Fitore për të ardhmen, më zhgënjeu mbrojtja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2020 | 19:12

Fitore për të ardhmen, më zhgënjeu mbrojtja

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse fitorja dhe rezultati do të kishin ndikim të madh për një përmirësim të mëtejshëm të skuadrës. Fitorja pa dyshim që e ndihmon skuadrën tonë dhe stafin që të jenë më të qetë në të ardhmen, por edhe të kenë më shumë besim se puna dhe sakrificat e tyre deri tani ia kanë vlejtur.

Në të njëjtën kohë përfundimi i këtij edicioni në Ligën e Kombeve ka ndihmuar edhe trajnerin që t’i ketë më të qarta idetë e tij. Ai ka përvojën e duhur dhe pas arritjes së vendit të parë, do të dijë të ndërtojë një ekip kombëtar akoma më kompakt, duke alternuar aty edhe elementë të futbollit bashkëkohor. Dihet, pra, se në çdo punë fillimi dhe mbarimi mbahen mend. Dhe ndeshja e fundit do të mbahet mend për mirë.

KUJDES ME EUFORINË!

Duhet të them se nuk ka sukses pa meritë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të mbulohen të metat që janë parë gjatë këtyre ndeshjeve. Duhen analizuar shumë probleme që kemi hasur, madje edhe dje, për të përmirësuar atë çka është ndërtuar deri tani. Natyrisht, gjithçka kërkon kohën e vet, por ne duhet të bëjmë kujdes me euforinë. Ka qenë ndër vite armiku ynë më i madh dhe, për fat të keq, në momente të caktuara u shfaq edhe kundër Bjellorusisë.

shqiperi

ÇFARË MË PËLQEU…

Personalisht më pëlqeu shumë pjesa e parë sepse aty pashë disa elemente që ekipi kombëtar shpeshherë nuk i ka pasqyruar. Kjo ka ardhur më së shumti edhe prej ndryshimeve të shpeshta në formacion. Le t’i marrim me radhë… Shumë pozitive ishte loja e Gjasulës dhe kombinimi i tij me Memollën. Luajtën thjesht, të përqendruar dhe dhanë gjithçka nga vetja. Më pëlqeu në veçanti kombinimi i Cikalleshit me Manajn.

Qartazi kishin reflektuar edhe pas ndeshjes me Kazakistanin dhe shërbenin ndaj njëri-tjetrit, sakrifikonin për ekipin kur kundërshtari kishte topin dhe u përpoqën t’i bënin të gjitha lëvizjet me pjekuri dhe me vetëbesim. Është shumë e rëndësishme kjo për një dyshe sulmuesish. Për t’u vlerësuar pa dyshim edhe paraqitja e Memushajt. Jo se të tjerët nuk dhanë gjithçka, por qetësia dhe siguria e vlonjatit ruajti ekuilibrat në ekip edhe kur situata u ndërlikua gjatë ndeshjes.

Element tjetër pozitiv, sidomos në pjesën e parë, ishte lëvizshmëria e mirë me top dhe pa top e lojtarëve. Dua ta theksoj këtë element, sepse Shqipëria në një pjesë të mirë të ndeshjeve të mëparshme ka pasur probleme në lojën pa top. Mënyra se si e interpretoi skuadra ndeshjen në pjesën më të madhe të saj tregoi se kishin saktësi dhe mendim. Shenjë e qartë se gjithçka ishte përpunuar mirë më parë, pra në stërvitje.

ÇFARË NUK MË PËLQEU

Të them të drejtën, reparti i mbrojtjes ka qenë përherë një nga më të mirët. Prapavija gjatë gjithë këtyre kohëve ka qenë ndoshta reparti më i stabilizuar, duke zhvilluar një lojë të thjeshtë, por pa lejuar gabime të rënda. Për fat të keq, në këtë ndeshje mbrojtja nuk ishte në lartësinë e duhur.

EnH1WFuXUAM6rHB

Në disa momente mbrojtja tregoi pasiguri, mungoi bashkëveprimi, duke lejuar hapësira nga ku mund të goditeshin. Për të qenë më konkretë: nëse shohim pësimin e golit të parë, ishte një vendosje krejtësisht e gabuar. Së pari e Ismajlit, i cili ishte vendosur gabim në raport me kundërshtarin direkt dhe së dyti largësia shumë e madhe e Dokës dhe e Veselit.

Në këtë aspekt, unë mendoj se ekipi tregoi një vetëkënaqësi të tepruar. Kjo duhet korrigjuar menjëherë dhe duhet të shërbejë si mësim në të ardhmen. Ku dallon një ekip i konsoliduar me një ekip që e nderon rastësia? Pikërisht në këto detaje, të cilat në fund vendosin rezultatin e ndeshjes. Natyrisht, edhe mbrojtja u është nënshtruar ndryshimeve të vazhdueshme në emra dhe ky është një detaj që nuk mund të nënvlerësohet, por mendoj se është diçka e korrigjueshme sepse pjesa më e madhe e lojtarëve aty kanë shumë përvojë në nivele të larta.

DY FJALË PËR TRAJNERIN… Është e njohur në futboll që merita dhe fitorja u takon lojtarëve, ndërsa trajnerin me lehtësinë më të madhe mund ta kritikosh kur ekipi nuk luan mirë. Shpesh synohet që të gjejmë gabime edhe aty ku nuk ka. Pra, fitoret janë përherë të të tjerëve dhe “xhepat” e mëdhenj janë për lojtarët, ndërsa “xhepi” i vogël për trajnerin.

Trajneri Reja

Por, tani unë mendoj se Reja ka bërë një punë të mirë dhe me të drejtë duhet të jetë mjaft i kënaqur nga fitorja e djeshme. Kam bindjen se tani ai ka një panoramë më të qartë në mbarëvajtjen e ekipit. Sa i përket diskutimit të vazhdueshëm për skemën, unë gjykoj se në tërësi ne e kemi pasqyruar profesionalisht dhe jemi munduar që të mos e kritikojmë skemën si vendosje lojtarësh në fushë. Kemi cilësuar në mënyrë të veçantë se ndeshjen nuk e fiton vetëm moduli.

Një ndeshje fitohet më së shumti nga cilësia e lojtarëve, bashkëpunimi mes reparteve, idetë inovative të stafit, harmonia në ekip, eksperienca dhe durimi për të përballuar mirë momentet e vështira. Më shumë sesa skema, unë mendoj se janë detyrat që u caktohen lojtarëve dhe reparteve në mënyrë të veçantë ato që bëjnë diferencën taktikisht. Për situatën ku është sot, Reja është në të drejtën e tij profesionale që t’u përmbahet ideve që ka. Këtu mbyllet çdo diskutim.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"