ANALIZA/ Liga Profesioniste, një “lodër” në duart e FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 20:10

ANALIZA/ Liga Profesioniste, një “lodër” në duart e FSHF-së

Kërkesat e klubeve shqiptare mund të jenë të drejta, por pyetja është: A ekziston vërtet Liga Profesioniste? Çfarë roli ka ajo? Ku i ka zyrat? A ka një numër kontakti, një “e-mail”, një zëdhënës shtypi dhe struktura të tjera? Këto janë pyetje që vijnë vetvetiu duke parë se çfarë ka ndodhur deri tani me bashkimin e klubeve të Superiores. Por, jo vetëm kaq.

mbledhja fshf

Kemi parë në të kaluarën që presidentë klubesh i kanë braktisur sistematikisht mbledhjet e saj, ndër ta edhe Partizani. Ka pasur një dorëheqje të kryetarit të Ligës Profesioniste dhe më pas nuk u dha asnjë shpjegim për këtë. Liga Profesioniste e Futbollit nuk mund të bëjë asnjë veprim institucional pa u njohur nga shteti, pa u regjistruar, pa pasur zyra, pa pasur punonjës e sektorë, pa pasur telefon dhe “e-mail”.

Kush është zëvendëspresidenti dhe sekretari i përgjithshëm i saj? Cili është sektori i marrëdhënieve me publikun? Nga ana tjetër, zor se mund të ketë ligë me 9 presidentë klubesh apo deri dhe me veprimin qesharak që kur skuadrat zbresin nga kategoria, bashkë me to zbritkan edhe dy presidentët e tyre nga liga. Sipas përvojës ndërkombëtare, themelimi i ligës në një vend si Shqipëria, që e themelon për herë të parë pra, duhet të jetë mbarëkombëtare, pra ku të marrin pjesë të gjitha skuadrat e të gjitha kampionateve profesioniste.

fsh (1)

Të paktën këtë le ta quajnë Liga e Kampionatit Kombëtar (e Superligës) me vetëm 10 skuadra e të biem rehat. Por, edhe kjo duhet bërë me zgjedhjet e një asambleje, jo duke e themeluar dhe “rrëmbyer” vetë FSHF-ja që piloton në krye zëvendëspresidentin e saj. Është kryekëput pa kuptim, madje joligjore edhe po t’i referohemi ligjit të sportit. Do të ishte shumë më e ndershme që kjo mbledhje t’i përkiste FSHF-së dhe të guxonte ky institucion për të bojkotuar kampionatin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"