë portën vetëm 3-4 herë dhe është pak për një skuadër që ka objektiva madhorë.

KALLAKU DHE KRAHËT E MBROJTJES

Nuk e di si mund të justifikohet lënia e Kallakut jashtë pasi bëri një ndeshje shumë të mirë me Kazakistanin. Ai në këtë ndeshje mund të bënte shumë më mirë sesa në Kazakistan. Kallaku është një lojtar që zotëron veten dhe topin. Ka teknikë të mirë dribluese, por është edhe një goditës i mirë i portës. Nëse do të luash për të çarë mbrojtjen në qendër, veprimet e Kallakut shërbejnë shumë mirë për të bërë “murin 1-2” dhe për të goditur në portë. Kjo, në fakt, nuk u pa për 90 minuta në këtë takim, edhe pse ekipi ka nota pozitive për impenjimin që pati në fushë. Ndërkaq, edhe krahët mund të freskoheshin. E kam fjalën për Veselin që së pari luan jashtë rolit dhe së dyti, mund të ishte dikush që të paktën për 30 minuta të zëvendësonte dhe të merrte fundoren.

edi reja

DILEMA E MADHE E REJËS

Trajneri Reja është në një dilemë të jashtëzakonshme. Në një të ardhme jo të largët, dilema do të bëhet “thembra e Akilit”. Pse? Cilit nga titullarët do t’i bjerë lotaria të qëndrojë në stol? Dhe nuk janë pak lojtarë… Cili nga të rinjtë do të gëzojë formacionin? Edhe këta janë shumë… Dihet që zgjedhjet dhe zgjidhjet i ka vetëm trajneri, por mendoj se e ardhmja duhet parë me shumë kujdes. Kombëtarja ka nevojë që ekuilibrat të ruhen në maksimum dhe të rinjve nuk duhet t’u shohim vetëm talentin apo skuadrat ku luajnë, sepse më i rëndësishëm është karakteri dhe ruajtja e frymës së grupit nga pretendimet e lojtarëve. Me një përvojë të madhe Reja është munduar t’i japë ekipit një impuls dhe freski duke synuar drejtësi në përzgjedhjet që bën. Por, duhet të bëjë kujdes që aftësitë e lojtarëve t’i vendosë në shërbim të ideve të tij dhe të ekipit për të arritur atë objektiv që ka apo ndoshta s’e ka fare.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com