Mjaft me eksperimente në Kombëtare!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2021 | 19:50

Mjaft me eksperimente në Kombëtare!

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Ishte një ndeshje që nuk më kënaqi, ndonëse kishim përballë një nga skuadrat më në formë siç është Anglia. Kundërshtarët tanë luanin një futboll tepër të përparuar dhe me objektiva të qartë se ku duan të arrijnë.

Unë mendoja se ekipi ynë kombëtar do të pasqyronte vlera të mira. Kur them këtë, e kam fjalën për: dëshirën, entuziazmin dhe pikësynimin e çdo lojtari dhe çdo skuadre që në të tilla ndeshje të nxjerrë nga vetja të gjithë potencialin që ka, por nuk ndodhi kështu. Skuadra jonë kombëtare, mbas pak minutave të para të lojës, humbi qetësinë, sigurinë dhe pasqyroi një rëndesë të madhe morale dhe psikologjike, duke i shtyrë lojtarët të gabojnë.

Ky vizion i pasqyruar në fushën e lojës midis dy kombëtareve tregoi edhe fatin që do të kishte ndeshja. Pas pësimit të golit të parë, ekipi ynë, përveç humbjes së logjikës dhe arsyetimit në lojë, nuk po gjente më mënyrën e duhur për të vepruar dhe kundërvepruar. Pse ndodhi kjo? Ka disa arsye…

Shqiperi-Angli 2-0

E para, e mbivlerësuam Anglinë. Mungesa e kurajës në të tilla ndeshje e bën një skuadër si Shqipëria të duket akoma më e vogël…

E dyta, rëndesa psikologjike pas golit të parë i pengoi lojtarët tanë të përballeshin me një kundërshtar të nivelit të lartë. Prej gjendjes sonë, anglezët e patën më të lehtë të manovronin e të luanin me thjeshtësinë më të madhe. Por, rivalët kanë meritën që ishin gjithmonë të vendosur mjaft mirë në fushë, duke njohur shumë mirë detyrat taktike, por akoma më mirë se çdo gjë tjetër njihnin kundërshtarin, pra Shqipërinë.

Qartazi na kishin studiuar në detaje. Ata luajtën shkëlqyeshëm me top dhe pa top, ndërsa ne vrapuam dhe u lodhëm shumë shpejt. Ata shijuan edhe kënaqësinë e fitores, ne përsëri u lodhëm. Pasqyra e ndeshjes në total ishte që ne vrapuam pas topit të kundërshtarit deri në mërzitje.

DY FJALË PËR CILËSINË…

E kam dëgjuar shpesh ditët e fundit “diferenca në cilësi mes Anglisë dhe Shqipërisë…”. Dhe është vërtetë. Por, të kesh diferenca nuk do të thotë të mos luash futboll. Edhe dikur kishim diferenca me Anglinë, por ekipi kombëtar ka luajtur futboll. Pa dyshim që në shumicën e kohës është mbrojtur, por edhe ka kundërsulmuar dhe ka shënuar gol.

Pikërisht ndaj kësaj Anglie të madhe. Kemi luajtur kundër Gjermanisë, kampione europiane dhe botërore, por kemi pasqyruar vlerat më të mira kombëtare. Kemi shfaqur disiplinë të jashtëzakonshme, kemi gjuajtur në portë, kemi bërë aksione të mira, kemi shënuar dhe në të njëjtën kohë mund ta them me bindje të plotë kemi kënaqur edhe mijëra e mijëra tifozë shqiptarë. Pra, edhe pse jemi mundur, kemi pasqyruar vlera shumë të mira.

Shqiperia6

PROBLEMI JANË… NDRYSHIMET

Më vjen keq që pas gjithë këtyre ndeshjeve, pas gjithë këtyre grumbullimeve me 28 ose më shumë lojtarë, pas gjithë këtyre provave me lojtarë dhe skema taktike, kjo skuadër nuk bind. Problemet, sipas meje, janë disa:

1) Nuk e kemi ende të qartë se cila është mënyra e lojës së ekipit tonë përfaqësues. Nuk dimë nëse aplikojmë lojën e kundërsulmit apo aplikojmë lojën graduale me qarkullim topi derisa të dalim në zonat e rreptësisë.

2) Dështojmë në sulm pothuajse në çdo ndeshje. Pse? Së pari, sepse nuk kemi një vizion të qartë. Sepse në skuadër ka kaq shumë lëvizje dhe pas gjithë këtyre provave nuk është perfeksionuar ende lojë në grup.

3) Mesfushorët tanë mundohen të bëjnë dy detyra: të luajnë vetë edhe të sulmojnë, por asnjëherë të organizojnë. Harrojnë ndoshta se detyra e tyre themelore është të organizojnë lojën si duhet. Kjo u vërtetua edhe në ndeshjen e djeshme. Vetëm pas futjes së Gjasulës, Manajt dhe Memushajt pati një ekuilibrim të lojës, por ishte shumë vonë dhe pa vlerë. Treshja Memushaj-Gjasula-Bare janë shumë të mirë për ekipin tonë, por ndërrimet e shpeshta i kanë çorientuar.

Me lojtarët e formacionit nuk bëhen eksperimente. Varet vetëm nga forma e tyre, por mjaft më me eksperimente, sidomos në mesin e fushës!

4) Duke u nisur nga pika (3), vëmë re se detyrat tejet mbrojtëse për Cikalleshin, Brojën dhe Uzunin i shndërruan ata në sulmues që nuk mendonin fare se qëllimi i lojës së tyre është goditja e portës kundërshtare. Por, kjo është parësore për lojtarët e sulmit. Ata u munduan thjesht të pengonin daljen në sulm të kundërshtarit dhe Shqipëria nuk kishte fare forcë ofensive.

Gjimshiti

KUJDES ME GJIMSHITIN…

Goli i dytë erdhi edhe sepse repartet e tjera nuk funksionojnë si duhet. Natyrisht, kishte përgjegjësi Gjimshiti, por mos harroni se ishte ai që në 3-4 ndërhyrje vendimtare shpëtoi portën. Ishte ky lojtar që mundi të përballonte lojën e ajrit të anglezëve. A gaboi? Po, por edhe më të mirët gabojnë, ndaj nuk duhet ta ngarkojmë më shumë sesa duhet në një skuadër që ka edhe probleme të tjera.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"