Muçi nuk shërbeu, Partizani anoi majtas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2021 | 21:15

Muçi nuk shërbeu, Partizani anoi majtas

Nga AGIM CANAJ

agim canaj llaznia

Ishte një ndeshje me dy fytyra, jo për efekt të futbollit të luajtur, por të disa problemeve që mund të anashkaloheshin nga një arbitër që mund të gjykonte më mirë në këtë takim. Gjyqtari, për fat të keq, ia hoqi bukurinë që derbi ka gjithmonë. U trishtova disi nga vendimet e tij sepse kjo ishte një nga duelet PartizaniTirana më “Fair Play” që kam parë deri tani. Kjo, për efekt edhe të mungesës së tifozëve, por edhe në fushën e lojës futbollistët ishin shumë korrektë.

NDESHJA

Pjesa e parë u karakterizua nga loja e fortë dhe nga duelet e ashpra një për një. Të dyja ekipet mundoheshin të rifitonin topin dhe të kalonin në kundërsulm me shpejtësi, por Tirana e bëri më mirë këtë manovër. Taktikisht, Tirana e kishte zgjidhur mjaft mirë mënyrën e manovrës sulmuese. I referohem vendosjes me dy sulmuesve Muçi-Seferi dhe Torasës mbas tyre, që ishte koordinatori mes sulmit e mesfushës. Kjo funksionoi në momente të caktuara në 45 minutat e para. E them këtë, sepse Tirana me këta tre lojtarë të mirë në vijën sulmuese, arriti ta vendoste në vështirësi rivalin. Problemi i vetëm ishte Muçi, një lojtar me aftësi të shkëlqyera, por që nuk u tregua altruist në momentet vendimtare. Ndoshta do të kishte mjaftuar një pasim i tij në ato raste kur Tirana krijoi për ta zgjidhur ndeshjen. Ndryshe nga ndeshjet e tjera, Muçi nuk u tregua konkret dhe u tregua shumë individualist. Kjo e dëmtoi Tiranën. Kuptohet, Seferi i njeh mjaft mirë hapësirat boshe, por në dy momente shumë të rëndësishme atij i mungoi pasimi i fundit dhe nuk shënoi dot. Besoj se ky ishte problemi i parë dhe i madh i Tiranës. Natyrisht, Muçi e Seferi kanë pak kohë së bashku, por me një koordinim më të mirë, duhet ta kishin zgjidhur ndeshjen.

PARTIZANI TIRANA

PARTIZANI ANOI… MAJTAS

Vura re te Partizani që në krahun e majtë funksionoi më mirë. Asani, me cilësitë që ka, depërtonte edhe nga qendra, duke qenë afër Bardhit dhe të dy me kombinimet e tyre vunë në vështirësi krahun e djathtë të Tiranës. Për 20 minuta në pjesën e parë kjo funksionoi mirë. Problemi i vetëm ishte që Solomon ndodhej gjithnjë shumë i veçuar dhe nuk e arriti asnjëherë shpejtësinë e duhur për të dalë në pozicione goditëse kur i shërbenin topin. Partizani u tërhoq disi vetëm kur Muçi së bashku me Ismajlgecin dhe Hoxhallarin nga e majta nisën të ishin më agresivë dhe e detyruan krahun e djathtë të Partizanit të tërhiqej pas. Prandaj, të kuqtë ishin të rrezikshëm vetëm nga e majta, sepse në atë krah (i djathti i Tiranës) linte zona boshe. Partizani e kuptoi se mbrojtja me tre e Tiranës herët a vonë do të linte hapësira, dhe i la në fakt, por Solomon me Bardhin nuk e kapën dot shpejtësinë e duhur për të mbërritur më parë te topi se mbrojtësit rivalë. Meritë e Partizanit ishte që në 10 minutat e para të ndeshjes ia doli të mos pësonte, sepse, në fakt, Tirana e sulmoi me një agresivitet mbresëlënës, duke i marrë terrene, duke fituar dyluftime dhe duke pasur gjerësi në fushë. Partizani u tulat disi në ato minuta, por prapë nuk u thye.

TIRAN A PARTIZANI

PESHA E KARTONËVE TË KUQ

Arbitri, për mendimin tim, gaboi te të dyja rastet, por ndëshkimi i Bathës peshoi shumë te Tirana. Pse? Sepse Tirana e kishte bazuar lojën te dy shtylla kryesore: Batha dhe Toli. Ata e bënë mirë punën, sepse jo vetëm thyenin aksione, por edhe ndërtonin lojën me shpejtësi. Pas daljes së Bathës, Toli mbeti vetëm, shpenzoi më shumë energji dhe humbi topa të rrezikshëm. Madje, edhe goli i Partizanit erdhi pasi Toli humbi topin dhe me një lëvizje e gjithë mbrojtja e Tiranës u kap gafil. Para se të vinte goli, kjo situatë u përsërit edhe dy herë të tjera, prandaj mendoj se pas daljes së Bathës me të kuq, stafi i Tiranës duhet të kishte bërë ndërhyrje të menjëhershme për të neutralizuar agresivitetin e Partizanit. Më së pari, Tirana duhet të kishte përforcuar mesfushën, kur Toli nisi të jepte sinjalet e para të mbilodhjes. Nga stafi i Partizanit e kuptuan pikën e dobët dhe presionin e bënin pikërisht aty.

DIFERENCA E STOLIT

Një arsye tjetër se përse Tirana duhet të kishte përforcuar mesfushën pas daljes së Bathës ishte edhe fakti që në fushë u futën Çinari dhe Cara. Dukshëm dy lojtarë më cilësorë se ata që aktivizoi Tirana, sepse i dhanë shpejtësi manovrës së Partizanit. Nuk ishte rastësi që shënoi Çinari, pavarësisht problemit që hasi ai këtë sezon. Ai ka cilësi, por ka edhe eksperiencë, ndaj duheshin marrë masat më mirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"