Kombëtarja pa ide, kjo skemë nuk na çon larg

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2022 | 18:42

Kombëtarja pa ide, kjo skemë nuk na çon larg

NGA NEPTUN BAJKO
Ndeshja me Gjeorgjinë do të kishte ndryshime, kjo as nuk diskutohej. I referohem vlerësimit për kundërshtarin, por edhe formacionit. Kjo po që u cilësua një ndeshje tamam miqësore, pa ngarkesën emocionale dhe të përgjegjësisë që ishte kundër Spanjës.

bajko

Mendoj se kjo ndeshje më shumë sesa opinionit sportiv, i ka vlejtur trajnerit, i cili pati mundësinë që të aktivizonte shumë lojtarë dhe në veçanti prisja me interes lojën e Asllanit dhe më vonë të Vrionit.

SUPERIORË VETËM 15 MINUTA

Ndeshja ishte e ndërtuar që ekipi të kishte një fizionomi të qartë, por kjo ndodhi vetëm në 15 minutat e para kur skuadra pasqyroi një ndjenjë superioriteti. Në fillim ndërtoi aksione të mira, por pa një ide të qartë për finalizimin. Pastaj gjeorgjianët e rritën lojën e tyre dhe kundërshtari pasqyroi vlera të mira teknike individuale, por edhe si ekip.

Më pëlqyen rivalët sepse aplikuan mjaft mirë lojën në trekëndësh dhe lojën me pasime të shkurtra për të kapur në befasi ekipin tonë, por për fat të mirë edhe atyre u mungoi qartësia në finalizim në ato raste që krijuan. Ndeshja nuk pati një zhvillim që të entuziazmonte publikun, por ruajti në tërësinë e vet ekuilibrin për të bërë sa më pak gabime. Ajo që ra në sy ishte mungesa e ideve të qarta në veprimet sulmuese.

SULMI, PSE ÇALOJMË

Kemi probleme në ndërtimin e aksioneve të rrezikshme. Ndaj Spanjës u luajt në bllok në gjysmëfushën tonë dhe në mbrojtje, kurse në ndeshjen e djeshme pa dyshim që kërkohej më tepër në veprimet sulmuese. Kjo nuk arrihet kur ke disa ndërrime të lojtarëve bazë, siç ishin treshja e mesfushës. Së dyti, kur luan me 5-3-2 si ndaj Spanjës dhe pastaj kalohet në 3-5-2, duhet që lojtarët të ndryshojnë marsh, sidomos krahët.

Shqiperia

Këto lëvizje që janë thelbësore nuk kuptohen drejt dhe mirë nga futbollistët. Një tjetër problem ishte edhe fakti që lojtarëve tanë u mungon sensi i parashikimit, pra i lëvizjeve në zonat boshe pa top. Janë statikë dhe lehtësisht të lexueshëm nga kundërshtarët. Së treti, në shumicën e rasteve luajnë me kokën poshtë. Nuk bënë dot as atë që bënin gjeorgjianët, të cilët kishin idenë e qartë se ku duhet të qëndronin për ta marrë topin.

Ne nuk e bëjmë këtë me mendimin e parë, por kalon një moment, më pas edhe një moment tjetër dhe kjo sjell vonesa në aksion duke u bërë shumë të lexueshëm. Kemi hequr kështu pra një armë të rëndësishme që quhet befasi. Kemi probleme gjithashtu edhe me lojën vertikale. Për mendimin tim, ekipi ka ende shumë punë për të arritur kompaktësinë e duhur dhe ajo që është më e rëndësishmja, mënyrën se si duhet të shkojë drejt zonës së rreptësisë.

DYSHJA MANAJ-BROJA

Të jem i sinqertë, Broja nuk m’u duk se kishte dëshirën dhe instinktin e sulmuesit në këtë ndeshje. Nuk arriti të bashkëpunonte me Manajn, i cili edhe pse kërkonte të shërbehej, ishte pothuajse gjithnjë vetëm.

Cikalleshi dhe Roshi pikërisht këtë gjë përmirësuan në pjesën e dytë. Loja e vazhdueshme në krahun e majtë u dha mundësi këtyre dy lojtarëve që nëpërmjet edhe kombinimeve me njëri-tjetrin, por edhe individualisht të rrezikonin 2-3 herë. Kjo ishte edhe pjesa më e bukur e kësaj ndeshjeje. Thënë këtë, mendoj se duhet të kemi shumë kujdes me Cikalleshin, Roshin, Brojën dhe Uzunin. Janë lojtarë me cilësi, me përvojë dhe që i duhen shumë ekipit kombëtar.

ASLLANI DHE MBROJTJA

Mbrojtja, me thënë të drejtën, edhe pse nuk pati shumë punë, ishte e kujdesshme, luajti thjesht dhe në veçanti Ismajli ishte tepër i freskët fizikisht. Sa për Asllanin, mendoj se në pjesën e parë kur pozicionohej para mbrojtjes në mesin e fushës, e pati të vështirë të dilte në lojën e tij sepse u markua rreptë.

Ai ka vizion për lojën, nuk e mban topin dhe e dinte fare mirë se ku do ta dërgonte atë, por ishte vendosur shumë prapa dhe kjo nuk e lejoi që të shpaloste gjithë arsenalin teknik dhe mendimin taktik të lojës. Në pjesën e dytë Asllani u spostua më para dhe pjesëmarrja në veprimet sulmuese tregoi që është një futbollist me një pjekuri.

Për mendimin tim, ndoshta ai nuk e di, por kuptova se e kishte të ngulitur shumë mirë në kokë se topi është më i shpejtë se lojtari… Kjo ishte arsyeja që nuk e mbante atë, pasonte shumë mirë dhe në veprimet sulmuese ai në të ardhmen mund të jetë një lojtar që do të ndihmojë në mënyrë efikase në ndërtimin e aksioneve.

Cekici

DUHET NGUSHTUAR RRETHI

Mendoj se provat dhe eksperimentet me Kombëtaren në këtë fazë duhet të përfundojnë. Natyrisht, ka shumë lojtarë të rinj që e meritojnë një shans, por deri tani Reja ka pasur kohën e mjaftueshme. Nuk është detyrë e ekipit kombëtar të rrisë lojtarë me perspektivë, ajo është një përparësi e klubeve. Dua të them pra që rrethi duhet ngushtuar dhe më në fund të kemi një ekip me ata lojtarë që kanë përvojën, klasin dhe vazhdimësi në Kombëtare.

PROBLEMI I SKEMËS

U vu re në të dyja pjesët se më së shumti u luajt në krahun e majtë. Më shqetëson fakti që përveç vertikalizimeve cilësore, Shqipërisë i mungojnë edhe krosimet e bollshme nga lojtarët anësorë. Nëse luan me 5-3-2 ose 3-5-2 dhe je kaq fanatik i kësaj skeme, atëherë duhet që më së paku të kesh “pistonat” e duhur nga krahët. Shqipëria shtyn përpara vetëm nga krahu ku luan Roshi dhe ky është një minus i madh. Kam frikë se nuk i kemi gjetur ende lojtarët që të veprojmë si duhet nga krahët dhe kjo skemë po penalizon disa futbollistë si Roshi, Uzuni, Bajrami dhe Broja duke i spostuar jashtë roleve të tyre ose duke mos u dhënë hapësirat që meritojnë. Diçka duhet të ndryshojë sepse progresi është vërtet shumë i ngadaltë me këtë modul.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"