Shqipëria serioze, por shumë e ngadaltë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2021 | 19:17

Shqipëria serioze, por shumë e ngadaltë

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Miqësorja e Shqipërisë me Uellsin ishte një ndeshje serioze. U pa nga dëshira për të mos e humbur atë, nga dyluftimet e ashpra dhe nga kartonët e verdhë që u morën në fund (7 të tillë).

 

Duhet ta themi se miqësoret, në disa aspekte janë shumë të rëndësishme, sepse ndihmojnë trajnerin të ketë ide më të qarta për gjendjen e grupit dhe për alternativat që ka ai në objektivin final: atë të ndeshjeve kualifikuese. Thënë këtë, unë mendoj se paraqitja e skuadrës kombëtare ishte me dy fytyra….

PRESINGU LART

Në përgjithësi mua më pëlqeu loja në pjesën e parë. Më pëlqeu sidomos presingu që bënë lojtarët tanë edhe pse nuk ishte i studiuar mirë. Por, kjo i shërbeu ekipit për të mbajtur lart kundërshtarët dhe e kapi në befasi mbrojtjen uellsiane. Për pasojë, erdhi edhe rasti i Manajt me topin e gjuajtur jashtë kuadratit. Më pëlqeu edhe lëvizshmëria, kujdesi në aspektin mbrojtës dhe dëshira për të dhënë gjithçka. Ka disa që nuk pajtohen me këtë sistem “total” të mbrojtjes, por unë mendoj se ishte një veprim i drejtë.

Manaj Uellsi

Uellsi është një skuadër e mirë dhe Shqipëria nuk e ka luksin që të luajë e shpenguar me asnjë kundërshtar. Aplikimi i presingut lart për disa minuta i dha një tjetër pamje lojës së skuadrës tonë, por pikërisht aty shfaqi edhe një tjetër dobësi tonën, mungesën e shpejtësisë në manovrën sulmuese ose në momentin kur ne e rrëmbenim topin. Kishte teprim në qarkullimin e topit dhe mungesë fantazie në mënyrën se si e kërkonim golin. Kjo na bënte të lexueshëm dhe joefikasë kur duhet të gjenim golin.

PROBLEM MESFUSHA…

Për mendimin tim, Uellsi nuk kishte ndonjë organizim loje të mirë, sidomos në pjesën e parë. Ky element nuk u shfrytëzua nga Shqipëria. Pse? Sepse mesfushorët tanë luajnë të ngurtë dhe me një “frikë” të tepruar kur duhet të guxojnë e të dalin përpara. Dhe ky është një problem i vjetër, që me sa duket as trajneri dhe as lojtarët nuk po e zgjidhin dot. Jemi dakord që të gjithë se mbrojtja është reparti më i ekuilibruar i Kombëtares shqiptare, për shkak se ka lojtarë që luajnë në nivele të larta dhe me shumë përvojë. Bukur!

Po mesfusha? Ndoshta nuk ka të njëjtat cilësi me mbrojtjen, por gjithsesi ka cilësi për të bërë më shumë se aq. Por, në momentin që aktivizojmë 3 lojtarë me tipare mbrojtëse, dy anësorëve (Doka dhe Lenjani) u kërkojmë që vetëm të mbrojnë dhe një lojtari me cilësi teknike të mira si Çekiçi nuk ia japim “lejen” që të vertikalizojë e të gjuajë nga distanca, atëherë kemi izoluar sulmin.

Po, po kemi izoluar sulmin. Shikoni se sa pasime të sakta morën Manaj dhe Balaj? Sa krosime morën nga krahët në manovrat sulmuese dhe jo në goditjet standarde…? Atëherë, problemi është pikërisht ky. Mesfusha e një skuadre është thelbësore në klub dhe në kombëtare.

Lojtarët tanë të mesfushës, përtej disa limiteve që kanë në aspektin teknik, janë të ngarkuar edhe nga ideja që duhet më së shumti të mbrojnë. Prandaj, në fund të ndeshjes ne themi “mbrojtja është mirë, kurse sulmi çalon…”. Natyrisht, është e drejtë të thuhet kështu sepse sulmuesit tanë dhe mesfusha e ndihmon mbrojtjen kur nuk e kemi ne topin, ndërsa mbrojtja (e kam fjalën për krahët) dhe mesfusha e ndihmon me pikatore sulmin.

Kjo e zbeh forcën tonë goditëse, eliminon pothuajse fare befasinë dhe na bën një skuadër normale. Dhe e fundit: nëse Uellsi kishte një Ramsej që kur skuadra e tij sulmonte, arrinte të futej me shpejtësi në zonën tonë, ne kë kishim? Cili prej lojtarëve të mesfushës u fut ndonjëherë në zonë kur donim të shënonim? Asnjë…

SI ZGJIDHET

Nuk më pëlqen që të ketë kaq shumë ndryshime në mesfushë. Dakord, është miqësore dhe disa lojtarë të rinj edhe do provohen, por jo të gjitha ndryshimet në mesfushë edhe në sulm. Kjo e pengon ekipin që të harmonizohet në veprimet sulmuese. Gjykoj gjithashtu që në qendër duhet të jetë Gjimshiti dhe jo Kumbulla. Berati ka më tepër eksperiencë dhe topin e parë e nis më me siguri, ndërsa Marashi edhe te Roma është më i spostuar majtas.

Gjimshiti me Uellsin

Së treti, lojtarët e krahut duhet të jenë më të guximshëm për të shtyrë përpara dhe të ndihmojnë sa të munden sulmuesit kur topin e ka ekipi ynë. Prandaj, skema është 3- 5-2, që kur kemi topin të sulmojmë me më shumë forca. Së katërti, lojtarët e mesfushës duhet edhe të tentojnë gjuajtjet nga jashtë në momente të caktuara. Jo gjithnjë golat do të vijnë nga sulmuesit. Pra, duhet të ketë edhe një plan të dytë nëse nuk ecën i pari…

NJË SUGJERIM PËR REJËN…

Më bëri përshtypje që vlerësoi karakterin e skuadrës pas ndeshjes, ndërkohë që nuk i kurseu kritikat për pjesën teknikotaktike. Mirë bëri që e vlerëson shpirtin e garës dhe karakterin e lojtarëve, por ai e di gjithashtu se duhet të ketë një balancë mes shpirtit të garës, disiplinës taktike dhe aftësive teknike. Përndryshe, nuk arrin dot që skuadra të jetë efikase sa duhet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"