Analiza e Olimpiadës, Ruli: E shkëlqyer! Shteti e KOKSH të kenë prioritet atletikën e shtangën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2021 | 18:38

Analiza e Olimpiadës, Ruli: E shkëlqyer! Shteti e KOKSH të kenë prioritet atletikën e shtangën

Me mbylljen e Lojërave Olimpike është kohë analizash dhe bilancesh. Gjergj Ruli, presidenti i një prej federatave më të rëndësishme në vendin tonë, siç është atletika, “skanon” eventin e mbajtur në Tokio. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ruli bën bilancin e “Tokio 2020”-ës, teksa e quan një Olimpiadë të shkëlqyer. Ruli thotë gjithashtu se përgatitjet duhet të kishin nisur shumë kohë më parë, ndërsa thekson se Komiteti Olimpik dhe organet shtetërore duhet të fokusohen kryesisht tek atletika dhe peshëngritja, pasi, sipas tij, këto sporte i sjellin vazhdimisht medalje vendit. Kreu i atletikës zbulon gjithashtu edhe një prapaskenë me kampionin olimpik, italianin Marsel Xhekobs.

gjergj ruli

“TOKIO 2020” – Presidenti i FSHA-së i komenton kështu Lojërat Olimpike të Tokios: “Kjo ishte Olimpiada më e suksesshme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Sportistët elitarë kanë pasur ngritje në rezultatet e tyre. Mjafton të shikojmë Izmir Smajljan që nga vendi i 24-t u rendit i 17- ti, Luiza Gega gjithashtu arriti finalen, e njëjta gjë edhe me peshëngritjen. Pra, do ta quaj një Olimpiadë të shkëlqyer, ndërsa presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, për aq kohë sa kishte në dispozicion, bëri maksimumin duke marrë iniciativa të mëdha. Gjithashtu, dua të falënderoj edhe Bashkinë e Tiranës për të gjithë mundësinë që i krijoi trupës olimpike, por dua të theksoj se dy muaj janë shumë pak dhe të pamjaftueshëm”.

PRIORITETET – Për Gjergj Rulin nuk ka asnjë dyshim, mes të gjitha sporteve, KOKSH dhe qeveria duhet të kenë prioritet absolut atletikën dhe peshëngritjen: “Kjo është shumë e qartë. Duhen parë të gjitha bilancet se ku mund të arrihet. Ku mund të arrijmë me notin, qitjen, xhudon etj.?! Sot Komiteti Olimpik bilancin duhet ta bëjë me atletikën dhe peshëngritjen, pasi janë këto sportet që duhet të jenë në qendër të vëmendjes dhe që mund t’i japin Shqipërisë medalje. Janë pikërisht këto dy sporte që prodhojnë medalje në evente ndërkombëtare”.

ATLETIKA – Ruli më tej ndalet te sportistët e atletikës, teksa nuk i kursen lëvdatat për ta: “Luiza Gega është një model pune. E kam thënë dhe e përsëris, ajo është një bletë punëtore. Pavarësisht moshës, nëse e stimulojmë dhe e mbajmë siç duhet, mund t’ia zgjasim karrierën edhe me 2-3 vite. Izmir Smajlaj është në top të formës së tij. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë edhe Franko Burrajn apo Heldi Valikajn, të cilit i ka dalë bursa në Amerikë dhe është një pretendent për të marrë fronin e Izmirit”.

KËRCIMI 8.5 METRA – I pyetur për deklaratën e bërë para Olimpiadës, ku ishte shprehur se priste një kërcim 8.4 apo 8.5 metra nga Izmir Smajlaj, duke iu referuar formës në stërvitje, Ruli sqaron: “Unë do ta quaj një ëndërr të keqe që Izmir Smajlaj nuk ka ardhur me medalje nga Olimpiada. Me ato rezultate edhe unë si ish-kërcyes do të kthehesha me medalje. Por ndikuan shumë faktorë, duke nisur që nga ndryshimi i orarit, ku koha para qenka shumë më e vështirë se ajo mbrapa, duke ndikuar shumë te pjesa e gjumit. E patëm shumë të vështirë përshtatjen me regjimin. Një tjetër anormalitet ishte fakti që nuk u futëm dot në stadium”, thotë kreu i atletikës shqiptare, i cili prej vitesh është gjithashtu edhe trajner personal i Smajlajt.

PRAPASKENA ME XHEKOBS – Në fund, Ruli ndalet tek italiani Marsel Xhekobs, i cili mahniti të gjithë botën me medaljet e arta në 100 metra dhe në stafetën 4×100 metra. Ruli zbulon disa prapaskena në lidhje me këtë atlet. “Kam studiuar metamorfozën e këtij sportisti, i cili ka qenë një atlet i kërcimit për së gjati dhe ka garuar kundër Izmir Smajlajt, duke u mundur në të gjitha garat nga atleti ynë, ku ju kujtoj Beogradin apo Ankonën. Nëse e mbani mend Europianin e Skocisë, aty ku Izmiri u dëmtua, italiani bëri tri faulle në eliminatore dhe u skualifikua. Xhekobs qante dhe ishte aq i mërzitur sa donte të linte sportin. Ne duke qenë se njiheshin prej kohësh, folëm së bashku me trajnerin e tij për ta bindur se nuk ishte fundi i botës. Ndërsa sot ai është kampion olimpik. Çfarë ndodhi? Ndodhi ajo që atleti kishte një bllokim në trurin e tij, por përgatitësja mentale, e cila është pjesë e stafit të tij, e bindi. Përveç kësaj edhe një staf i tërë biomekanik prej 12 vetash punoi me të. Pra, konkluzioni është se një skuadër mund të bëjë gjëra të mëdha. Në fund, pas konsultimit me të gjithë stafin, dolën në konkluzion se Xhekobs nuk jep në kërcim së gjati dhe kaluan në një tjetër dimension, siç janë garat e sprintit”, përfundoi Ruli.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"