Analiza e “Panorama Sport”/ Skënderbeu trondit gjithë kampionatin, ja dilemat e mëdha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2018 | 23:43

Analiza e “Panorama Sport”/ Skënderbeu trondit gjithë kampionatin, ja dilemat e mëdha

Çfarë do të ndodhë tani me kampionatin? Kjo është dilema që ka kapluar futbollin shqiptar. Skënderbeu nuk do të jetë në Champions League dhe kjo u mor vesh, ashtu sikundër Kukësi dhe Partizani qartësuan të ardhmen e tyre. Por vendimi i KAS-it për të mos pezulluar dënimin ka shtuar paqartësitë për 260 mijë eurot që UEFA akordon për ekipin kampion. E ka dënuar Skënderbeun, por tashmë nuk dihet nëse qeveria europiane e futbollit do t’ua japë apo do t’ua “djegë” korçarëve këtë fond, ashtu sikundër veproi dy vite më parë.

skenderbeu

Dilemë ka edhe për drejtuesit e Skënderbeut. Çfarë do të bëjnë ata në vazhdim? OK, ky nuk është vendim definitiv dhe KAS-i mund ta rrëzojë dënimin 10-vjeçar, megjithatë problemi qëndron gjetkë. Nuk dihet ende nëse do të vazhdojë presidenti Ardjan Takaj me të njëjtin ritëm shpenzimesh.

A do ta ruhet skuadra që ka pasur, a do të ketë blerje “big” kur dihet që nuk do të jenë në Europë dhe rrjedhimisht humbjet financiare janë të garantuara?

Një tjetër dilemë lidhet me fatet e futbollit shqiptar. Nëse Takaj vendos që të bëjë një sforco të madhe financiare, të paktën deri në pritje të vendimit përfundimtar të KAS, do të evitohej edhe zhbalancimi i ekuilibrave në kampionat. Pra, Skënderbeu do vazhdojë të garojë në nivele të larta dhe rrjedhimisht do të jetë një ekip i konsoliduar. Nëse ndodh e kundërta, gjithnjë nëse presidenti vendos që të mos shpenzojë, atëherë kjo situatë do të pështjellonte edhe Kategorinë Superiore.

Skenderbeu

Lojtarët do fillonin të mendonin “divorcin” (dhe sinjalin e parë e dha Lilaj). Gradualisht ekipi do të tkur rej dhe pësonte ndryshime. Dhe me një Skënderbe, i cili nuk do ta nisë sezonin e ri me rivalitetit që ishim mësuar, do të kishim një kampionat shumë ndryshe nga ai që u mbyll.

Protagonist mund të mos jetë ndoshta Skënderbeu, për të mos menduar më të keqen, pasi mund të katandisen në një ekip që “e zhvatin” të gjithë duke i marrë yjet dhe rrezikojnë seriozisht që nga titulli të luftojnë për mbijetesë. Këto janë dilemat e mëdha për korçarët, që varen prej Ardjan Takajt, por prekin të gjithë kampionatin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"