Mesfusha ka probleme, kjo skemë nuk jep garanci

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2020 | 22:15

Mesfusha ka probleme, kjo skemë nuk jep garanci

NEPTUN BAJKO 

neptun bajko

Kjo ndeshje ishte vazhdimi i pjesës së dytë në Bjellorusi…. Së pari duhet thënë që nga intervista e trajnerit Reja para këtij takimi, ishte e sinqertë dhe vuri në dukje se pjesa e dytë në Bjellorusi pasqyroi mangësi të theksuara në veprimet sulmuese.

Por duke e parë me një sy të qetë dhe mendje të kthjellët, unë mendoj se nuk ishte vetëm loja në sulm që la për të dëshiruar. Çaloi në tërësi skuadra dhe loja nuk bindi në asnjë aspekt. Një nga arsyet se përse priteshin shumë ndryshime në formacion, ishte edhe fakti që trajneri do të riparonte diçka, si në lojën në tërësi, ashtu edhe në atë sulmuese. Arsyet se përse nuk funksionuan këto janë më të thella dhe ne nuk duhet që të gjitha defektet e një ekipi të adresohen vetëm në një repart.

PROBLEMET KRYESORE

sipas mendimit tim janë:

-Ekipi nuk e kishte të qartë se si do të luante. Madje kjo vihej re edhe te zhvendosjet e herëpashershme të Manajt për t’u tërhequr në mesin e fushës dhe për ta organizuar sulmin që aty… Ky ishte një veprim i pakuptimtë dhe nuk mund të përsëritej aq shpesh.

unnamed

– Vura re nervozizëm te lojtarët, të cilët nuk kishin qetësinë e duhur. Në veçanti kapiteni Hysaj. Kjo tregoi që skuadra edhe psikologjikisht nuk ishte e përgatitur për të përballuar ndeshjen. Por ky nervozizëm tregon gjithashtu se ekipit i mungon qartësia në lojë. Kjo ishte e dukshme. Lodhja ndikoi shumë në lëvizshmërinë dhe veprimet në fushë.

– Por më e qartë se të gjitha është se ekipi nuk ka lojë. Unë mendoj se kjo duhet të jetë pika kryesore e punës në të ardhmen. Asnjë lloj moduli, apo vendosje në skemat taktike nuk të ndihmon të arrish objektivat. Ajo që vërej me shqetësim, është se reparti i mesfushës nuk është në gjendje që të lidhë si duhet mbrojtjen me sulmin.

Ky është element kyç në çdo skuadër. Prandaj, në këtë pikë, pa dyshim, me modesti dhe nga larg, është pika më kryesore ku duhet të fokusohet stafi. Duhen pra lojtarë që zotërojnë cilësi të mira, sidomos në nivelin teknik. E përsëris: niveli teknik. Këmbëngul, sepse duhet të shikojmë me vëmendje se çfarë lojtarësh kishim në fushë: 5 mbrojtës të deklaruar dhe një mbrojtës i “fshehur” si Gjasula.

Pra, barra për të ndërlidhur repartet, për të krijuar aksione të mira, për të dhënë vertikalizime, për të “shpikur” diçka me fantazi, binte te dy lojtarë si Abrashi dhe Laçi. Ja pra, kjo është arsyeja se përse Shqipëria është kaq e paqartë, pa ide dhe pa fantazi, sepse niveli teknik në mesfushë lë për të dëshiruar. Dhe një skuadër pa mesfushë është si një trup pa mushkri, nuk merr dot frymë…

LOJA NË KRAH E LEXUESHME

Mendoj se loja në krah nga Trashi dhe Hysaj nuk ishte e qartë dhe ishte tepër e lexueshme. Nëse luan me skemën 3-5-2, nuk mund të jesh kaq i lexueshëm nga krahët. Kjo solli më pas edhe një presing asfikues të rivalëve ndaj Abrashit dhe Gjasulës, të cilët gjithnjë e më shumë nuk po orientoheshin në lojën e ekipit, duke sjellë një shkëputje të rrezikshme midis reparteve.

unnamed (2)

ZËVENDËSIMET DHE TIFOZËT

Mendoj se trajneri veproi mirë me ndërrimet, sepse kuptoi që një mbrojtje e tërë luante ndaj një sulmuesi të vetëm, prandaj u dha përparësi veprimeve tona sulmuese, të cilat edhe pse pa qartësi, e ndryshuan ritmin e lojës duke bërë që lituanezët të mbrohen mjaft mirë. Ajo që binte në sy në këtë takim, ishte që rivalët luajtën një futboll të thjeshtë.

Ata ishin një skuadër e vendosur shumë më mirë se ne në fushë, që luante me qetësi dhe pjekuri taktike, duke bërë që loja e ekipit tonë të zbehej nga minuta në minutë. Veçantia e grupit tonë është ajo që të gjitha ekipet fituese kanë fituar. Pra, dalim edhe te faktori publik që ndikon shumë në të tilla ndeshje me një nivel pothuajse të barabartë.

Gjasula...

ASPEKTI TAKTIK

Pretendohet që ekipi po evoluon me një skemë 3-5- 2, por unë mendoj se që një skuadër si Shqipëria e ka të vështirë që t’i përshtatet një moduli të tillë. Kjo skemë jo vetëm është e ndërlikuar që të aplikohet, por kërkon edhe lojtarë me cilësi të jashtëzakonshme, sidomos në të dy krahët.

Së dyti, vështirësia e ndeshjeve në të ardhmen do të rritet dhe ne do të përballemi me ekipe që luajnë me tre sulmues. Atëherë lind pyetja: kjo skemë do të funksionojë apo jo? Mendoj se ne mund të gjejmë, në varësi edhe të lojtarëve që kemi, një modul loje më të qartë dhe më të zbatueshëm në fushën e lojës. Kemi nevojë për balanca dhe për qetësi, por kjo skemë nuk na i jep.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"