Tirana e dorëzuar, u gabua me zëvendësimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2021 | 17:15

Tirana e dorëzuar, u gabua me zëvendësimet

Nga REZART DABULLA

rezart dabulla

Derbi nuk më la shije të mirë. Nëse në duelin e fazës së dytë Tirana u mund nga Partizani, kjo ndodhi edhe sepse në fushë ishin lojtarë të rinj dhe pa eksperiencë. Pra kishte shumë mungesa. Në këtë ndeshje ishin të gjithë lojtarët në dispozicion, por për fat të keq ishin në një gjendje jo të mirë.

Kjo u pa që në fillim. Sinjali më i fortë gjatë ndeshjes ishte që Tirana u dorëzua që pas golit të Belicës. Vërtetë barazuan përkohësisht, por e humbën toruan. Batha e Çelhaka nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Lojtarët janë ata që gabojnë në fushë dhe nëse nuk bëjnë atë që kanë përgatitur në stërvitje, atëherë ndëshkohen. Tirana në asnjë moment nuk më dha ndjesinë se do ta fitonte ndeshjen.

Ishte shumë e rrëmujshme në fushën e lojës dhe shumë e lexueshme. Pa ritëm, pa ide. Nuk pashë një strategji se si duhet të fitohej takimi. Përveç dy-tri herëve që doli në krah Toshevski, por ato s’mjaftuan sepse nuk dha një kros të saktë nga krahët. Nuk sulmoi dhe shtyu nga krahët. Por gjithsesi Tirana gaboi edhe që largoi Toshevskin, sepse vërtetë nuk pasonte si duhet, por të paktën shtynte përpara. Futën dikë tjetër në atë pozicion dhe që nuk hodhi një kros në zonë.

Me ndërrimet e pjesës së dytë skuadra u ul dhe nuk u rrit. Për të kuptuar gjendjen e bardhebluve, mjafton të thuash që Vangjeli ishte më i miri në fushë, ndërkohë që ai vjen pas dy muajsh pushim dhe është 35 vjeç. Sulmuesit dhe mesfushorët tanë ishin një zhgënjim i vërtetë. Mund të qëllojë një ditë e zezë për njërin prej tyre, por ata qëlluan në një ditë të errët të gjithë në mesfushë.

Shehi Halili

NDËRRIME TË GABUARA

Përveç ndërrimit të parë Torasa-Toli, që m’u duk i goditur, te të tjerët gabuan. Futën një sulmues të gjatë për të goditur me kokë dhe hoqën të vetmin lojtar që po sulmonte nga krahët. Cili do të krosonte për të shënuar golin? Askush. Ishte gabim taktik, sepse Vairinen nuk mori një top në ajër.

Krahu i majtë i Tiranës nuk hodhi një kros në zonë. Unë nuk e pashë Ismajlgecin në sulm. Ndoshta trajneri i kishte dhënë detyra të tjera, por në sulm nuk tregoi gjë. Skuadrën nuk e shoh as në formë fizike. S’e di. Në kanë marrë pak ngarkesë apo janë të mbilodhur. Duhet ta zgjidhin. Partizani shfrytëzoi gabimet e Tiranës. Golin e dytë e shënoi me një skemë të bukur. Nuk e di nëse e kanë provuar në stërvitje, por Bardhi shfrytëzoi shpejtësinë pas kombinimit, dogji Çelhakën dhe shënoi gol.

Tirana pas derbit

PARTIZANI MË I QETË

Partizani luante mirë, kombinonte më shumë. Të kuqtë edhe gabuan në ndonjë rast, por nuk ishin aq të rrëmujshëm sa rivali i tyre. I çuditshëm është edhe fakti që të kuqtë ishin shumë të qetë, ndërsa Tirana ishte më nervoze. E kundërta duhet të ndodhte. Partizani duhet të ishte nervoz prej dy rezultateve zhgënjyese, por Tirana u tregua e papjekur.

Nuk mund ta fitosh një derbi kur nuk ke asnjë strategji për të fituar atë. Bardheblutë nuk e morën asnjëherë kontrollon e lojës, përveç 10 minutave të fundit që pranohet. Partizani ishte më i vendosur në fushë, qarkullonte më mirë topin. Kjo i ndihmoi që ta diktonin ata ritmin e lojës. Paraqitja në derbi na tregoi se përse Tirana nuk ka forcë të mundë ekipet e kreut.

Skuadra e kërkon golin vetëm me nxitim dhe pa shumë ide. Dakord, ajo është skuadra më e madhe, por në fushë këtë vit është më e dobët. Ky vit duhet të ishte i saj, të forcohej më shumë. Kishin buxhet dhe mund të bënin një skuadër të fortë. Që në verë duhet të zëvendësoheshin lojtarët e larguar, por nuk e bënë. E mbushën Tiranën me lojtarë ordinerë. Jo çdo futbollist është për Tiranën.

Tirana2

SEFERI

Seferi është blerje e goditur. Pa atë, Tirana do të ishte në krizë totale në majën e sulmit dhe nuk do të hidhte asnjë top pranë portës. Ai nuk është në formën e duhur, por gjithsesi repartin e bën vetëm ai. Problemi është që nuk e ndihmon dot skuadra dhe mesfusha nuk po i shërben si duhet dhe sa duhet.

Sa i përket afrimeve të tjera të janarit, për fat të keq janë të dështuara. Jam i bindur se do të vazhdojnë kështu, edhe pse nuk është mbyllur ende sezoni. Gabimet e merkatos vazhduan gjatë vitit. U ndërruan dy trajnerë dhe tani ekipi në këtë derexhe. Për mua ishte gabim edhe ikja e Dedes, sepse dëmtoi imazhin e Tiranës dhe anën taktike. Tirana po e vuan këtë situatë.

EUROPA

Objektivi i Tiranës është Europa, por nuk është çudi që të mos e arrijë dot. Tirana fiton me të voglat, por humbet me të mëdhatë. Nëse nuk mund rivalët, nuk ia del dot të shkosh diku. Jam kundër ideve që thonë se “janë pretendentë për titullin”. Tirana mund të kapë Europën, por jo me letra e gazeta, siç e fiton titullin, por duke mundur skuadrat që i dalin përpara. Mirëpo për fat të keq, aty përsëritet vazhdimisht e njëjta histori.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"