ANALIZA/ Lëv nuk bind me Gjermaninë, rrezikon shkarkimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2020 | 9:34

ANALIZA/ Lëv nuk bind me Gjermaninë, rrezikon shkarkimin

Gjermania barazoi të mërkurën ndaj Turqisë në një ndeshje sa të bukur aq edhe të pafat. Ballkanasit ndëshkuan skuadrën e Lëvit në minutën e 93-të duke u marrë atyre një barazim i cili nuk vlen asgjë përveçse statistikave. Të shumtë ishin ata tifozë që pas ndeshjes kritikuan skuadrën dhe në veçanti trajnerin Jokaim Lëv. Futbolli gjerman po kalon një moment jo të qetë duke parë edhe ngjarjet e fundit në lidhje me skandalin për evazion fiskal të ish-presidentit të federatës Rainhard Grindel. Për t’u rikthyer te ndeshja miqësore, Gjermania është larg pritshmërive me mënyrën se si luan dhe rezultatet.
lev
MUNGON DËSHIRA
“Pancerat” kanë humbur nervin, ajo që prej dekadash ka qenë pika më e fortë e tyre. Skuadra nuk ka cilësi dhe freski në lojë. Shumë lojtarë impenjohen jo në 100% e mundësive të tyre pasi tashmë mendojnë vetëm për klubet. Miqësorja me Turqinë u duk se ishte më shumë se një angari për gjermanët të cilët do të ndeshen nesër në Ligën e Kombeve ndaj Ukrainës.

LËV PA IDE
Dështimit në Kupën e Botës në 2018 i shpëtoi vetëm Joakm Lëv, i cili jo vetëm që nuk u shkarkua, por iu ofrua edhe mundësia e rinovimit. Kontrata e tij me federatën gjermane skadon pas Botërorit 2022 në Katar, por për hir të vërtetës skuadra nuk është se ka ndryshuar shumë që pas asaj kohe, Edhe pse Lëv doli me shpatë në dorë dhe largoi tre nga lojtarët më të mirë, Humels, Boateng dhe Myler. Për këtë të fundit kërkesat për rikthim kanë qenë të mëdha nga opinioni publik pas sezonit fantastik që bëri me fanellën e Bajernit. Dëshpërimi pas ndeshjes me Turqinë ishte i madh edhe te trajneri i cili kritikoi lojën e disa prej lojtarëve të tij. Mungesat e shumta ishin një tjetër arsye që Gjermania vuajti të mërkurën. Lëv nuk aktivizoi asnjë prej lojtarëve të Bajernit, pasi këta të fundit po vuajnë jo pak lodhjen e sezonit të kaluar.

KËRKOHET KTHESA
Gjermaninë nuk mund ta shpëtojnë dot më deklaratat boshe dhe as premtimet. Nga lojtarët pritet që të flasin në fushë duke nisur nga ndeshja e nesërme. Përveç fitores kërkohet edhe një lojë e bukur. Lëv mund të rrezikojë jo pak nëse nuk merr rezultat pozitiv. Largimi i tij mund të ndodhë edhe para Europianit në verë. Tani askush nuk e ka më vendin e sigurt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"