ANALIZA/ Flik magjistar, ja pesë gurët që përdori ndaj Dortmundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 14:48

ANALIZA/ Flik magjistar, ja pesë gurët që përdori ndaj Dortmundit

Shifrat flasin vetë, me 56.5% të dueleve të fituara në tokë dhe 67% të atyre në ajër, Bajerni arriti të bukoste kundërshtarin në të gjitha hapësirat e krijuara. 

Flik

“Mund ta shihje qartë se ishim më të uritur për të fituar se kundërshtari”, tha Tomas Myler pas ndeshjes. Dhe në fakt ashtu ishte. Bajerni u shfaq plot dëshirë dhe agresivitet nga minuta e parë e takimit duke mos i lënë asnjë mundësi Borusias të hynte në lojën e saj.

Trajneri Hansi Flik duket se i ka bërë magji skuadrës që taktikisht bëri një nga ndeshjet më të mira të sezonit. Ndryshe nga një javë më parë ndaj Frankfurtit, bavarezët tani duken një skuadër krejt ndryshe.

MBROJTJA – Ishte pa dyshim reparti më problematik në këtë fillimsezoni. Edhe pse u investua shumë në merkaton e verës për të ndërtuar një mur para Manuel Nojerit, blerjet e reja nuk shfaqën asnjëherë potencialin e tyre. Me dëmtimin e Niklas Zyles dhe Lukas Hernandes, Hansi Flik kishte një detyrë të vështirë përpara klasikes gjermane.

Flik3

Por ish-asistenti i Joakim Lëv në Botërorin e Brazilit diti si të rreshtonte në prapavijë një skuadër kompakte. Pasi vendosi në të majtë Dejvis, Alaba dhe Martinez formuan dyshen e mbrojtjes duke spostuar në të djathtë Pavar. Gjithçka funksionoi në mënyrën më të mirë të mundshme me mbrojtjen që kishte jo vetëm siguri prapa, por niste me shpejtësi aksionet sulmuese. Ndeshja e së shtunës meriton pa dyshim notën 10.

KIMISH – Që është një mbrojtës krahu i zoti, këtë e dimë të gjithë. Por në mesin e fushës ai gjithashtu ka treguar se është i vlefshëm për skuadrën. Kovaç e provoi disa herë por më pas e riktheu atë në pozicionin e mëparshëm. Flik e ndryshoi që në ndeshjen e parë ndaj Olimpikaosit duke i dhënë atij detyra të reja. 23- vjeçari nuk zhgënjeu duke treguar edhe njëherë tjetër se është një nga lojtarët më të kompletuar në botë.

MYLER – Një tjetër rikthim ishte ai i Tomas Myler. Mesfushori gjerman uli në stol Kutinjon dhe u rikthye si në kohët e vjetra. Dy asiste në klasiken me Dortmundin vërtetuan edhe një njëherë se sa i rëndësishëm është ai për Bajernin. Ai njeh shumë herë më mirë lëvizjet e Levandovskit në sulm sesa braziliani, duke bërë që polaku të shënojë më shumë. Tani është radha e Kutinjos për të luftuar për një vend në formacionin e parë.

Flik2

REKORDET E LEVËS – Ai është pa dyshim lojtari më i mirë për momentin. Me kokë, me këmbë apo nga penalltia, Leva di të shënojë me të gjitha mënyrat. Të shtunën ai theu edhe rekordin që mbahej prej 50 vitesh nga Gerd Myler, i cili ishte i vetmi lojtar që kishte shënuar 15 gola në 11 ndeshjet e para. Leva shënoi dopietë duke shkuar në 16 gola sezonalë në Bundesligë.

TAKTIKA FLIK – Një njeri që njeh mirë shtëpinë e tij nuk ka nevojë për orientime, është një shprehje gjermane. Flik e ka ADN-në bavareze dhe kush më mirë se ai mund të shëronte plagët e skuadrës. Taktikisht ai e kishte përgatitur ndeshjen në mënyrë perfekte. Një futboll kompakt dhe i shpejtë u pa të shtunën nga kampionët në fuqi, të cilët nuk u falën asnjë centimetër verdhezinjve të ardhur nga Dortmundi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"