Analiza e Roberto Mançinit: Gaboni që e merrni Siti-Inter të mirëqenë, është e hapur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 17:10

Analiza e Roberto Mançinit: Gaboni që e merrni Siti-Inter të mirëqenë, është e hapur

Roberto Mançini po përgatitet që me Italinë e tij të zbresë në fushë në Ligën e Kombeve në qershor dhe përveç ankesës për kalendarin, ka analizuar edhe momentin e futbollit italian, që po shikon tri skuadra në finalet europiane të këtij sezoni.

mancini2

“Jam shumë i kënaqur për tri ekipet italiane në finalet e këtij sezoni, edhe pse do të kisha preferuar që datat e finaleve të ishin të ndryshme. Kombëtarja po përgatitet për dy ndeshje të rëndësishme në Ligën e Kombeve dhe për përgatitjet kishim nevojë për disa ditë më shumë.

Kjo nuk po ndodh dhe të gjithë duhet të kishin rënë dakord për disa gjëra. Do të kishim nevojë për pak më shumë ndihmë nga të gjithë, por mbi të gjitha datat, sepse janë krejtësisht të gabuara”, u shpreh trajneri i “axurrëve”, që foli edhe për finalet që i presin ekipet italiane, duke shprehur besimin e tij.

“Finalja e Champions League? Shumë e marrin si të mirëqenë, por unë mendoj se nuk do të jetë kështu. Siti do të ketë një avantazh, niset favorit, por është një sfidë shumë e hapur. Loja e Interit mund t’i vërë në vështirësi”, u shpreh 58-vjeçari, që ka qenë për katër sezone trajner i anglezëve, duke vazhduar: “Roma-Sevija është një ndeshje krejtësisht e hapur, janë dy skuadra të forta. E njëjta gjë vlen edhe për Fiorentina-Uest Hem. Skuadrat italiane mund të synojnë të tria të fitojnë edhe pse sigurisht që nuk do të jetë e lehtë”.

KOMBËTARJA – Mançini konfirmoi interesimin e Italisë për Lukas Piton, mbrojtësi i majtë i Vasko da Gama me pasaportë italiane: “Ne po i ndjekim të gjithë dhe nuk mendoj se do të ketë ndonjë të re në emrat e kësaj here, sepse ka shumë pak kohë. Piton e kam ndjekur prej pak kohësh, është interesant”. Në fund Mançini u ndal edhe te racizmi:

“Bllokimi i ndeshjeve mund të jetë një ide e mirë, por gjithçka duhet vlerësuar. Ne zakonisht e ekzagjerojmë kur ndodhin disa gjëra në Itali, por fatkeqësisht ndodh në të gjithë Europën, në të gjithë botën”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"