ANALIZA/ Hazard mahnit Realin, tani i mungojnë vetëm golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 19:56

ANALIZA/ Hazard mahnit Realin, tani i mungojnë vetëm golat

Eden Hazard do ta kujtojë mbrëmjen në “Ipurua” si një nga ato që i ndryshoi jetën në Madrid. Nuk ishte as ndeshja që dha më shumë pasime, as ajo ku bëri më shumë goditje në portë. Madje nuk bëri asnjë goditje në kuadrat dhe nuk shënoi. Goli i tij i fundit është në ndeshjen kundër Granadës. 

eden hazard

Pavarësisht gjithçkaje, sulmuesi belg bëri një paraqitje spektakolare, me aksione të bukura dhe interesante. Hazard rikthehet të shkëlqejë në fushën e lojës dhe ky është një lajm fantastik për skuadrën e Realit të Madridit. Ndryshimi i ritmit të lojës dhe aksionet në krahun e majtë ishin magjepsëse. Hazard tani është në Madrid. Iu deshën 16 ndeshje.

Mund ta konsiderojmë si një fazë përgatitore, e cila zgjati çerek sezoni. Fizikisht është më mirë se më parë. Ndihmoi skuadrën në aspektin mbrojtës dhe rikuperoi 7 topa në ndeshjen kundër Eibarit. Vetëm Kasemiro rikuperoi më shumë sesa belgu. Kishte më shumë besim në vetvete dhe ishte më i përgjegjshëm në gjithçka bënte. “Hazard ka nevojë për të gjetur formën fizike optimale. Do të vijë shumë shpejt”, thonë në zyrat e Madridit. E kanë kritikuar maksimalisht në fillimin e sezonit dhe i bënë presion për formën e dobët fizike. Një dëmtim e la jashtë fushave për një kohë të gjatë, por pastaj u rikthye.

Nga 14 shtatori dhe deri tani ka luajtur 11 nga 12 ndeshje. Nga sfida në sfidë konfirmon bashkëpunimin e mirë me Benzemanë. Hazard mbështetet shumë te francezi dhe i dha 6 pasime. Vetëm Modriçit i pasoi më shumë. Edhe Benzema iu përgjigj duke e pasuar 10 herë. Problemi i vetëm janë statistikat në krahasim me vitin e kaluar. Me fanellën e Çelsit kishte shënuar 8 gola dhe kishte dhënë 7 asiste, ndërsa në Madrid ende nuk ka shkëlqyer në këtë aspekt. Me atë që tregoi kundër Eibarit, golat dhe asistet do të vijnë shumë shpejt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"