Analiza e “Panorama Sport/ Trajner i ngurtë dhe pak shpejtësi, 12 leksione nga humbja me Lituaninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 0:03

Analiza e “Panorama Sport/ Trajner i ngurtë dhe pak shpejtësi, 12 leksione nga humbja me Lituaninë

Humbja ndaj Lituanisë pasoi me një revoltë nga tifozët dhe opinioni publik, gati të pabesueshme. Nuk ishte më shumë për një humbje në shtëpi apo nga një ekip si Lituania. As nga një paraqitje e dobët në një moment. Por, ishte më së shumti si shumatore e një frike dhe pasigurie që kanë sot shqiptarët për Kombëtaren. Që prej Europianit Shqipëria ka qenë gjithmonë me dy fytyra. Tamam si me maskë. Nisi diçka me pompozitet për shkak të emrit të madh me Panuçin, por përfundoi në mënyrë katastrofike.

Kombetarja Reja
Erdhi Reja, bëmë dy fitore, e si të thuash gjetëm shpëtimin, por jo. Pastaj, një “shpikje” me Roshin mbrojtës të majtë dhe shkërmoqemi me Francën. Dhjetë muaj pushim prej pandemisë… Triumf në Bjellorusi, entuziazëm por e radhës një disfatë me Lituaninë dhe ku Shqipëria tregon anën tjetër të maskës. “Panorama Sport” sjell në një analizë 12 gjërat që na mësoi kjo humbje:

12 LEKSIONE NGA LITUANIA
shqiperia

1- Skema 3-5-2 është shumë e diskutueshme. Shqipëria sot, për të luajtur këtë modul dhe mbi të gjitha për të pasur sukses me të, duhet të ketë anësorë të shkëlqyer dhe sulmues cinikë. Një rast, një shpërthim në anësore duhet finalizuar me gol e në vazhdim të luash me pesë mbrojtës dhe të tentosh befasinë ndaj kundërshtarit…

2- Kemi një mesfushë të fortë por pak kreative, e cila ka vështirësi në lidhjen siç duhet të reparteve. Mesfushë që praktikisht, nuk e zgjidh asnjëherë ndeshjen. Goditje potente, ekzekutim… Asnjëherë!
bandicam 2020-09-04 20-58-34-769
3- Sulmi jocinik. Në Bjellorusi, ndeshja u zgjidh sepse Cikalleshi “shpiku” një gol. Kthesë e bukur, gjuajtje dhe finalizim i saktë. Kjo nxjerr në pah që Shqipëria nuk ka një lojtar “alla Salihi”: Një rast, një gol, dinak dhe të hidhur në zonë që herët apo vonë, e bën të tijën. Sadiku, që i ka këto cilësi, është jashtë forme. Ndërsa pjesa tjetër, Balaj, Manaj apo edhe Cikalleshi, duan të shërbehen mirë për të shënuar. Madje, as një potent si Bogdani dikur nuk e kemi…

4- Problem me tifozët. Në këtë kohë pandemie, kur luajmë jashtë pa spektatorë, na kthehet në situatë të favorshme. Luajmë pa presion dhe bëjmë gjëra të mira. Këtu? Ndihet shumë pesha e publikut dhe kjo i penalizon lojtarët. Ka momente vështirësie, që ekipi e ndien shumë peshën e publikut, adrenalinën, tensionin dhe presionin për fitore.
unnamed
5- Nuk kemi plan “B”. Është thjesht 3-5-2-shi dhe kaq. Ose, 5-3-2. Nuk ka tjetër mënyrë. Ose edhe sa u provua ndaj Lituanisë, nuk solli gjë.

6- Kemi një mbrojtje italiane, por nuk po e shfrytëzojmë. Në vend që ata, sot lojtarët më ekspertë si Hysaj, Strakosha, Gjimshiti etj, për vetë përballjet e përjetuara me ekipet italiane, nuk arrijnë të imponohen te pjesa tjetër e ekipit dhe… ta marrin përdore grupin.

Gjasula...

7- U vërtetua që Gjasula nuk mund të lihet vetëm pa Baren. Të dy plotësojnë njëritjetrin. Por, edhe që ekipi ka një varësi prej tyre.

8- Kjo skemë e nxjerr jashtë loje “numrin 10”, por problemi është se Shqipëria ende nuk e ka gjetur një Kukel. As një Basha apo një Lala, që së paku, të japë siç duhet dhe saktë pasimin.

9- Nuk ka alternativa të mira në krah. Mungojnë Hysaj apo Trashi, po pastaj? Cilët janë konkurrentët për të dy në fashat anësore?

reja hysaj

10 – Shqipëria ka një problem mentaliteti. Si? Së pari, janë futbollistë që nuk jetojnë në Shqipëri dhe nuk e përjetojnë si shqiptarët një humbje dhe që s’e bëjnë dallimin mes një miqësoreje, ndeshjeje në Ligën e Kombeve apo në kualifikueset e Botërorit. Ata janë lojtarë profesionistë, të shkëlqyer, por kanë një lloj shkëputjeje dhe pjesën e fanellës mbase duhet ta ndiejnë pak më shumë.

Ndonjëherë, edhe vetë kjo ndjeshmëri i vë në trysni të lartë. Së dyti, është se vijnë nga kultura të ndryshme futbollistike. Hysaj&Co, me mentalitetin italian. Një tjetër me atë gjerman. Një tjetër të futbollit kroat. Një nga Greqia ka tjetër koncept, etj, etj. Duhet kohë që t’i përshtatësh mirë. Një nga meritat e De Biazit ishte që u mori maksimumin lojtarëve dhe i bëri bashkë këto kultura të ndryshme sportive.

edi reja

11- Trajneri. Edi Reja, nëse ka një anë pozitive që është absolutisht ekspert pasi vjen edhe me 1000 ndeshje në Serinë A. Ka edhe atë anën tjetër pozitive, që është babaxhan dhe njeri i mençur. Por… Duhet të jetë më fleksibël në raport me atë çka do të ndërtojë në të ardhmen. Thënë shkurt. Duhet të punojë edhe për një PLAN B. Shqipëria, ndoshta mund të mos bëhet kurrë ekipi që do ai me këtë skemë. Sigurisht të punojë mbi këtë, por nuk ka pse të jetë i ngurtë dhe të thotë që kjo skemë është për ne dhe Roshi apo “x”-i janë të djegur.

Kombetarja

12- Pa shpejtësi. Që të luash me 3-5-2, duhet patjetër jo vetëm të kesh krahët e shpejtë, por edhe shpejtësi mendimi dhe loje që nga ai që do të nisë manovrën. Gjasula e ka, por do ndihmën e dikujt tjetër. Duhet edhe freski bashkë me shpejtësinë. Jo vetëm anësorët, por së paku një sulmues shumë të shpejtë dhe të mirë e shumë cinik. Ose një nga mesfushorët e treshes, cilido që del për të mbuluar Trashin apo Hysajn, të bëjë “Roshin”, shpejtësi në krahë dhe shpërthim në dalje. Për aspektin fizik, shtatori e tregoi që nuk jemi në gjendjen e duhur. Gjithashtu u pa qartë që ky grup, 2 ndeshje në 4 ditë, s’i përballon.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"