Analiza e “Tatës”: Tirana t’i zgjedhë kapitenët si Roma, ngjitja në Superiore është siguruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2018 | 23:08

Analiza e “Tatës”: Tirana t’i zgjedhë kapitenët si Roma, ngjitja në Superiore është siguruar

Blendi Nallbani mendon se Tirana i ka mbyllur që tani llogaritë me ngjitjen. Ish-portieri madje thekson se bardheblutë do të shkojnë larg në kupë, ndërsa parashikon eliminimin e Kukësit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai i bën skanerin merkatos e shiritit, por nuk heziton që të japë një koment për Superioren dhe zgjedhjet e FSHF-së.

nallbani

Nallbani, si ishte 2017-ta e Tiranës?

Nisi me rënien dhe u mbyll me ringritjen. Ajo që ndodhi ishte e rëndë, por të gjithë duam që ta harrojmë një orë e më parë, ndaj të mos e qajmë më. Në Kategorinë e Parë po e justifikojnë veten, derisa kanë hedhur baza të forta e ngjitjen dhe, mbi të gjitha, kanë pretendime madhore për Kupën e Shqipërisë.

Merkaton e bërë deri më tani si e gjykoni?

Ze Maria ka marrë dy lojtarë nga ish-ekipi, ndaj mendoj se do të jenë të duhurit derisa edhe trajneri i njeh. Për largimin e Uellisonit pastaj, më vjen kaq. Bëri një sezon të mirë dhe këtë e thonë shifrat.

Një largim në mes të janarit a e zhbalancon ekipin?

Me nivelin që ka kjo kategori, përtej largimeve, ngjitja nuk duhet të diskutohet si temë. Madje, për mua, Tirana ka dalë që tani në Superiore. Veten e tregoi ndaj Vllaznisë, në Kupë.

Nallbani

E kanë forcën që të kalojnë edhe Kukësin në çerekfinale?

Aty do ta shohim Tiranën e vërtetë, por kam bindjen se do ta kalojnë Kukësin. Janë më lart se verilindorët, paçka se këta të fundit kanë ndryshuar diçka me trajnerin e ri, që është një emër realisht i madh.

“Paqja” mes tifozëve dhe klubit mungon ende…

Unë e kam thënë, e them dhe do ta them: “tifoz është ai që e do ekipin në ditë të mirë dhe të keqe”. E di që u mërzitën për stadiumin dhe me rënien, por duhet të kuptojnë që Tirana është e të gjithëve ne, jo e Halilit apo Nallbanit.

Tirana po u jep prioritet arkëtimeve prej shitjeve, mendoni se edhe këtë vit do ketë sukses kjo strategji?

Kohërat kanë ndryshuar dhe në këtë prizëm, Tirana është OK. Strategjia ka rezultuar e suksesshme, derisa vjet arkëtuan 650 mijë euro.

Blendi Nallbani

Blendi Nallbani

Mos ndoshta është vonuar me rinovimet, pasi Hoxhallarit i skadon kontrata në fund të sezonit?

Hoxhallarit i ka ardhur koha që të nisë një aventurë të huaj në fakt. Besoj se klubi do t’i ketë marrë masat, për të mos dalë i humbur.

Sulmi ka qenë “gangrenë” deri pak muaj më parë, por tashmë duket sikur është zgjidhur…

Me këtë bilanc duken si të “shëruar”. Por, sulmin do ta shohim vetëm në Superiore. Të gjithë ndoshta presin Kolën e Mingën në fushë, por tani këto janë kushtet.

A i mungon diçka kësaj Tirane?

Po! Vetëm Superiorja, asgjë tjetër.

Në një ndeshje në Shënkoll, Ze Maria bëri kapiten Sentamun. Si u ndie “Tata” kur shiriti shkoi te duart një të huaji?

Unë jam tifoz i Juventusit, por më pëlqen vetëm për diç- ka Roma: shiritin ua jep vetëm romanëve dhe kurrë jabanxhinjve. Nëse nuk e kishte Toti, e merrte De Rosi. Por te Tirana ky është zakon i vjetër, pasi e ka mbajtur edhe Lila me Mukën për shembul, pra nuk e kanë mbajtur “tironsit”. Gjithsesi, unë nuk e shoh si problem se në një ndeshje e mbajti një afrikan shiritin.

Si e keni parë Superioren, parashikoni ndryshime në pjesën e dytë të sezonit?

Skënderbeu është në rrugën e duhur. Kukësi po jep sinjale kthese gjatë kësaj minifaze, Partizani ka problemet e veta dhe shpresoj që të ringrihen. Mendoj se janë në garë me Flamurtarin dhe Kukësin për Europën, më shumë s’mund të pretendojnë.

Fino përballë Dukës, si i shihni këto zgjedhjet e FSHFsë?

E kujtoj Bashkim Finon pas viteve ’90, kur ishte në krye të Bashkisë së Gjirokastrës, si një njeri të lidhur ngushtë me futbollin. Ai i ka qëndruar pranë jo vetëm ekipit të Luftëtarit, por edhe Kombëtares. Është një njeri që e do futbollin dhe kjo për mua do të thotë shumë. Nuk hedh poshtë punën e bërë nga Duka, megjithatë një konkurrent i fortë si Fino, që është njeri i mirë mbi të gjitha, do t’u bënte mirë këtyre zgjedhjeve.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"