Analiza/ Francë “italiane”, zgjidhja taktike që solli Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2018 | 17:34

Analiza/ Francë “italiane”, zgjidhja taktike që solli Kupën

Për t’u shpallur kampionë bote duhen kompromise dhe Franca vendosi të përdorte verën në vend të shampanjës. Paralelizmi futbollistik i rastit përkon me një ekip që hoqi dorë nga tradita në këmbim të suksesit.

francaaaaa

Pas mbrëmjes të së dielës duken të largëta kohët e Zhires e Platini që sillnin një Europian në Francë, teksa tashmë driblimet e Zidanit apo virtuozizmat e Xhorkaefit janë një kujtim i ëmbël. “Gjelat” e saposhpallur kampionë ngjasojnë më shumë me një grup sprintierësh sepse kanë forcë, muskuj dhe grintë, pa harruar që drejtohen nga një gjeneral që jep gjithmonë urdhrin e duhur.

NDESHJA- Në finalen e Kupës së Botës, francezët u paraqitën si një orkestër, e cila e njihte më së miri partiturën. Brozoviç si regjisor i tërhequr, Modriç në të djathtë dhe Rakitiç në krahun tjetër ishin lëvizja taktike e Daliç, teksa Deshamp rreshtoi një mur përpara portierit, një digë përpara mbrojtjes me Grizman që merrte topin e parë nga Pogba dhe qëndiste aksione të shpejta njëri pas tjetrit.

francaaa

Teorikisht, pamë një Francë që hoqi dorë nga spektakli, ndërsa praktikisht rreth mesfushës kroate ishte një kafaz njerëzor që minimizoi rreziqet.

PRITJA- Mesfusha franceze kishte detyra mbrojtëse dhe këtë e dëshmojnë 91 pasimet e Pogba me shokë kundrejt 228 nga Kroacia. Kur “gjelat” arritën në dhjetë pasime të dobishme, Modriç me shokët kishin kryer 30. Edhe mbajtja e topit ishte një kërkesë e Deshamp, i cili preferoi të ishte konkret më shumë sesa sasior.

Daliç zgjodhi agresivitetin dhe të tijtë qëndronin 53.5 metra larg portës, ndryshe nga Umtiti e Varan që s’ia ndanin sytë portës dhe preferuan të qëndronin në 40 metra. Ky ishte edhe çelësi taktik, nga i cili Franca përfitoi golin e tretë dhe të katërt të sfidës, kur Mbape e Pogba përfituan nga situata të krijuara falë kundërsulmit. Në 2006 “gjelat” humbën për herë të parë një finale ndaj Italisë, por, me sa duket, e kanë përvetësuar më së miri mësimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"