ANALIZA/ Gjermania, ja kush bindi dhe zhgënjeu në dy ndeshjet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 18:43

ANALIZA/ Gjermania, ja kush bindi dhe zhgënjeu në dy ndeshjet e para

Dy ndeshjet e para u luajtën pas zhgënjimit në Botërorin e Rusisë. Hapat e para tashmë janë hedhur drejt ringritjes së “pancerave” ne elitën e futbollit botëror. “Skysport” analizoi të gjithë lojtarët që bindën me perfomancën e tyre dhe atyre që nuk shkëlqyen në ndeshjen me Francën dhe Perunë.

“Kemi bërë një hap përpara drejt një rruge të mirë, por akoma asgjë nuk është ashtu siç duhet të ishte. Kemi akoma punë për të bërë”, ishin fjalët e Tomas Mylerit pas ndeshjeve të para. Por, shumë lojtarë i lanë një shije të mirë trajnerit Lëv duke i dhënë shpresë për një fazë kualifikuese dinjitoze, edhe pse në një grup ferri me Holandën dhe kampionët e botës, Francën. Por, kishte edhe nga ata që nuk ishin në nivelin e pritur, ndonëse trajneri nuk u shpreh me emra konkretë pas ndeshjes, duke evidentuar ndonjë pakënaqësi në këtë fazë delikate që po kalon kombëtarja.

gjermania

LOJTARËT QË BINDËN

Zhoshua Kimish – 23-vjeçari luajti në dy ndeshjet në pozicionin e tij të preferuar. Përpara mbrojtjes dhe jo në krahun e djathtë siç jemi mësuar ta shohim te Bajerni. Ky eksperiment ngjason shumë me atë të Filip Lahm që në fund u kthye sërish si mbrojtës krahu, por Kimish tregoi siguri sidomos në ndeshjen e dytë ndaj Peruanëve.

Matias Ginter – Pasi vendi në krahun e djathtë të mbrojtjes u la i lirë nga Kimish, Ginter bindi me dy paraqitjet e tij në repartin defensiv. Trajneri Lëv i besoi dy herë radhazi një vend në formacionin e parë lojtarit, që tregoi se mund të jetë një garanci në të ardhmen.

Julian Brandt – Ndaj Francës lojtari që luan në Leverkusen duhet të shihte gjatë gjithë 90 minutave si spektator. Ndërkohë, ndaj Perusë atij iu dha mundësia që arriti ta shfrytëzonte në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes. Goli i barazimit ishte qershia mbi tortë e një paraqitjeje shumë bindëse.

Ikai Gyndoan – Pas çështjes “Erdogan” në të kaluarën, nga tifozët kishte vetëm pak vërshëllima, të cilat u reduktuan me kalimin e minutave. Në ndeshjen e dytë ndaj Perusë, Ikai zhvilloi një ndeshje të mirë duke kontrolluar të gjithë mesfushën gjermane, e cila luajti me pasime të shumta.

LOJTARËT QË NUK BINDËN

Timo Verner – Sulmuesi që luan në Lajpcig u pozicionua në dy ndeshjet si krahun e sulmit gjerman. Edhe pse u mundua të bënte diçka, atij i mungojnë energjitë e duhura për të shpërthyer ashtu siç bën në Bundesligë. Ndoshta një aktivizim në qendër të sulmit do të ishte më shumë i përshtatshëm për të.

Ter Shtegen – Portieri ishte i pafat në golin ndaj Perusë duke bërë një figurë jo shumë të mirë. Me një Manuel Nojer në formë të mirë, është e vështirë që ai të ketë një shans për të luajtur si titullar në ndeshjet e rëndësishme.

Marko Rojs – Sulmuesi 29-vjeçar luajti si qendërsulmues në dy ndeshjet e fundit duke mos arritur të gjejë hapësirat e duhura, edhe pse u mundua shpesh të depërtonte në zonat e ngushta të kundërshtarëve. Rojs nuk u duk i lumtur dhe për këtë ka shumë pak faj, pasi në pozicionin e tij natyral gjerat do të kishin qenë ndryshe.

Julian Draksler – 24-vjeçari që luan me Parisin në Francë nuk arriti të luante asnjë 90-minutësh të plotë në të dyja ndeshjet. Vetëm 45 minuta pa shkëlqim ndaj Perusë ishin shumë pak, kjo vjen si pasojë e aktivizimit të pakët me skuadrën pariziene duke parë edhe konkurrencën e madhe që ka te kampionët francezë. Ai duhet të gjejë një skuadër tjetër sa më shpejt të jetë e mundur për të rifituar besimin te vetja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"