ANALIZA/ Myler-Kutinjo, Bajerni ka gjetur çiftin perfekt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2019 | 21:51

ANALIZA/ Myler-Kutinjo, Bajerni ka gjetur çiftin perfekt

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Niko Kovaç, vendosi të hedhë në fushën e lojës nga minuta e parë dyshen Kutinjo-Myler, në ndeshjen e së shtunës ndaj Union Berlin. Kjo ishte hera e dytë që të dy lojtarët nisnin ndeshjen në formacion, por hera e parë si mesfushorë qendrorë.

kutinjo myler

Kjo pasi Kovaç vendosi të luante me modulin 4- 3-3. Kështu Tiago u spostua prapa dhe luajti si numër 6. Një formacion të cilin Kovaç e kishte praktikuar që në stërvitjen e së premtes. “Ka funksionuar shumë mirë. Filipe hyri menjëherë në lojë dhe luajti më i organizuar. Kjo më pëlqeu shumë. Tiago gjithashtu bëri një punë të mirë duke marrë frenat e mesfushës si organizator i vetëm. E vetmja gjë që i mungoi atij ishte goli.

Në përgjithësi, mesfusha tregoi shenja jete dhe kjo falë ndryshimeve të bëra në atë repart”, tha Hasan Salihamixhiç. Por sigurisht që Kutinjo-Myler kanë ende shumë punë për të bërë nëse duan të bindin trajnerin për një ndryshim të formacionit. Para disa javësh ishte e pamendueshme që të dy ta nisnin lojën nga minuta e parë. Ajo që ra në sy ishin përpjekjet e shumta të dy lojtarëve për të rikuperuar topa dhe ndihmuar njëri-tjetrin. Një ndryshim i tillë i dha impulse të tjera skuadrës, e cila ishte shumë ndryshe nga ajo që u pa në Athinë në mesjavë.

MESFUSHORI, I KËNAQUR

Nëse në të ardhmen do t’i shohim sërish të dy në formacionin e parë, kjo gjë mbetet për t’u parë. “Merreni si të doni”, tha Myler pas ndeshjes, që në 18 ndeshje rresht në Bundesligë nuk ka shënuar asnjë gol. Gjermani goditi vetëm dy herë në portën e berlinezëve kurse braziliani vetëm një. Për sa u përket dyluftimeve, Myler fitoi gjithashtu më shumë. Kutinjo bëri më mirë zotërimin e topit me 70 prekje nga 63 të Mylerit. Për sa u përket pasimeve, të dy bënë shumë mirë duke arritur mbi 80% të pasimeve të sakta. Në golat e Benzhamë Pavarit dhe Robert Levandovskit ata nuk ishin të përfshirë. Në përgjithësi një paraqitje pozitive, por jo me shkëlqimin e dyshes.

MYLER QËNDRON

Një mesash i qartë u dha edhe për sa i përket çështjes së largimit të Mylerit nga Bajerni në merkaton e janarit. “Jam i sigurt vetëm për një gjë, që Tomas nuk do të largohet në janar”, tha Niko Kovaç. Edhe Hasan Salihamixhiç ishte i qartë në lidhje me një largim të Mylerit nga Mynihu. “Nuk besoj se ju prisni që ne të mendojmë një largim të tijin. Kjo është një temë e mbyllur për ne”.

Kovaç duket se ka gjetur kurën e duhur për lojtarët dhe tani pritet t’i japë një zgjidhje edhe për sa u përket lojtarëve që do të luajnë përkrah Levandovskit. Klima në Mynih duket se është zbutur dhe skuadra tregoi shenja harmonie ndaj Union Berlin, një klimë që pritet të qëndrojë e tillë edhe në javët e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"