Analiza e “Panorama Sport”/ Broja, Baloteli dhe Reja i inatosur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2022 | 23:45

Analiza e “Panorama Sport”/ Broja, Baloteli dhe Reja i inatosur

“Po i mbivlerësoni Brojën dhe Asllanin. Armando ka cilësi, por është si çelësi i dritës, një herë ndizet dhe një herë fiket”… Këto janë fjalët e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Edi Reja, për dy nga lojtarët më të rëndësishëm që ka sot Shqipëria.

reja

E tha publikisht në emisionin “Skaner” një ditë më parë. Njëri është 21 vjeç, tjetri është 20 vjeç. Njëri luan me Çelsin dhe tjetri me Interin. Kurrë më parë nuk e kemi pasur këtë “luks” pra që dy lojtarë kaq të rinj të kombëtares të luajnë në këto nivele.

Mirëpo trajneri ynë iu thotë shqiptarëve se Broja nuk luan rregullisht te Çelsi. Dhe nuk po gënjen në fakt. Broja luan pak në një nga klubet më të investuara në planet. Po a keni dëgjuar ndonjë te klubi londinez që t’i thotë Brojës se është si çelësi i dritës, që një herë ndizet dhe një herë fiket? Kurrë. A keni dëgjuar ndonjë ish-lojtar të famshëm anglez, nga ata që kanë fituar trofe ndër vite ta kritikojë Brojën publikisht? Asnjëherë.

Edi Reja ka shfryrë dy herë brenda javës për sulmuesin e Kombëtares së tij. Pak ditë më parë për mediat italiane Reja tha se “Broja nuk është për Napolin sepse është individualist dhe ngjan shumë me Osimhen që tani nuk luan te skuadra e Spaletit”. Natyrisht, Reja ka gjithë të drejtën ta kritikojë lojtarin e tij për shumë gjëra, por ta fshikullojë publikisht kaq ashpër duket e ekzagjeruar.

broja

A nuk mjafton që të gjitha vërejtjet që ka për Brojën dhe këdo tjetër t’ia bëjë privatisht? Sepse për hir të së vërtetës kështu duket si një trajner i inatosur me një djalë të talentuar që i ka dalë nga kontrolli dhe i ka kthyer opinionin publik kundër. Nuk mjafton më ta ketë mirë me shefat e federatës për të qenë rehat në krye të kombëtares, duhet që t’i bëjë “derman” rebelit Broja, që me heshtjen dhe golat e tij ia ka kthyer opinionin publik kundër. Dhe opinioni publik nuk gënjehet kollaj sepse e kupton se çfarë gatuhet.

Fundja e dimë që të gjithë se Broja nuk është as më i prapë dhe as më kapriçoz se Baloteli, me të cilin Mançini kapej me duar në sytë e miliona njerëzve, por në konferencën për shtyp zbuste gjithçka me shprehjen: “Djalosh me zemër të mirë, por ndonjëherë harron se kush komandon”. Ndoshta do të mjaftonte kaq edhe për djelmoshat e artë të Shqipërisë që Reja ka fatin të drejtojë sot.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"