Analiza/ Flik, ja tri riparimet që duhen bërë te Gjermania

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2022 | 22:53

Analiza/ Flik, ja tri riparimet që duhen bërë te Gjermania

Ishte një fazë e parë e mirë për kombëtaren gjermane, që në Ligën e kombeve mbylli katër ndeshjet e para me 6 pikë. Pas një starti zhgënjyes me tri barazime në tri ndeshje, djemtë e Hansi Flik e mbyllën me një fitore të thellë 5-2 ndaj Italisë duke shuar çdo polemikë.

Flik

Trajneri Hansi Flik pranoi se në ndeshjet e para shumë gjëra nuk shkuan mirë dhe kjo për shumë arsye, por 56-vjeçari ishte optimist se pas ndeshjes me Italinë, gjërat do të merrnin një kthesë tjetër. Mediat gjermane kanë treguar se ku duhet të ndërhyjë Flik për të qenë sa më konkurrues në ndeshjet e shtatorit dhe më pas ato të Kupës së Botës.

1. MBROJTJA

Repartit difensiv është nga më të rëndësishmit në skuadrën e Flik, i përbërë nga lojtarë të cilët kanë fituar tituj në karrierën e tyre, ajo çfarë ju duhet është gjetja e ekuilibrave. Gjermania pësoi 5 gola në katër ndeshje dhe mund të themi që klasa është kaluar, por ajo që shqetëson tifozët është fakti se mungon vazhdimësia dhe shumë herë gabimet janë të nivelit amatoresk.

2.SULMI

“Gjermania nuk ka një bomber”, ishin fjalët e Manuel Nojerit para ndeshjes me Italinë. Në fakt, vetëm Timo Verner mund të quhet një sulmues i mirëfilltë që mund të bëjë rolin e pykës, pjesa tjetër janë sulmues krahu apo të dytë. Gjithsesi, në futbollin e sotëm kemi qenë dëshmitarë të taktikave të ndryshme ku kanë treguar se mund të kesh sukses edhe pa një pykë. Rasti i Barçës dhe i Mançester Sitit janë një shembull për t’u ndjekur.

3.SANE

Është ndoshta një nga detyrat më të vështira të Flikut. Rasti Sane është një rast që përsëritet çdo fillim sezoni në Gjermani. Vjet ndodhi me Bajernin në fillim të kampionatit dhe tani po ndodh sërish, këtë herë te skuadra kombëtare.

“Leroi do të shkëlqejë sërish”, ishin fjalët e trajnerit para ndeshjes së fundit. Ylli i Bajernit dha shenja jete, por ato nuk ishin të mjaftueshme për tifozët të cilët duan të shohin versionin më të mirë të tijin. Hansi e njeh lojtarin që nga koha kur ishin së bashku te Bajerni. Nëse është dikush që mund të ndezë zjarrin brenda tij, është pikërisht trajneri i kombëtares gjermane….të presim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"