Kombëtarja pa ide, kemi bërë hapa mbrapa. Eksperimentet të dështuara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 20:17

Kombëtarja pa ide, kemi bërë hapa mbrapa. Eksperimentet të dështuara

ASTRIT HAFIZI

Astrit Hafizi

Nuk pashë asnjë ndryshim nga ndeshjet e tjera me skuadra të mëdha. Kjo me Francën vërtetoi se ndeshja me Andorrën nuk ishte një aksident.

Dhe nuk i referohem vetëm rezultatit, por mungesës së konceptit të lojës. Ishte për të ardhur keq që skuadra shfaqet me kaq mungesë personaliteti të theksuar. Kjo ndodh në shumicën e rasteve kur lojtarët nuk e kanë të qartë atë që duhet të bëjnë në fushë. Shqipëria në dy ndeshjet e fundit ka pësuar gola nga të gjitha format, me aksion dhe me goditje standarde.

shqiperi francee

Lojtarët për fat të keq nuk arrijnë të shfaqin potencialin e tyre, por të mos na gënjejë mendja se ne kemi një grup shumë të mirë futbollistësh. Jo, nuk mendoj se e kemi të tillë grupin, përkundër asaj që thotë trajneri Reja. Shqipëria ka një grup mesatar dhe një mungesë të theksuar të ideve dhe të fantazisë në lojë. Mungesë të theksuar koncepti loje në mbrojtje dhe në sulm. Për fat të keq, është sakrifikuar gjysma e këtij edicioni vetëm për të arritur një koncept loje, por Shqipëria e mbylli këtë fushatë kualifikuesesh ashtu siç e nisi: keq.

Vështirësia e lojtarëve 

Të flasësh vetëm për skemën, është sipërfaqësore. Natyrisht, dikush mund të thotë se rezultati 0-2 kundër Francës është edhe i pranueshëm. Ndoshta, por po ju them se 30 vite më parë, Franca na mundte këtu 0-1. Ku është progresi? Franca ka qenë gjithnjë në piedestalin e futbollit botëror, sepse tani ka Mbapenë, por atëherë kishte Bolinë, Papenin etj…

shqiperia

Ajo që më shqetëson është se kemi bërë hapa pas sa i përket lojës. Luajmë një futboll të dalë jashtë mode, me lojtarë që e mbajnë topin shumë në këmbë dhe që përpiqen të bëjnë gjithçka në mënyrë individuale. Nuk ka shpejtësi dhe saktësi nga krahët, nuk ka vertikalizime të mira nga qendra dhe nuk mbrojmë as të organizuar. Nuk mundet të luash në 2019-ën kështu. Mund ta humbësh një ndeshje, ndoshta edhe më thellë kundër kampionëve të botës, por në fund ke respektuar filozofinë tënde. Ne nuk kemi një mënyrë loje sot. Kemi thjesht futbollistë që përpiqen të vrapojnë të mbajnë sa më shumë topin në këmbë dhe kur afrohen te zona janë të paqartë.

Eksperimente të dështuara 

Shqipëria nuk ka lojtarë për të bërë kaq shumë ndryshime nga ndeshja në ndeshje. Eksperimente të tilla i përballojnë me sukses vetëm ato skuadra që kanë lojtarë të nivelit të lartë në fushë dhe në stol. Pra, hyjnë rezervat dhe sillen njësoj, pasi e dinë se çfarë duhet të bëjnë.

Ne nuk i kemi këta lojtarë. I kemi të një niveli mesatar dhe duhet të evitonim kaq shumë ndryshime. Këtu më pas bëhet edhe e vështirë skema që po aplikohet. Moduli 3-5-2 kërkon lojtarët e duhur. Shqipëria nuk i ka sot, është e kotë të këmbëngulet kaq shumë. Franca luajti me 3-4-1-2 dhe kishte shumë mungesa, por ata janë lojtarë të klasit botëror dhe përballojnë edhe ndryshimet brenda pak kohësh. Ne jo.

Shembulli nga Kosova 

Duhet të jemi korrekt dhe të mos marrim Francën si barometër, por ama mund të shohim nga Kosova. Pse Kosova ka bërë mirë këtë edicion? Sepse ka koncept loje dhe ka ide të qarta. A ka vështirësi? A ka humbur në dy ndeshjet e fundit? Po, por kjo nuk do të thotë se duhet të alarmohen për të ardhmen. Ata kanë punuar me pragmatizëm dhe me thjeshtësi. Kanë punuar mbi një koncept loje, pra me një mënyrë se si do të sulmohet dhe me ide të qarta edhe se si mbrohesh.

Kurse shqetësimi i madh për mua është që ne e mbyllëm këtë edicion dhe nuk e kemi ende të qartë se si luan Shqipëria. Cila është pika e fortë dhe cilat janë pikat e dobëta? Nuk mundet që në ndeshje të tilla pa presionin e objektivit lojtarët të jenë si të hutuar dhe ne të mos luajmë rrjedhshëm futboll. Kjo nuk premton shumë as për të ardhmen, ndaj gjykoj se duhet reflektuar mbi mënyrën se si është punuar kohët e fundit dhe duhet të qartësohet se çfarë potenciali ka kjo skuadër dhe çfarë kërkon të arrijë. Deri tani për fat të keq më duket se ia kemi lënë çdo gjë rastësisë. Futbolli me rastësi me episode nuk të garanton sukses.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"