Kukësi “fut ujë” në mbrojtje, Skënderbeu mbetet i pakapshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2017 | 15:55

Kukësi “fut ujë” në mbrojtje, Skënderbeu mbetet i pakapshëm

SHKËLQIM MUÇA

 

Skënderbeu arriti të fitonte në ndeshjen e djeshme ndaj Kukësit, pasi u tregua një skuadër më e organizuar, më shumë sulmueseShkelqim Muca dhe u shfaq më këmbëngulës për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Gjatë gjithë lojës ishte më afër fitores dhe e siguroi atë. Korçarët janë një ekip me një strukturë shumë të mirë dhe në çdo pozicion kanë lojtarë të dubluar dhe bëjnë shumë mirë në fushë, pavarësisht nga mungesat apo rrotacioni që ndodh në fushë në ndeshje të veçanta.

Kjo është arsyeja përse Skënderbeu ka gjithmonë një standard loje të lartë dhe është gjithmonë një skuadër e kompletuar. Nga ana tjetër, Kukësin e pashë në vështirësi, një ekip pa një strukturë të qartë në lojë dhe i paharmonizuar mirë.

Dua të theksoj se verilindorët kanë lojtarë, por nuk janë ende të harmonizuar me lojën e njëri-tjetrit dhe bënë shumë gabime në qendër të mbrojtjes, ku është edhe shumë i lehtë për t’u çarë nga sulmuesit kundërshtarë.

Kukesi-Skenderbeu

Për mendimin tim, mbrojtja ishte reparti më i dobët në këtë ndeshje te Kukësi, pasi në çdo pasim vertikal Skënderbeu kthehej në një rrezik potencial në portën e Kukësit. Te Kukësi janë bërë lëvizjet e merkatos ndoshta jo të menduara mirë. Lojtarët që janë afruar mund të jenë cilësorë, por u duhet ende kohë për t’u ambientuar.

Ndërsa Skënderbeu në këtë drejtim është një skuadër më e plotë. Mendoj se është ende fillimi, por Skënderbeu ka qenë ekipi më gati që kemi parë deri më tani në Superiore. Edhe fazën përgatitore e ka bërë më të plotë dhe ka filluar kampionatin në gjendje më të mirë.

Skenderbeu

Mendoj se nuk ka asnjë arsye që korçarët të mos vazhdojnë me këtë ritëm, pasi kanë organikë të pasur dhe të dubluar në çdo pozicion. Pra, mendoj se është skuadra më e mirë e momentit.

Klubi korçar ka bërë mirë në merkato, duke menduar se me kualifikimin në Europë duhen më shumë lojtarë dhe është plotësuar, çka bën të mos ketë vështirësi në zëvendësimin e lojtarëve, si në ndeshjet e kampionatit, ashtu edhe ato të Europës, pavarësisht mungesave që mund të ketë gjatë rrugës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"