Rinovim i tepruar, Shqipëria nuk ka lojtarë për 3-5-2

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2020 | 23:45

Rinovim i tepruar, Shqipëria nuk ka lojtarë për 3-5-2

NEPTUN BAJKO

Neptun Bajko

Mendimi im për lojën e ekipit kombëtar është: Duke parë me vëmendje 10-15 minutat e para, të krijohej ideja se ekipi ishte përgatitur mirë, pasqyroi freski fizike, dëshirë për të lëvizur dhe marrë pjesë në bllok në veprimet mbrojtëse dhe ato sulmuese.  Menduam se do të ishte një ndeshje që mund të kalohej dhe të fitohej nga ne, por kjo ishte përshtypje e gabuar, sepse ekipi në ecurinë e lojës po pasqyronte mangësi të theksuara.

REPARTET E VEÇUARA

Vura re se repartet nuk funksiononin në bllok. Veprimet e lojtarëve nuk ishin të koordinuara që të bindnin se ekipi e ka tashmë një lojë të vetën. Pra, kishte mjaft të meta, në aspektin e koordinimit dhe në presingun në gjysmëfushën e kundërshtarit. Por, duke parë se çfarë niveli kishte kundërshtari dhe se si ne e kërkuam fitoren, atëherë kjo merr edhe përmasa shqetësuese. E them këtë sepse kazakët, ndonëse luanin në fushën e tyre, nuk po pasqyronin ndonjë rrezikshmëri ose një lojë agresive.

Atëherë, çfarë mund të vëmë në dukje në këto momente? Së pari, nuk e kishim studiuar edhe aq mirë kundërshtarin. Lojtarët tanë dukeshin se nuk kishin ndonjë ide se ku ishte pika e tyre e dobët dhe të manovronin gjatë ndeshjes. Së dyti, nuk më pëlqeu që gjithë pjesën e parë ishim aq të vakët dhe aq pak krijues. E këtu hyjmë te reparti kyç, që për mua është mesfusha. Duhet pra më shumë stabilitet, por edhe krijimtari e fantazi. Mund të mos dalësh në lojën tënde, edhe për 45 minuta të tëra, por kur ke përballë një ekip shumë të fortë. Jo si Kazakistani…

Neptun Bajko Kombetarja

ÇALON MESFUSHA…

Për mendimin tim, motori i lëvizjes së një ekipi ose baza mbi të cilën një skuadër ndërton lojën, është reparti i mesfushës. Në këtë aspekt, mesi i fushës, unë nuk e di çfarë detyrash kishin, o ngatërroheshin me mbrojtësit anësorë, me Trashin e Veselin dhe nuk merrnin pjesë fare në organizimin e lojës. E dyta, nuk kishin njohje reciproke me dy lojtarët e sulmit, qoftë me Manajn, qoftë dhe me Brojën.

Madje, këtë të fundit e lanë pothuajse të izoluar. Pra, këtu sheh që ishte një dobësi shumë e madhe jona. Fakti që në pjesën e parë shkuam një ose dy herë për të goditur portën, e tregon më së miri këtë. Dakord, ndikuan edhe disa mungesa, sepse Gjasula, Uzuni ose Roshi i japin një tjetër dinamikë lojës, por gjithsesi, edhe në këtë ndeshje mund të jepej minimalisht ideja e lojës sonë. Unë vetë ende nuk e kam një ide se cili është profili i Kombëtares shqiptare sot. Në formacionin titullar, vërtet u aktivizuan tre lojtarë të rinj, që kanë cilësi dhe karakteristika të mira, por ende duhet kohë që ata të futen në rrjedhën e lojës së ekipit dhe pa dyshim ajo që është më e rëndësishmja, është përvoja e tyre.

NDRYSHIME TË TEPRUARA

Unë mendoj që trajneri duhet të vërë theksin te mjetet, për të arritur aty ku mendon të arrijë ai. Duhet të përcaktojë qartë ai vetë se çfarë kërkon të bëjë dhe pastaj ekipi të kolaudohet. Këtë duhet ta bëjë patjetër në bazë të karakteristikave të lojtarëve. Dhe, për hir të së vërtetës, ai ka në dispozicion sot një grup të ri, por cilësor. Mirëpo, ajo që më shqetëson është se me kaq shumë ndryshime sa bëhen në çdo ndeshje, ekziston rreziku që kjo të ndikojë për keq si në sistemin e lojës, por edhe në aktivizimin e lojtarëve të rinj. Ky ndryshim i vazhdueshëm mund të ketë pasoja dhe ta detyrojë skuadrën të “notojë” më shumë kohë në tranzicion.

Shqiperia

Dhe në situatën ku është Shqipëria pas kualifikimit në “Euro 2016”, mendoj se gjënë më të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen ka vetëm një: stabilitetin. Kur nuk ka stabilitet, as nuk mund të rriten mirë të rinjtë, as skuadra nuk e përmirëson dot lojën e saj dhe as nuk arrihen rezultatet që dëshirojmë. Duke marrë shkas nga kjo, më vjen në mend një shprehje e profesorit të madh Loro Boriçi, i cili në kohën kur e kundërshtonin dhe i thoshin “Pse nuk merr këtë, pse nuk merr atë, sepse është lojtar shumë i mirë dhe po luan me Dinamon apo me Partizanin…”, ai përgjigjej shumë thjesht:

“Ka lojtarë të mirë, por që janë lojtarë klubi. Kombëtarja ka të tjera kërkesa”. Mendoj se kjo vlen edhe për Shqipërinë sot dhe për stafin e Kombëtares. Jo të gjithë që shkëlqejnë në ekipet e tyre mund të kenë rol protagonisti në kombëtare.

FIKSIMI PËR 3-5-2…

E kemi diskutuar këtë problem disa herë. Mendoj që Shqipëria dhe këto ekipet e tjera që kërkojnë rritjen dhe ngjitjen në klasifikimin e Europianit, e kanë shumë të vështirë të luajnë me 3-5-2. Kjo, sepse duhet nisur dhe nga lojtarët që ke në dispozicion. Për ta bërë këtë duhet të kesh 3-shen e mesfushës të shkëlqyer: në mbrojtje, organizim dhe sulm. Duhet të kesh nga krahët “pistona” të vërtetë që mbrojnë dhe sulmojnë deri në sekondën e fundit. E theksoj, anësorët duhet të jenë të jashtëzakonshëm në këtë skemë.

REJA

Duhet gjithashtu edhe një skuadër shumë, por shumë e fortë në aspektin psikologjik. Pra, edhe nëse e pëson një gol, ajo duhet sërish të sulmojë e të sulmojë në mënyrë gati asfiksuese, me qëllim që në fund të marrim fitoren me çdo kusht. A i kemi ne këta lojtarë? Unë mendoj që kemi lojtarë të mirë, por jo për këtë skemë…

LOJTARËT E RINJ

Një gjë është shumë domethënëse, le të marrim tre lojtarët e rinj që u aktivizuan: Kumbullën, Kallakun dhe Brojën. Këta të tre luajtën jashtë pozicioneve të tyre natyrale: Kumbulla qendërmbrojtës, luan i spostuar majtas, Kallaku është mesfushor pas dy sulmuesve, tipiku i lojtarit të tillë, por ose “zhytej” në afërsi të mbrojtjes kur nuk kishim topin, ose përfundonte në krah, sidomos në pjesën e parë. Brojës iu kërkua të bënte qendërsulmuesin, por duke e lënë shumë vetëm dhe hera-herës duke e detyruar të kthehej në thellësi të mesfushës. Ata janë tre lojtarë me strukturë dhe një teknikë të pëlqyeshme, por m’u dukën “të huaj”. Kumbulla m’u duk sikur ishte futur me hatër, luante me ndrojtje.

Broja

Broja nuk dinte ku ta kërkonte topin, madje prej nxitimit humbi dhe dy raste që një lojtar si ai nuk duhet t’i humbasë kurrë. Ndërsa Kallaku për 60 minuta mua më pëlqeu. Pse? Sepse ishte një lojtar që lëvizi, që mbante topin me kompetencë të plotë, që driblonte, që pasonte, që merrte pjesë në të dyja fazat e lojës qoftë në veprimet sulmuese, qoftë në mesfushë dhe në mbrojtje. Prandaj, edhe frika ime konsiston në atë që, nën etiketën e rinovimit do të mbetemi në tranzicion dhe asnjëherë nuk do të kemi një ekip kombëtar ku të numërojmë 11 lojtarët, plus-minus dy të tjerë që mund të ndërrohen, të zëvendësohen, mund të largohen nga mosha dhe dëmtimet.

Por, kjo bën që të ketë dhe një lojë të mirë, të kesh dhe një lojë të përqendruar, një lojë ku janë ambientuar me njëri-tjetrin dhe kanë arritur në një perfeksion në takim, në qarkullim, në lëvizshmëri etj. E nëse diçka sërish nuk shkon, atëherë stafi dhe ekipi ynë duhet të kenë edhe një plan “B”. Shqipëria sot nuk ka asnjë plan “B”. Nuk është turp që një ekip si yni të luajë me 4-4-2, 4-3-2-1, 4-3-1-2, kur nuk ia del dot me brumin që ke për të aplikuar skemën tënde të preferuar. Mendoj se diçka duhet të ndryshojë menjëherë në qasjen e stafit me Kombëtaren dhe me mundësitë reale që ka Shqipëria. Kjo skuadër është shumë e ngadaltë dhe e lexueshme nga rivalët, sepse nuk ka elementin befasi.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"