ANALIZA/ Higuain në vetmi, por as muskujt nuk mjaftojnë për këtë Milan

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 27, 2018 | 14:52

ANALIZA/ Higuain në vetmi, por as muskujt nuk mjaftojnë për këtë Milan

Mbajtje topi sterile, manovër e ngadaltë dhe pak ide. Në pasndeshjen e Napolit, Xhenaro Gatuzo listonte këto elementë si shkaktarë të humbjes së Milanit, duke harruar se mes futbollit rezultativ dhe menaxhimit të gabuar të topit ka një ndryshim jo të vogël.

Regjia – “Djalli” ka një problem shumë të madh dhe ai dallohet në mesin e fushës. Muskujt shpesh nuk mjaftojnë nëse truri nuk funksionon si duhet, ndaj pa bërë lojë fjalësh, duhet thënë se ekipit i mungon një element që të thurë siç duhet manovrën.

Lukas Bilia ka shumë vështirësi dhe ato nuk mund të mbulohen më. Argjentinasi ka probleme të mëdha në menaxhimin e topit në mesin e trafikut përpara mbrojtjes, teksa në organikë është i vetmi me karakteristikat e regjisorit, duke parë që Montolovi nuk bind më askënd. Ardhja e Bakajokos ndihmon Kesin, por dukshëm këtij Milani i duhej një lojtar me tjetër brumë. Francezi në pak minuta ndaj Napolit tregoi të gjithë mungesën e përvojës që e karakterizon, pavarësisht se për dikë që ka luajtur në Champions, të paktën, qasja duhet të kishte qenë e ndryshme.

milan

Vetmia e numrit 9 – Shumëkush, mbase edhe duke gabuar, mendonte se bashkëngjitja në skuadër e Gonzalo Higuainit do të zgjidhte problemet e Milanit me magji. Sulmuesi që debutoi ndaj Napolit, preku vetëm 31 topa dhe nuk kërcënoi asnjëherë seriozisht portën e Ospinës, por pavarësisht kësaj prova e tij nuk mund të konsiderohet negative. “El Pipita”, që na ka mësuar me gola, “shijoi” të shtunën një mbrëmje vetmie, si ato që në shtatë sezonet e fundit i kanë provuar shpesh të gjithë ata që janë munduar të mbajnë fanellën me numër 9 të Milanit. Ish-bomberi i Napolit dhe Juventusit, në “San Paolo” nuk u shërbye thuajse kurrë dhe gjithçka e mirë që realizoi erdhi si pasojë e iniciativave personale.

Sot Milani ka sulmuesin më të mirë të Serisë A, por edhe një lojtar i tillë ka nevojë për mbështetje. I vetmi që kërkoi me këmbëngulje bashkëpunimin me Gonzalon, ishte Diego Laksalt, që sidoqoftë luajti vetëm në minutat e fundit të sfidës kundër Napolit. Me rikthimin e Çalhanoglusë nga skualifikimi, disa gjëra mund edhe të ndryshojnë, por gjithsesi nuk është rastësi që pas Zlatan Ibrahimoviçit, të gjithë kuqezinjtë që janë përpjekur të bëjnë pykën ndër vite kanë dështuar mjerisht. Ilaçi si gjithmonë duhet gjetur te puna, teksa Higuain mund të kthehet te goli falë edhe mbështetjes së njërit apo disave, mes Çalhanoglusë, Susos, Bonaventurës, Laksaltit e Kastijehos, që kartat për të qenë dhënësit e pasimit të fundit i kanë në rregull, fundja Higuain nuk mund dhe nuk duhet të ndiejë vetminë e numrit që mban mbi shpinë.





www.minuta90.com