ANALIZA/ Kush janë humbësit dhe fituesit e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 0:09

ANALIZA/ Kush janë humbësit dhe fituesit e sezonit

Sezoni që lamë pas në Bundesligën gjermane ishte pa dyshim nga më të veçantit. Jo vetëm për shkak të pandemisë, e cila bëri që futbolli të ndalej për gati 2 muaj, por edhe për atë çfarë dhanë skuadrat në fushën e lojës. “Bild” zbulon se kush ishin fituesit dhe humbësit e sezonit 2019-2020.

bayern_munich_players_during_the_trophy_presentation_after_claiming_the_bundesliga_title_june_27_2020._reuters

ALFONSO DEJVIS

Kanadezi i ardhur në sezonin e kaluar nga MLS-ja ishte pa dyshim lojtari që la me gojë hapur çdo kritik. I blerë pa shumë bujë, Dejvis u integrua në mënyrën më të mirë të mundshme në skuadrën e Bajernit.

Në krahun e majtë ai mori një përgjegjësi të madhe duke bërë që të harrohej edhe David Alaba, ky i fundit u spostua në qendër të mbrojtjes për shkak se mungonin Zyle dhe Hernandez. Vlera e lojtarit të Bajernit në treg është rritur ndjeshëm. Ai nuk është i vetëm, pas tij janë edhe Joshua Kimish, Leon Gorecka dhe Benzhamë Pavar.

GLADBAH

“Dhelprat” u renditën në vendin e katërt dhe arritën të kualifikohen për në Champions. Një arritje e madhe jo vetëm nga ana sportive, por edhe ajo financiare. Për një skuadër si Gladbah, 35 milionë eurot e fituara nga pjesëmarrja është diçka e madhe. Por klubi gjerman ka bërë mirë edhe në menaxhimin e lojtarëve.

Zakaria, Plea dhe Turam janë lojtarë që kërkohen nga shumë skuadra në Gjermani dhe jashtë saj. Vlera e tyre është rritur shumë në krahasim me sezonin e kaluar duke bërë që drejtuesit të mendohen mirë nëse duan të rrisin akoma më shumë financat e klubit.

DËSHTON DORTMUND

Pritej shumë e më shumë nga skuadra e Borusias së Dortmundit. Me kontingjentin e lojtarëve që kishte në dispozicion, verdhezinjtë mund të ishin një kërcënim edhe më i madh për Bajernin.

Edhe pse skuadra e Lysien Favresë u mundua, në fund bavarezët dominuan dy ndeshjet direkte dhe në fund u shpallën kampionë, madje 4 javë para se të përfundonte sezoni. Mungesa e kapitenit Marko Rojs, luajti pa dyshim që rol kyç në dështimin sezonal.

Lojtari i kombëtares gjermane nuk ishte në asnjë moment deciziv për skuadrën e tij duke e lënë atë në baltë në momentin kur ajo kishte më shumë nevojë për të (ndeshja e kthimit me Bajernin).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"