ANALIZA/ Festë, dorëzim dhe shumë llogari! Mbyllet Kategoria e Parë, ja formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2022 | 21:48

ANALIZA/ Festë, dorëzim dhe shumë llogari! Mbyllet Kategoria e Parë, ja formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së fundit

Mbyllet Kategoria e Parë. Me 8 ndeshjet e luajtura të shtunën e 7 majit, u ul zyrtarisht sipari. Rezultatet shkuan deri diku brenda parashikimeve, por nuk munguan as çudirat. Në Ballsh kërkuan që të mos paragjykoheshin, por në fund u… mundën. Besa pranoi të mos u prishte festën ballshiotëve dhe që ta priste Bylisin në “Adush Muça”.

BYLISI

Një çmenduri kjo, por që u miratua nga vetë FSHF. Nëse ballshiotët ngritën kupën e kampiones dhe Eridon Qardaku u shpall “Këpuca e Artë” e kampionatit” me dygolëshin e fundit, as kavajasit nuk dolën fort keq. Me fitoren 3-2 në fushën e kundërshtarit, siguruan qëndrimin në këtë ligë. Festoi edhe Erzeni në të fundit ndeshje, falë asaj rrjete të Jasmin Raboshtës.

Mposhtën minimalisht Besëlidhjen dhe tashmë kanë gjithë të drejtën të mendojnë për elitën, atje ku do të militojnë sezonin 2021-2022. Lezhjanët nuk u shqetësuan fort, pasi rezultatet e rivalëve u jepnin qetësi për mbijetesën. Tërbuni mundi Korabin, rezultat që u leverdiste të dyjave.

Pse do të thoni ju? Nëse do të fitonin miqtë nga Peshkopia, pukjanët mund të zbrisnin të 6-ët në tabelë dhe përballjen e parë në finalen e “play off”-it do ta luanin me njëra-tjetrën. Por kjo u shmang. Tashmë të besuarit e Elvin Beqirit bëhen gati për të matur forcat me Apoloninë në transfertë.

Këta të fundit u argëtuan në 90-minutëshin final. Përballë Vorës së rënë prej disa javësh, shënuan 6 herë me Krasniqin, Omerin, Zogën, Smaçin, Kovaçin e Kananajn. Tomori “ngeci” te barazimi në shtëpi me Pogradecin, por ama mbeti i gjashti dhe tashmë do të masë forcat me Korabin për të tentuar ngjitjen në Superiore. Skuadra e Klodian Arbërit gjeti avantazhin me penalltinë e kthyer në gol nga Ervis Çaço, por festa nuk zgjati shumë.

Ishte Arbër Pengu që çoi shifrat në 1-1. Edhe pse vendësit ishin në inferioritet numerik për 30 minuta (pas daljes me të kuq të portierit Kadri Birja), miqtë nuk përfituan dot. Në kësi kushtesh, liqenorët do të diskutojnë mbijetesën në një finale me Orikun. Në “play out” shkon edhe Turbina, që u thye në Sarandë. Butrinti mbajti fjalën dhe mori hak, duke e likuiduar me një supergol të Gëzim Hyskës.

FORMACIONI ME I DOBET

Befasia ndodhi në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”, atje ku Maliqi priste Burrelin. Matjanët kishin mundësi matematikore për të bërë rokadën me Tomorin, por udhëtuan të dorëzuar. Edhe pse juglindorët i kishin larë duart me Kategorinë e Parë, shënuan tri herë me Ivanin, Muçollarin e Këndezin dhe i bënë mbyllje me dinjitet garës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"