ANALIZA/ Milani i çmendur, mes dëmtimeve e frymës së fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 21:49

ANALIZA/ Milani i çmendur, mes dëmtimeve e frymës së fundit

Nëntë pikë radhazi, e pikërisht në momentin më të vështirë sezonal. Xhenaro Gatuzo duhet të bëjë llogaritë me mungesat e shumta për arsye dëmtimesh, teksa Milanin e presin dy takime vendimtare në 72 orë. “Vështirësitë forcojnë mendjen ashtu si mundi forcon trupin”. Kjo fjali i përket filozofit Seneka, që jo rastësisht u citua edhe nga Matia Kaldara ditën që u përball me dëmtimin e rëndë që kishte pësuar. Mbase nuk është moment filozofik, por ky citat përshtatet më së miri më situatën e kuqezinjve, të cilët kanë gjetur shërimin, të paktën atë shpirtëror. Tri fitore radhazi e dy në sekondat e fundit, falë Alesio Romanjolit, kapitenit, por njëkohësisht shpirtit të skuadrës.

milan

Pas humbjeve me Interin dhe Betisin, stoli i Gatuzos kishte nisur të lëkundej, por ja që në morinë e vështirësive, “Djalli” u bë më i fortë. Nëntë pikët radhazi e futën mes katër të parave, por në arritjen e tyre Milani kaloi jo pak peripeci, e nuk po flasim për golat në frymën e fundit. Dëmtimet janë ato që më së shumti po pengojnë Milanin, teksa i fundit, ai i Higuain, u shton vlerë edhe më shumë fitoreve të Milanit. Pas pushimit të kombëtareve, kuqezinjtë luajtën çdo tri ditë, humbën derbin dhe një ndeshje Europe, por ditën të fitojnë tri në shtatë ditë.

Ç’JAVË! – Duke parë momentin, është normale që dikush mund të ketë dëshira ta shijojë, por koha nuk premton. Milanit i duhen pikë për Europën, por edhe për Serinë A, të cilat duhet t’i gjejë të enjten në Sevilje dhe të dielën në “San Siro”. Në ditë më të mira, Gatuzo, mund të bënte pak rrotacion, por me Kaldarën, Kalabrian, Bilian, Bonaventurën, Çalhanoglunë e Higuainin e dëmtuar, trajneri kuqezi duhet vetëm të shpikë. Në takimet e radhës mund të luajnë përsëri të njëjtët, e ndoshta është momenti për t’i besuar përsëri Senekës: “Lodhja forcon trupin”, gjithnjë nëse të lejon të qëndrosh në këmbë.

Sinjale – Në morinë e vështirësive, Milani gjeti dhe një grup të papritur protagonistësh, me Bakajokon simbol të rimëkëmbjes. Francezi po blindon mesfushën në mungesë të Bilias, teksa Zapata po i jep moment pushimi Muzakios e Romanjolit. Kastijeho po përshtatet duke zëvendësuar këdo (shih: Kalabria, Çlahanoglu, Borini e Higuain) ndërsa të tjerët si Kesi apo Kutrone po sakrifikohen në duke shtrënguar dhëmbët. Se sa do të zgjasë ky moment, përgjigjet do të na i japin Betisi dhe Juventusi, teksa Gatuzo shpreson të rigjejë ndonjë nga të dëmtuarit. Nëse “Djalli” ia del të marrë rezultate pozitive këto ndeshje, për rivalët parashikohen ditë ferri, përndryshe Gatuzo me të tijtë rrezikojnë të digjen përsëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"