E kishin mendjen tek Anglia, skema 3-5-2 është e rrezikshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2021 | 23:12

E kishin mendjen tek Anglia, skema 3-5-2 është e rrezikshme

NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Në ndeshje si këto ka rëndësi rezultati në fund. Kjo të ndihmon që të punosh më pas në kushte optimale. Nga të gjithë u pa dhe u vlerësua se kishim përballë një ekip modest i cili e bazonte lojën në lëvizshmëri, në luftën për topin e parë dhe mbrojtje me shumë forca. Tipike e skuadrave të vogla që duan të arrijnë diçka. Pikërisht për këtë arsye Shqipërisë i duheshin dy cilësi për të arritur fitoren: besim dhe përqendrim. Parë në këtë këndvështrim, mendoj se kjo është e vetmja vlerë pozitive e Kombëtares në Andorrë. Sa për pjesën tjetër, mendoj se shumë gjëra lanë për të dëshiruar.

PJESA E PARË

Mendoj se në pjesën e parë loja u përqendrua tej mase në krahun e majtë ku vepronte Lenjani. Fokusimi i lojës vetëm në njërin krah bënte që të dilnin jashtë funksionit Cikalleshi dhe Manaj, me të cilët për fat të keq asnjëherë nuk u luajt. Kjo e detyroi ekipin tonë që për gati 45 minutat e para të luante me topin e gjatë dhe të lartë, që i jepte shumë përparësi mbrojtjes kundërshtare të minimizonte rrezikun. Unë nuk mund të them nëse ishte një skemë e paracaktuar nga trajneri, por këmbëngulja e lojës për gati 45 minuta vetëm në krahun e majtë m’u duk shumë e lexueshme dhe krejt e pafrytshme. Vetëm atëherë kur kundërshtari gaboi në mesin e fushës dhe rreshtimi i mbrojtjes kundërshtare ishte i çekuilibruar, Lenjani shfrytëzoi shumë mirë futjen në qendër dhe realizoi atë gol të bukur.

PJESA E DYTË

Nëse mendojmë se trajneri nuk ndërhyri me vetëdije për të mos ndryshuar asgjë në 45 minuta, sigurisht që e mirëkuptojmë, sepse ndoshta mund të cenonte edhe disa ekuilibra. Por, fakti që edhe me ndërhyrjet që bëri nuk arriti të vendoste ekuilibrat e duhur në mesfushë, atëherë kjo më bën të mendoj se disa gjëra kyçe iu lanë rastësisë. Duhej një lojë më e qartë dhe më e thjeshtë mes mesfushorëve dhe krahut të majtë, por edhe mes mesfushorëve dhe qendrës së sulmit. Nuk ndodhi. Gjithçka iu la në dorë mënyrës se si luanin lojtarët. Ne shënuam golin që zhbllokoi ndeshjen dhe pritej që skuadra të luante më lirshëm, më e qetë dhe të qarkullonin topin. As kjo nuk ndodhi… Nuk dua të nxitohem në përfundime, por kam frikë se lojtarët nuk janë mësuar ende se si duhet të aplikojnë skemën e trajnerit pa shënuar gol dhe se çfarë ndryshon pasi shënojnë gol. Kam frikë se mbetemi te rastësia dhe tek aftësitë individuale të lojtarëve.

Shqiperia

PROBLEMI ME SULMIN

Kur ne flasim për lojën e dy sulmuesve, Cikalleshi dhe Manaj, ata duhet të ishin të qartë se rrezikshmërinë e kanë vetëm në zonën e rreptësisë së kundërshtarit, pra në qendrën e mbrojtjes së tyre dhe jo jashtë zonës. Por, për të qenë të rrezikshëm, ata duhet të furnizoheshin si duhet dhe pa dyshim që ishte detyra e mesfushorëve ta bënin këtë. Ajo që pashë dhe që nuk më pëlqeu fort, ishte se Memushaj dhe Bare ishin të prirë që të dilnin më shumë sesa duhet në anësore. Pra, mungoi loja e ekuilibruar në të dyja asketet: si nga krahët, ashtu edhe nga qendra.

BOTËRORI ËSHTË NJË… SHANS

Pa dyshim që ne prisnim që ekipi kombëtar të fitonte, të luante mirë, të pasqyronte një nivel të pëlqyeshëm teknik, taktik dhe atletik. Të pasqyronte pra një lojë me tipare kombinative të aplikuar thjesht, por të gjithë me një qëllim të caktuar. Por ama, kjo ishte një dëshirë e parealizuar plotësisht… Ishte një kërkesë që vjen logjikshëm ndaj një ekipi kombëtar si yni, i cili me vlerat që duhet të pasqyronte do të na jepte edhe kënaqësinë e lojës së mirë dhe pa dyshim më kryesoren: arritjen e rezultatin pozitiv. Fillimi i një aktiviteti të rangut botëror pa diskutim që ka një përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi për të menduar dhe për të ëndërruar diçka që do të tregonte rritje profesionale dhe një punë të ndërtuar e të menduar shumë mirë nga trajneri, stafi dhe ekipi… E megjithatë, duhet të flasim drejt dhe të pranojmë realitetin: Ndoshta lojtarët vërtet po luanin në Andorrë, por mendjen e kishin tek Anglia… Në këtë aspekt mendoj se ka vend për një analizë të thellë, në mënyrë pozitive, të ndalen edhe për detajet më të vogla, sepse ndeshja ndaj Anglisë kërkon një mendësi dhe mënyrë loje tjetër për ta përballuar me sukses. Kundër Anglisë nuk do të mjaftojë entuziazmi, mobilizimi i lojtarëve dhe dëshira për të dhënë më të mirën, por do të duhet të ndërtohet një mënyrë loje që të ruhet deri në fund entuziazmi për të bërë diçka pozitive.

Kumbulla dhe Lenjani

KARTONËT E VERDHË…

Mendoj se pavarësisht fitores, lojtarët kanë qenë të ngarkuar psikologjikisht. Pse? Sepse e kanë ndier detyrimin që ndeshja duhej fituar patjetër, por se si ama, ata nuk arritën të na bindnin se e bëjnë këtë më zgjuarsi dhe me skema të mësuara përmendësh. Prandaj, mendoj se duhet bërë kujdes me skemën 3-5-2. Për mendimin tim, ky modul loje është i vështirë dhe i rrezikshëm kur përballesh me rivalë si Anglia.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"