ANALIZA/ “Mediat në kohën e koronavirusit dhe ‘premtimi’ i qeverisë për 100 milion USD kredi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2020 | 15:17

ANALIZA/ “Mediat në kohën e koronavirusit dhe ‘premtimi’ i qeverisë për 100 milion USD kredi”

Nga Aristir Lumeziopinion-lumezi-770x426

Shqipëria ka hyrë në javën e tretë të izolimit për të mos lejuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit. Masat e ashpra të qeverisë për të kufizuar e më pas për të ndaluar qarkullimin e mjeteve por dhe të qytetarëve, duket se po mbajnë nën kontroll shpërthimin e një epidemie me përmasa katastrofike për vendin.

Mediat iu përgjigjën menjëherë këtyre masave, për të mos lejuar këtë armik të padukshëm që të pushtojë popullatën, duke reduktuar stafet e tyre dhe grumbullimet e gazetarëve në redaksi apo studio.

Shtypi i shkruar, avancoi edhe më tej, ndaloi që ditën e dytë të urdhrit të qeverisë, shtypjen e gazetave dhe daljen e tyre në treg, për shkak se pikat e shitjes mund të ktheheshin në një vatër grumbullimi të qytetarëve, çka do të shtonte mundësinë e transmetimit të këtij virusi.

Ka më shumë se 11 ditë, që gazetarët janë të izoluar në shtëpitë e tyre, duke u marrë me angazhime të pjesshme në portalet respektive të gazetave të tyre. Por, të mos harrojmë se vetë gazetat në versionin e tyre online kanë stafe që punojnë rregullisht në mënyrë të pandërprerë për të pasqyruar situatën me të vetmin lajm dhe argument, Koronavirusin.

Në këtë mënyrë, gazetarët e shtypit të shkruar, por dhe të televizioneve, kanë mbetur po aq të papunë sa dhe punonjësit e kompanive të mbyllura në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Dhe në këtë pikë, pritej që qeveria në kuadër të masave financiare në mbështetje të të punësuarve të mbetur pa punë për shkak të koronavirusit, duhet të kishte konsideruar dhe trajtimin financiar të gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Kjo nuk është bërë, madje është injoruar edhe pse është kërkuar ditë më parë nga shoqatat e gazetarëve.

T’i thuash biznesit “të dal unë garant me 100 milionë USD dhe shko merr kredi në bankë për të paguar rrogat”, kjo nuk është mbështetje financiare, sepse nuk ka bankë në botë që i del garant vetë qeverisë nëse kërkon borxh për të paguar rrogat e administratës së saj!!!

Nëse shohim mbështetjen financiare që japin vendet si Greqia, 800 euro deri në fund të prillit për çdo punonjës që është detyruar të lerë punën, apo Anglia që jep 80 përqind të pagës për çdo punonjës, shohim se këto janë ndihma financiare që shkojnë direkt në buxhetin familjar.

Kuptohet që Shqipëria nuk ka buxhete të tilla si ai i Anglisë, Francës, Italisë, apo Gjermanisë, por qeveria duhet të ndajë të mira materiale për qytetarët e saj në këto ditë sakrifice për këdo, edhe për të. Të mos harrojmë se Greqia sapo ka dalë nga një recesion i gjatë, gati 10 vjeçar. E nëse një vend nuk është i aftë të tregojë anën e tij humane në të tilla ditë të vështira për çdo qytetar të tij, çdo gjë që është thënë deri në atë ditë ka qenë thjesht fasadë. Kjo është prova reale për këllqet e një qeverie në administrimin e financave të saj. Por është cinike kur dëgjon nga ana tjetër ndonjë qeveritar që në vend të reflektimit dhe ndjesës për këtë pamundësi, të kujton Migjenin madje duke cituar…Zoti të dhashtë!!!

Zv.kryeredaktor i Gazetës “Panorama”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"