Gjasula vendosi balancat, mbrojtja ka ende punë. Bravo Rejës sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 21:25

Gjasula vendosi balancat, mbrojtja ka ende punë. Bravo Rejës sepse…

NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Ishte një fitore që erdhi në një moment delikat. Ekipi dhe trajneri ditën të reagonin dhe në këtë çast të vështirë, triumfi merr një rëndësi të veçantë.

Dy janë arsyet që i japin rëndësi të madhe kësaj fitoreje: e para, që trajneri ka një njohje më të mirë dhe më të plotë për secilin lojtar dhe ekipin në tërësi. Së dyti, i jep kohën e nevojshme për të bërë ndryshime cilësore në skuadër.

Shqiperia goli

Mendoj se një nga vlerat pozitive të këtij takimi ishte bindja e aktivizimit të lojtarëve që nuk kishin luajtur në Francë. Ishte dështimi i lojës në Paris që solli Manajn, Memushajn, Lenjanin dhe Baren në fushë. Ata pasqyruan vlera individuale dhe i dhanë ekipit një superioritet teknik, duke bërë që me mbajtjen e topit, edhe pse disa herë në mënyrë të tepruar, t’i jepnin siguri skuadrës dhe publikut.

ÇELËSI I NDRYSHIMIT

Një ndryshim që binte në sy pozitivisht ishte edhe klima në ekip. Lidhja shpirtërore e të gjithë lojtarëve me trajnerin dhe stafin teknik dhe ky “filingu” i munguar prej shumë kohësh është një armë taktike që trajneri Reja duhet ta ruajë dhe ta përforcojë më tepër. Kishte ekuilibër në skuadër dhe mendoj se kjo erdhi prej Gjasulës.

Festa e golit te shqiperise

Shpeshherë ai me pasimet vertikale drejt Cikalleshit dhe Manajt e bënte këtë harmonizim të veprimeve. Pra, Gjasula ishte lojtari që zhvendoste ekuilibrat, sepse ishte jo vetëm i zoti për të rrëmbyer topa, por edhe për t’i pasuar vertikalisht ata saktë dhe shpejt drejt sulmit. Shikoni aksionin e golit të Hysajt dhe do të kuptoni rëndësinë e tij. Gjithçka nisi pasi Gjasula fitoi një top dhe e pasoi shpejt atë… Më pëlqeu gjithashtu që lojtarët pothuajse ishin në rolet e tyre natyrale. Nuk pati sforco dhe nuk pati as gafa që prishin gjithë ndeshjen apo demoralizonin skuadrën.

MANGËSITË

Natyrisht, asnjë nuk është perfekt në këtë botë dhe pa diskutim që edhe kjo ndeshje në aspektin taktik dhe në detyrat e përcaktuara shpeshherë pasqyronte mangësi. Specifikisht, te loja kolektive dhe në bllok. Pra, ekipi kishte dëshirën, por shpeshherë ajo mbizotëronte mbi lojën në bllok. Skuadra u zgjat shumë në disa momente dhe la hapësira të rrezikshme.

shqiperia kombetarja

Islanda është ekipi më i hidhur për kësi situatash që krijohen, sepse vertikalizimin me një prekje të topit e ka perfeksionuar me kalimin e viteve. Në gjysmëfushën tonë, duhet lojë në bllok dhe skuadër më e shkurtër. Kështu rivalët e kanë më të vështirë për të ardhur me shumë forca te zona jonë, por ndërkohë kemi mundësi të dalim edhe më shpejt në sulm, sepse shmangen pasimet e gjata kur lojtarët janë të lodhur. Dihet që saktësia e këtyre pasimeve në fraksionin e dytë të ndeshjes është më e vogël se në të parën.

Ajo që nuk më pëlqeu te veprimet e sulmuesve, ishte tërheqja e shpeshtë e Cikalleshit. Ai vepron shumë mirë kur tërhiqet, sepse merr një mbrojtës me vete, por nuk e mbulon njeri vendin e tij dhe kjo u jep përparësi kundërshtarëve të shtyjnë me më shumë forca.

Por, përtej të gjithave, pas kësaj ndeshjeje vazhdoj të mendoj se në ekip nuk duhet të ketë revolucion, por një evolucion me largpamësi dhe me durim.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"